Dorezohet raporti per dhunen ne Serbi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Drejtori për Rajonin në MPJ, Bashkim Rama, ka informuar komisionin përgjegjës në Kuvend me gjithë kronologjinë e ngjarjeve, duke filluar që nga bllokimi i 145 shtetasve shqiptarë në Aeroportin e Beogradit e deri te largimi i lojtarëve të skuadrës kombëtare shqiptare drejt Shqipërisë
Ministria e Jashtme dorëzoi mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura raportin e kërkuar nga Komisioni i Punëve të Jashtme në lidhje me situatën e ndodhur më 14 tetor në Beograd gjatë dhe pas ndeshjes së dy skuadrave kombëtare në futboll, nga e cila më pas erdhi dhe një tensionim diplomatik në gjuhën e përdorur ndaj shqiptarëve nga ana e palës serbe. Mësohet se raporti, i cili mbetet konfidencial mes Ministrisë së Jashtme dhe komisionit përgjegjës në Kuvend, pritet t’u shërbejë deputetëve për një informim më të qartë dhe zyrtar nga ministria. Mësohet se raporti prej disa faqesh përfshin të gjithë kronologjinë e ngjarjes së ndodhur më datë 14 tetor pas dhunës së ushtruar ndaj lojtarëve të skuadrës sonë kombëtare me ndeshjen në Serbi. Drejtori për Rajonin në MPJ, Bashkim Rama, ka informuar komisionin përgjegjës në Kuvend me gjithë kronologjinë e ngjarjeve, duke filluar që nga bllokimi 145 shtetasve shqiptarë në Aeroportin e Beogradit e deri te largimi i lojtarëve të skuadrës kombëtare shqiptare drejt Shqipërisë. Në mënyrë të detajuar, ajo që është nënvizuar në këtë raport është pikërisht neglizhenca e palës serbe për të komunikuar me palën shqiptare për rrezikshmërinë e jetës së lojtarëve dhe atyre pak gazetarëve që ndodheshin në stadium pas momentit të shpërthimit të dhunës dhe thirrjeve raciste kundër shqiptarëve. Mosgatishmëria e ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiç, për të komunikuar me homologun shqiptar në lidhje me gjithë ngjarjen e ndodhur dhe reagimet e qëndrimet e zyrtarëve të lartë serbjanë një pjesë tjetër e raportit të dorëzuar në Kuvend. Në mënyrë të njëpasnjëshme, në raport janë shënuar edhe hapat që ka marrë pala shqiptare në lidhje me situatën pas ndeshjes, në mënyrë të tillë që të mos ketë një tensionim në gjuhën e përdorur dhe qëndrimet mbajtura nga zyrtarë nga të dyja vendet, duke kërkuar lënien mënjanë të futbollit nga çështjet e politikës. Përveç kësaj, raporti i referuar para katër anëtarëvetë Komisionit të Jashtëm, Arta Dades, Gramoz Ruçit, Valentina Leskajt, si dhe Ben Blushit, përfshinte edhe përpjekjet e ambasadës shqiptare në Serbi, e cila, nën një trysni psikologjike, nuk arriti që të merrte gatishmërinë nga pala serbe për të komunikuar pas gjithë asaj çka ndodhi në stadium.
Kosova
Në kuadër të ngjarjeve pas 14 tetorit, drejtori për rajonin në MPJ, informoi komisionin lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, duke u ndalur edhe në incidentin e ndodhur dy ditë më parë, ku pretendohet nga serbët se dy shqiptarë kanë sulmuar një dyqan të një shtetasi serb. “Sipas informacionit që kemi nga Policia e Kosovës, dy persona të panjohur kanë kaluar pranë një klubi në pronësi të një qytetari serb dhe kanë hedhur shishe me lëndë djegëse. Këta persona nuk janë evidentuar ende, por dyshohet se mund të jenë shtetas shqiptarë. Mendohet se janë reagime lidhur me ngjarjet e 14 tetorit”, tha Rama. Ndër të tjera, drejtori për rajonin në MPJ bëri dhe një ekspoze të çështjeve politike në Kosovë, ku vuri theksin se Kosova ka nevojë për një qeveri gjithëpërfshirëse, jo qeveri me ndasi. Në lidhje me këtë, ai ftoi që një grup deputetësh të vizitojnë Kosovën për të parë më nga afër situatën aktuale mes dy vendeve. Më herët, në Komisionin e Jashtëm raportoi edhe koordinatori kombëtar për nismën dhe bashkëpunimin e Europës Juglindore, Gjergji Mura, në kuadër të marrjes së kryesisë së SEECP-it nga ana e Shqipërisë. “Do të zhvillohen 40 aktivitete, 13 prej tyre me krerë shtetesh, takime të kryetarëve të parlamenteve, tri takime të ministrave të Jashtëm. Gjithashtu dhe Kuvendi i Shqipërisë, shoqëria civile, biznesi, bota akademike, do të zhvillojnë disa aktivitete për të shtrirë këtë bashkëpunim në të gjitha fushat”, tha Mura, duke prezantuar përgjegjësitë që merr vendi ynë nga kjo nismë.