e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Drejt pikes se moskthimit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Drejt pikes se moskthimit
Përmes shkurtimeve të njëpasnjëshme të shpenzimeve, qeveria shqiptare kërkon të shmangë kolapsin buxhetor, por shkurtimi i disa harxheve të domosdoshme kundrejt shpikjes së të tjerave të pajustifikuara nuk mund të vlerësohet ndër veprimet më të mençura për t’u ndërmarrë.

Tkurrja e buxhetit të shtetit me 130 milionë euro dhe bllokimi i çdo prokurimi publik duke filluar nga muaji gusht i këtij viti, ishin dy ndër lajmet jo të mira të 6-mujorit të dytë të këtij viti. Këtyre ndodhive të pakëndshme, por njëherësh të parashikueshme, i shtohet një rënie e beftë në sektorin e turizmit, si edhe ulja e vazhdueshme e të ardhurave nga emigracioni. Nuk është tamam, situata më e mirë e mundshme ekonomike për një qeveri. Pikësëpari, sepse shpenzimet e buxhetit të shtetit (qofshin investime apo paga), bllokimi i tenderëve që përkthehen në vendeve pune dhe të ardhura në buxhetet e kompanive, më pak para që shpenzohen në sektorin e turizmit, plus varfërimin tashmë “historik” të dërgesave të emigrantëve, përbëjnë në thelb disa nga furnizuesit parësorë të ekonomisë së vendit.

Sektori i turizmit këtë vit shkon aq mirë sa në plazhet më të frekuentuara të vendit, si Dhërmiu, Jala, Saranda, Borshi, Drimades, Vlora etj., përjashto fundjavat, ditët e tjera janë ato të pushimeve të qeta dhe thuajse vetmitare. Për më tepër, që qeveria e ka parë të arsyeshme që edhe kosovarët që thjesht kalojnë kufirin shqiptar për të shkuar më shpejt në në Mal të Zi, si destinacioni fundor turistik, t’i regjistrojë si turistë shqiptarë.

Trauma tjetër vjen nga sektori i ndërtimit, i etiketuar deri para ndonjë viti si motori kryesor i ekonomisë së vendit. Sipas Institutit të Statistikës, në vitin 2009, sektori i ndërtimit ndikoi në rritjen reale të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) me vetëm 0.4 për qind, ndërsa një vit më parë, i njëjti tregues rezultonte në nivelin 10.9 për qind. Por, sipas INSTAT, kjo e dhënë duket se nuk e ka prekur peshën që zë ndërtimi në përqindje të PBB-së. Nga viti 2008, kur sektori i ndërtimit zinte 16 për qind të PBB-së së vendit, krahas të gjithë sektorëve të tjerë, në vitin 2009, kjo e dhënë ka zbritur me vetëm 1 për qind, në masën 15.1 për qind, ndërsa nga një vlerësim paraprak i vitit 2010, ndërtimi përbën 11 për qind të PBB-së.

Faktorët e tjerë janë po ashtu në pikë të hallit. Bankat po japin më pak kredi, çka ndikon investimet e publikut dhe sektorit të biznesit. Ndërsa që nga fillimi i këtij viti, inflacioni, ose “olele inflacioni”, cituar siç e ka pagëzuar ministri i Financave dikur, vazhdon të jetë një shtazë e pashtruar. Konsumi nuk paraqitet mirë, ndërsa besimi konsumator – sipas vlerësimit të fundit të Bankës së Shqipërisë – ka gjasa të jetë më mirë vetëm nga periudha psikadelike 97-98, duke pasur parasysh se në këtë periudhë nuk bëheshin vlerësime të tilla. Këto janë të gjitha lajme të këqija, por jo fatale. Determinizmi negativ qëndron në faktin se në këtë mori trazirash, qeveria ka vendosur të sakrifikojë shumëçka për disa lukse të papërballueshme në kohë të vështira.

Iluzioni i prosperitetit

Disa lloj investimesh, ndonëse me fitime jo të menjëhershme, merren kurdoherë përsipër nga individë, biznese apo qeveri. Të tillat ndodhin thuajse kurdoherë në kohë prosperiteti ekonomik, apo më së paku kur punët nuk shkojnë dukshëm keq. Por, të blesh bizhuteri diamanti në një kohë që të është përgjysmuar paga, ndërkohë që je sakaq i mbytur në borxhe, përbën pa dyshim vetëvrasje financiare.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk po blen diamante. Ajo po mjaftohet të faturojë ndërtimin e një parlamenti të ri në një kohë që mbrujtja e problemeve të brendshme financiare vijnë nga vetëm diç më shumë se gjysma e anëtarëve të atij ekzistues. Për realizimin e kësaj pune është përfolur më shumë se një shifër, por një vlerë prej mbi 100 milionë eurosh është hë për hë, varianti në fuqi. Një projekt i tillë do të financohej me borxh, nëse bëhet i mundur. Por, vullneti është shprehur, skicat janë paraqitur, ndërsa akti ligjor që mundëson shkatërrimin e objektit mbi të cilin do të ndërtohet “tempulli i ri i demokracisë” ka marrë fuqi ligjore.

Projekti tjetër është bindshëm më i përparuar. Bëhet fjalë për rrugën Tiranë-Elbasan, e cila nga vetë Kryeministri i vendit është folur se do të kushtojë mbi 400 milionë dollarë. Nga kjo shumë, qeveria shqiptare ka arritur të marrë një hua prej rreth 220 milionë dollarësh nga Banka Islamike për Zhvillim. Ndonëse distanca ajrore nga Tirana në Elbasan është më e vogël nga ajo me Durrësin, për të mbërritur atje mes rrugës ekzistuese, nevojitet diçka më pak se dy orë; ndërsa në Durrës mund të mbërrihet për 20 minuta duke shkelur në mënyrë të vazhdueshme kufirin e shpejtësisë së lejuar.

Argumenti duket shumë i mirë, por fakti është se problemi nuk lindi sot, dhe praktikisht, ka qenë gjithmonë aty. Nga ana tjetër, më shumë se një qeveri e ka pasur mundësinë ta ndreqë këtë padrejtësi të relievit malor shqiptar, duke çelur tunele e shpartalluar malet. Madje dhe në kohë bollëku ekonomik. Por, nuk e kanë bërë. Qeveria aktuale ka vendosur që në kohë krize të shënojë fillimin e këtij evolucioni.

Të rejat nga Fronti i Perëndimit

Ditët e fundit ekonomia e Eurozonës është përballur me ndodhi shumë shqetësuese. Kriza e euros e mbiquajtur “murtaja greke” është shpërhapur përtej kufijve të pritshëm, duke kërcënuar tashmë jo thjesht vende si Portugalia e Spanja, por duke shkuar aq larg sa Italia e madje edhe Franca.
Përveç Gjermanisë, Franca mbahej deri dje si një territor i pacenueshëm nga “gjëra të tilla”, ndaj futja e emrit të saj në listën e vendeve me cene financiare është shqetësues. Por, sa i takon hallit të menjëhershëm të Shqipërisë, shqetësimi real është Italia. Pas kapitullimit ende të palegalizuar të Greqisë – mes serumeve multimiliardere (në euro) nga Bashkimi Europian – ku jetojnë diçka më pak se 1 milionë emigrantë shqiptarë, Italia do të ishte tragjedia e dytë më hidhur, me minus 50 për qind, duke qenë se në këtë vend jetojnë rreth 500 mijë emigrantë shqiptarë, nëse i bëhet referencë intervistës së fundit ekzkluzive dhënë për revistën MAPO nga ambasadori italian në Tiranë.

Nëse murtaja financiare do përfshinte edhe Italinë, të ardhurat nga emigracioni do të prekeshin edhe më, duke përshkallëzuar goditjen që ka marrë sakaq ekonomia e vendit.

Sipas një studimi të posaçëm për emigracionin nga Instituti Agenda, rreth 60 për qind e të intervistuarve i konsumojnë të gjitha paratë që u vijnë nga emigracioni, dhe gati 40 për qind e të anketuarve i kanë këto të ardhura, jetike ose shumë të rëndësishme. Këtyre të dhënave u shtohet fakti se gati 80 për qind të kategorisë që i harxhon të gjitha këto të ardhura dhe i konsiderojnë jetike ose shumë të rëndësishme, kanë në total, të ardhura mujore jo më shumë se 30 mijë lekë për familje, ose vetëm 274 lekë në ditë për frymë. Kjo e dhënë tregon se bëhet fjalë për familje në kushte shumë të vështira ekonomike, dhe për të cilat, rënia e të ardhurave nga emigracioni përbën një realitet shumë të hidhur.

Por, rënia e remitancave nuk varfëron vetëm familjet që përfitojnë direkt nga to, por edhe krejt ekonominë shqiptare. Kjo sepse, tkurrja e të ardhurave nga emigracioni për këto familje, të cilat përbëjnë rreth 60 për qind të numrit total të familjeve në vend, ndikon në tërësi, në rënien e konsumit në vend. Për ta faktuar këtë dukuri të zymtë, mjafton të përmendet një vlerësim i Bankës Botërore, sipas të cilit, në rastin e Shqipërisë, “një ulje me 10 për qind të dërgesave nga emigrantët, sjell një ulje prej 3.6 për qind të kërkesës së brendshme”, çka do të thotë, rënie e fuqisë blerëse në tregun vendas.

Gjatë 2010-s, dërgesat e emigrantëve shënuan pikën më të ulët të shtatë viteve të fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2010, dërgesat e emigrantëve u tkurrën në 696 milionë euro, ose 11 për qind më pak se sa një vit më parë. Kjo rënie është edhe më e madhe edhe se në vitin 2009, kohë e pikut të krizës ekonomike botërore.
Nga ana tjetër, punët në Eurozonë shkojnë vërtet keq. Nga diskutimi i një viti më parë për nxjerrjen nga vështirësia të vendeve me probleme të rënda borxhi, sot Europa ka lëvizur në territorin e “risktrukturimit”. Nëse ky ritëm kronologjik vazhdon të ruhet, termi i ardhshëm do të ishte skenari i tmerrshëm i pamundësisë për të paguar, i njohur në terma banalë edhe si kapitullim. Kështu, sipas një sërë analistësh, diku nga vera e këtij viti, nuk përjashtohet mundësia e kapitullimit të më shumë se një vendi (barrikada e fundit është ngritur në Madrid), çka me fjalë të tjera, nënkupton edhe mundësinë apokaliptike të fundosjes së Euros në një periudhë të papërcaktuar.

Në fakt, kjo është çka shumica as që duan ta çojnë nëpër mend. Kjo, sepse një gjëmë e tillë, përveçse do të kolapsonte ekonomitë europiane dhe ato të vendeve satelite, do të sillte edhe një goditje fatale në tregjet financiare dhe në bursat botërore në tërësi. Dhe në një ekonomi globale me tregje financiare të integruara, dollari amerikan dhe valuta të tjera relevante, do të kalonin nëpër etapa shumë të errëta.

Përveç problemit të remitancave, kjo prirje nxjerr probleme edhe më të mëdha për Shqipërinë. Ekonomia shqiptare konsiderohet një “ekonomi e eurizuar”, duke qenë se pjesa më e rëndësishme e transaksioneve financiare, janë në euro. Kjo do të thotë se një tronditje e njëmendtë e kësaj valute do shkaktonte një uragan të vërtetë në financat shqiptare. Ekzistojnë një sërë organizatash, të ardhurat e të cilave janë, në mos ekskluzivisht, kryesisht në euro. Firma që merren me tregti në Europë apo rajon, universitete private, OJF e të tjera.

Si rrjedhojë, dinamikat që kanë të bëjnë me një goditje të vërtetë të euros, paraqiten tejet të rrezikshme për Shqipërinë – madje dhe më shumë se vetë makthi i të ardhurave në rënie nga emigracioni.

Morali i këtyre zhvillimeve është se në një kohë shumë të zymtë për ekonominë, dhe duke pasur disa mundësi, të paktën për të kufizuar dëmet,qeveria shqiptare po bën të kundërtën duke shkuar drejt pikës së moskthimit.