e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Islami: Kursi i ri i Rames, per t'u pare

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Islami: Kursi i ri i Rames, per t'u pare
Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, tha se mbështet kthesën e zotit Rama për një distancim të mundshëm nga radikalët në PS. “Rama duhet përshëndetur për pendesën e tij e cila do të ishte pendesë e vërtetë dhe jo ajo për mënyrën e zgjedhjes së presidentit, por për të hequr dorë nga organizimi i protestave dhe për të realizuar një qasje paqesore në veprimet politike në PS”, tha zoti Islami.

Zoti Islami theksoi se “ Rama bën mirë që shpreh minimalisht keqardhje për të gjithë ata që mendojnë ndryshe dhe duhet të distancohet realisht me veprime të sinqerta nga ata që sot janë kundër qasjes paqësore”, raportoi e përditshmja Panorama.

“Mbeten për t'u monitoruar veprimet në vijim, por sidoqoftë, në këtë moment, kjo “kthesë”, qoftë edhe në retorikë, duhet vlerësuar, përshëndetur dhe vlerësuar”, tha zoti Islami.

Zoti Islami vlerësoi dhe raportin e OSBE/ODIHR-it si realist, të balancuar dhe frymëzues për reformat zgjedhore dhe theksoi se “duhet pranuar se maxhoranca u tregua më serioze duke reaguar dhe marrë angazhime, menjëherë pas publikimit të raportit, përmes kryeministrit, kurse opozita reagoi me vonesë dhe me një stil e “protokoll” të papërshtatshëm”.