Dimo shpëton Apoloninë, Dinamo proteston
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Apolonia kalon me sukses transfertën e radhës. Fierakët kanë fituar dje në Pezë ndaj Dinamos me golin e kapitenit Amarildo Dimo në të 16-ën. Me këtë 3-pikësh, skuadra e Artan Mërgjyshit ruan ritmin me Luftëtarin e vendit të parë ku diferenca mes tyre është vetëm dy pikë.
Nga ana tjetër, Dinamo humbet pozicione dhe i afrohet zonës së ftohtë. Shpeshherë në disa raste ka pasur edhe irritim të tifozerisë dinamovite ndaj gjykimit, madje edhe administratori Ismet Saliaj ka debatuar me delegatin e ndeshjes lidhur me gjykimin.
Ndeshja - Në minutën e 8- të vjen dhe rasti i parë për dinamovitët. Është një krosim i Rexhepit, por gardiani fierak Endrit Çako pret në pozicion. Në të 16-ën është Dimo që ka shënuar një supergol. Krosimi i Rajkoviç në zonë dhe kapiteni bën një gjysmëroveshatë dhe topi merr një trajektore në formë harkimi dhe pushon në rrjetë.
Në të 33-ën është Elmazi që kroson dhe Turdiu me kokë ka "qethur" shtyllën pingule. Fraksioni i dytë flet më shumë për dinamovitët që vihen në kërkim të golit. Janë disa raste që humben nga blutë, në një kohë që ka edhe tension e nervozizëm lidhur me gjykimin.
Ka pasur pretendime për pozicione jashtë loje dhe për një 11-metërsh në minutën e 85-të. Kulmi arrin në të 81-ën, pasi 4-5 tifozë fierakë ofendojnë Peqinin dhe Tragaj të Dinamos që ia kthejnë me të njëjtën monedhë dhe afrohen pranë hekurave rrethues të fushës.
Ndërhyjnë forcat e sigurisë që shmangin një konfrontim fizik. Në minutën e 4- t shtesë, Dinamo është e pafat, pasi goditja e Erxhan Muçës përplaset në shtyllë.