e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Dorehiqet Rosell: Kam marre kercenime

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dorehiqet Rosell: Kam marre kercenime

Sandro Rosell ka dhënë dorëheqjen si president i Barcelonës. Pas disa javësh të mbushura me akuza në drejtimin e tij, sidomos për kontratat e padeklaruara më parë të Nejmarit, 49-vjeçari vendosi që të largohet nga posti më i lartë drejtues i klubit katalanas, pas tri vitesh e gjysmë. Ai i ka paraqitur dorëheqjen bordit drejtues, i cili pas një mbledhjeje disa orëshe vendosi ta pranojë dhe të emërojë Josep Bartomeun, i cili deri tani ka mbuluar postin e zëvendëspresidentit sportiv. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, por Bartomeu do zëvendësojë Rosellin deri në 2016-ën.
Sandro Rosell Në deklaratën e tij para medias, ai tha: “Kemi kaluar një periudhë shumë të suksesshme së bashku. Jam krenar të numëroj triumfet e rëndësishme që kemi arritur, emocionet e forta që kemi përjetuar dhe spektaklin që kemi dhuruar.

Gjithsesi, ne jemi sulmuar gjithmonë, sepse jemi barcelonistë. Kjo ka qenë një sfidë e vështirë, por ia kemi dalë mbanë të fitojmë në çdo fushë dhe të kalojmë çdo pengesë që na është vënë. Unë kam sakrifikuar shumë gjatë kohës sime si president, pasi kam marrë kërcënime dhe akuza të shumta, që kanë prekur edhe familjen. Kam shqetësuar njerëzit e mi më të dashur. Kohët e fundit ka pasur një tjetër fushatë të fuqishme kundër meje, por me akuza të pabaza. E kam thënë që në fillim që kontrata e Nejmarit është korrekte. Gjithsesi, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga posti i presidentit të Barcelonës për të mirën e familjes sime”, – u shpreh Sandro Rosell.


Josep Bartomeu “Ka qenë një nder që kam punuar me Rosellin, por mesazhi im i parë është: do të vazhdojmë punën e nisur dhe të madhe që është bërë. Kërkoj mbështetjen e të gjithë ortakëve që ta na mbështesin projektin tonë, i cili aspiron mbi të ardhmen”, – deklaroi presidenti i ri i katalanasve. Ai njihet për dy episode në të shkuarën, që nuk mbajti fjalën për rinovimin e kontratës së Abidalit dhe që në disa raste nuk i ka kursyer sulmet drejt Realit të Madridit.


Ja kush është presidenti i ri i katalanasve


Josep Maria Bartomeu ka lindur në Barcelonë më 6 shkurt të vitit 1963. Ai është anëtar i klubit katalanas që kur ishte fëmijë, ndërkohë që është një prej njerëzve më të besuar të Sandro Rosellit. Ai ka qenë pjesë e bordit drejtues nga viti 2003, deri në 2005-ën, por u largua pas konflikteve me Joan Laportën. Me fitimin e Rosellit si president në 2010-ën, u bë zëvendëspresident i klubit për çështjet sportive, duke u marrë me transferimet, kontratat dhe rrogat e lojtarëve, në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin sportiv, Andoni Zubizarreta. Ai është i martuar dhe me dy djem. Bartomeu është shumë i suksesshëm edhe në fushën e biznesit, pasi ka aksione dhe është pjesë e bordit në dy kompani prestigjioze inxhinierie, elitare në botë për ndërtimin e porteve dhe aeroporteve.
2.5 mln euro që të luajë ku do trajneri


Një kontratë e rrallë në botën e futbollit është firmosur nga klubi i Barcelonës me talentin brazilian Nejmar. E përditshmja spanjolle “El peridocio” ka zbuluar se mes palëve është arritur një marrëveshje për shifrën e plot 2.5 milionë eurove, që lojtari të luajë kudo që i kërkon trajneri, pa krijuar polemika. Edhe pse është e logjikshme që një futbollist të zbatojë urdhrat e trajnerit, te Barcelona kjo gjë bëhet vetëm pasi paguhet një shifër e madhe parash.


Ja premiot “luksoze” për yllin brazilian


Në vitin e tij të parë te Barcelona, Nejmar do të përfitojë si rrogë plot 17.68 milionë euro, prej të cilave 8.5 milionë i ka marrë menjëherë në momentin e firmosjes. Në fakt, kontrata e tij ka klauzola me premio tepër të majme.


- 637.5 mijë euro nëse Barcelona kualifikohet në Champions.
- 425 mijë euro nëse kalon fazën në grupe.
- 850 mijë euro nëse triumfon në Europë.
- 637.5 mijë euro nëse dalin kampionë në Spanjë dhe fitojnë Kupën e Mbretit.
- 850 mijë euro nëse fitojnë Champions-in dhe Kupën e Mbretit së bashku.
- 425 mijë euro nëse fiton “Topin e Artë”.
Kontratat e firmosura për transferimin
- 40 milionë euro shoqërisë N&N, që zotëronte një pjesë të kartonit të lojtarit. Pagesa u krye nëpërmjet babait dhe menaxherit Vanjer Ribeiro
- 17 milionë euro për klubin e Santosit
- 7.9 milionë euro pagesë për Santosin, për të pasur të drejtën e parablerjes për tri talente të akademisë së klubit brazilian
- 9 milionë euro për Santosin, për dy miqësore me Barcelonën, të vlefshme për trofeun “Gamper”
- 8.5 milionë euro janë një seri kontratash, të cilësuara si komisione për babanë e Nejmarit. Mes tyre, 4 milionë euro që të punojë për të sjellë sponsorë brazilianë për lojtarin, apo 2.5 milionë euro që të ndihmojë zonat e varfra në Brazil, për të përmirësuar imazhin e Nejmarit
- 2.6 milionë euro për babanë e Nejmarit, si komision prej 2.6% të rrogës që do përfitojë futbollisti te Barcelona përgjatë viteve të firmosur në kontratë
- 10 milionë euro për blerjen e parë që do kryhet te Santosi