Drejtuesit shkundin ekipin, 90 minuta analizë para stërvitjes
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas stërvitjes individuale të së enjtes, dje skuadra laçiane ka nisur punën për ndeshjen e së dielës me Teutën.
Përgatitjet e djeshme të kurbinasve janë kryer në Kamzë, por para se ekipi të zbriste në fushë drejtuesit e klubit kanë zhvilluar një analizë të thellë të situatës që po kalon ekipi në kampionat.
Ndonëse ekipi është në valle për të mbrojtur kurorën e trofeut të Kupës së Shqipërisë, në kampionat, pas rezultateve të fundit, Laçi ka vendosur shumë pikëpyetje mbi të ardhmen.
Në këto kushte, drejtuesit më të lartë të ekipit dhe stafi teknik për rreth 90 minuta kanë zhvilluar një analizë të thellë me lojtarët. Mbledhja është shoqëruar me tone të larta, pasi për drejtuesit situata është e papranueshme.
Nuk ishte parë prej vitesh një Laç i tillë, që thyhet lehtë si në fushën e tij dhe në transferta. Prandaj, për t'i bërë pritë të keqes drejtuesit u kanë tërhequr vëmendjen lojtarëve dhe kanë kërkuar reagim të shpejtë, duke nisur që nga ndeshja me Teutën.
Nëse ecuria në Kupën e Shqipërisë i shkon për shtat synimeve të drejtuesve, situata në kampionat është e papranueshme, sepse me rezultatet e javëve të fundit vihet në dyshim edhe qëndrimi në Superiore.
Përballja e së dielës me Teutën shikohet si një finale për kurbinasit. Duke qenë se luajnë në shtëpi, fitorja nuk duhet vënë në diskutim. Drejtuesit kanë kërkuar reagim të menjëhershëm, në rast të kundërt mund të merren edhe masat ndëshkuese ndaj lojtarëve. Ndryshe nga edicionet e fundit, këtë vit Laçi duhet të shmangë rënien një kategori më poshtë.
Përgatiti: I. Myrtaj