Dita: Me Partizanin si finale, por duhet të jemi cinikë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bruno Dita e cilëson si një finale ndeshjen me Partizanin.
Mesfushori beson te pikët, ndërsa nuk heziton që të zbardhë edhe "recetën" për të mposhtur të kuqtë.
Sipas tij, Teuta duhet të tregohet cinike dhe të shmangin gabimet. Gjatë deklaratës së dhënë për gazetën, tiranasi shfaq bindjen se durrsakët nuk do të dalin duarbosh nga kjo sfidë.
"Po vijojmë stërvitjen me ngarkesë, pasi e dimë që në prag kemi një ndeshje realisht të fortë. Mund të them se ky do të jetë 90- minutëshi më i vështirë i kësaj faze, ndaj mund ta quaj si finale. Përballë do të kemi një kundërshtar që ka forcë dhe karakter, gjë që e tregoi më së miri në ndeshjen e fundit kundër Skënderbeut.
Shfaqi epërsi në të gjitha aspektet. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe sa më të saktë në të gjitha repartet. Mbi të gjitha nuk duhet të gabojmë, pasi me kundërshtarë të tillë gabimi më i vogël të ndëshkon. Ajo çfarë duhet të bëjmë, është që të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që na jepen dhe s'duhet të tolerojmë.
Ne kemi treguar që dimë të luajmë futboll të bukur, por edhe dimë të marrim rezultate në fusha dhe me rivalë të fortë. Prandaj, edhe këtë fundjavë ne do të futemi në fushë me synime të qarta, do të jemi cinikë për të marrë pikë", ka thënë mesfushori i Teutës për "Panorama Sport".
Këshillat e Maganit
Ndeshja kundër Partizanit është në prag, ndaj në kampin durrsak kanë "përveshur mëngët" dhe po stërviten me ritëm të lartë. Gugash Magani po i jep prioritet të ndjeshëm qarkullimit të topit dhe pasimeve, ndërsa ka kërkuar nga mesfusha dhe sulmi koordinim të plotë gjatë lojës.
Po ashtu pret nga të tijtë që të mos humbasin topin kur skuadra është në zbritje e sipër, ndërsa nga mbrojtja pret sa më shumë kujdes. Kanë qenë këto këshillat e shumta të stafit teknik gjatë seancës së djeshme, çka dëshmon qartazi edhe ambicien e Teutës për të marrë pikë ndaj këtij kundërshtari.
Përgatiti: Jeton Rexhmati