e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Dialogu ne gjyq: Ilia Basho, zbulohen SMS-te para vrasjes

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Dialogu ne gjyq: Ilia Basho, zbulohen SMS-te para vrasjes
Prokuroria: Vrasjen e organizoi Ilia Basho, ishte dëshirë e tij.
Zbardhet debati në Gjykatën e Apelit, avokati: Ilia, i dashuruar “deri në dobësi” me Shehajn.

Gjykata e Apelit la të pandryshuar dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilia Bashon, të akuzuarin si organizatorin e vrasjes së bashkëshortes së tij Eleni Basho më 2 shkurt në Shkozë të kryeqytetit. Një treshe gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Edmond Gogo nuk u bind nga argumentet e avokatit mbrojtës të Bashos, sipas të cilit Prokuroria nuk zotëronte prova që përfshinin klientin e tij në vrasje. Para trupit gjykues, avokati konfirmoi lidhjen jashtëmartesore të klientit të tij me shtetasen Yllka Shehaj. Sipas avokatit, klienti i tij e “dashuronte marrëzisht, deri në dobësi njerëzore, shtetasen Yllka Shehaj”. Avokati u shpreh se interpretimet në lidhje me komunikimet mes klientit të tij dhe Yllka Shehajt, referuar eliminimit fizik të Eleni Bashos, ishin fantazi e prokurorisë. Nga ana e tij, prokurori Dritan Peka kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, duke pohuar se referuar provave që zotërohen, i dyshuari Basho është i përfshirë në vrasjen e bashkëshortes së tij. Në vijim paraqiten argumentet e avokatit Lazer Sokoli, mbrojtësit ligjor të personit nën hetim, Ilia Basho.

Avokati

Cilat janë rrethanat e ngjarjes të prezantuar nga përfaqësuesit e organit të akuzës. Në dt.21.02.2012, në orën 22:30, është kryer ndalimi i shtetasit Ilia Thanas Basho, pasi pretendohet të jetë autor i kryerjes së veprës penale të “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Rrethanat e ngjarjes së ndodhur janë përshkruar si të tilla që: “Më dt.02.02.2012, rreth orës 18:00 në Tiranë, e pikërisht në Shkozë  ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjes me armë zjarri shtetasja Eleni Basho, bashkëshorte e të arrestuarit”. Ka qenë pikërisht ky fakt dhe dyshimi se i shoqi i saj, Ilia Basho, është bashkëpunëtor në kryerjen e kësaj vepre penale, që ka shtyrë prokurorin për nxjerrjen e urdhrit të ndalimit për këtë shtetas.

Përpara Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë për këtë shkak janë dërguar nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dy kërkesa e konkretisht; Kërkesa e parë për vleftësimin e urdhrit të ndalimit dhënë ndaj shtetasit Ilia Basho. Kërkesa e dytë: Për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në “burg pa afat” për të ndaluarin Ilia Basho. Çfarë vendosi Gjykata lidhur me këto dy kërkesa: Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë në përfundim të atij gjykimi, me vendimin e vet nr.215, dt.24.02.2012, ka vendosur të vleftësojë si të ligjshëm urdhrin e ndalimit të nxjerrë për shtetasin Ilia Basho dhe njëkohësisht ka pranuar kërkesën tjetër për të caktuar si masë sigurimi ndaj tij atë të “arrestit në burg” pa afat.

Përse e apelojmë këtë vendim të dhënë më dt.24.02.2012? E apelojmë këtë vendim, pasi jemi kundër dy vendimeve të marra dhe të dy arsyetimeve të dhëna në të, si për ligjshmërinë e ndalimit, ashtu edhe për caktimin e masës së sigurimit. Së pari, lidhur me deklarimin si të ligjshëm të ndalimit, për mbrojtjen dhe të ndaluarin ai vendim është marrë në kundërshtim me ligjin procedural penal. Përse u urdhërua ndalimi nga ana e prokurorit i këtij shtetasi në orën 22:30 të datës 21.02.2012, afërsisht 20 ditë pas ngjarjes së ndodhur, ku si pasojë e goditjeve me arme zjarri gjeti vdekjen Eleni Basho? Prokurori nuk jep asnjë provë për të ligjëruar pranimin e saj, por përkundrazi e kërkon ligjërimin e këtij urdhërimi në dyshimet e bazuara për autorësinë e kryerjes së krimit, argumentim pa lidhje për kryerjen e ndalimit.

Nuk i tregoi asaj gjykate se ku konsiston rreziku i ikjes, i cili parashikohet si kusht i domosdoshëm dhe i vetëm për lëshimin e urdhrit të ndalimit nga prokurori. Si u pranua nga gjykata kjo kërkesë, kur ajo nuk ishte e bazuar as në prova dhe as në ligj?

Si ia provoi akuza asaj gjykate këtë fakt, ndërkohë që në dijeninë tonë shtetasi Ilia Basho nuk ka tentuar të largohet? Përfaqësuesi i akuzës në parashtrimet e veta nuk tregoi asnjë të dhënë se ku e mbështet rrezikun e ikjes. Ai nuk tregoi ndonjë veprim të të dyshuarit, qoftë edhe një të vetëm, nga ato që mund të paramendonin rrezikun e ikjes si p.sh.: se ai kish tërhequr shuma lekësh nga bankat apo persona private; ai po interesohej për vizë; ai u kap në ndonjë pikë të kalimit kufitar duke tentuar ikjen; ai po porosiste bileta avioni apo trageti etj. si këto, që ta bindte gjykatën se ai vërtet po kërkonte të largohej. Pikërisht se u pranua nga gjykata si i ligjshëm në kundërshtim me ligjin, kërkojmë nga Gjykata e Apelit Tiranë deklarimin e paligjshëm të këtij ndalimi dhe urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të Ilia Bashos.

“ARRESTI ME BURG”

Lidhur me kërkesën për caktimin e masës së sigurimit personal dhe të pranuar nga ajo gjykatë, duam t‘ju bëjmë me dije se: Prokurori pretendon se “ekziston dyshimi i bazuar në prova” se personi nën hetim mund të ketë kryer veprën penale të “vrasjes me paramendim” dhe kërkon caktimin e masës së sigurimit, duke i parashtruar gjykatës deklarimet e disa shtetasve dhe përmbajtjen e një mesazhi. Gjykata në vendimin e saj nr.215 të dt.24.02.2012, kur arsyeton ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm, relaton ekzaktësisht se “dyshimi i arsyeshëm krijohet nga shqyrtimi i materialit procedues, si procesverbali i ndalimit,… i këqyrjes së vendit të ngjarjes,…për marrjen e të dhënave nga personat që kanë dijeni për ngjarjen,… dhe urdhri për regjistrimin e emrit të personit të cilit i atribuohet vepra penale”. Mbrojtja, pa pretenduar të zgjidhë në këtë fazë të hetimit çështjen e themelit por edhe pa lënë mënjane provat e servirura, vlerëson se nuk ekziston ky dyshim, aq më pak i bazuar në prova dhe se nuk ka vend për caktim mase sigurimi. Është e tepërt të themi se në serinë e materialeve të servirura më lart në vendim, disa prej tyre janë thjesht procedurale, pa kurrfarë vlere provuese me fuqinë e provës. P.sh. urdhri për regjistrim të emrit nuk është provë, po kështu mund të themi për procesverbalin e ndalimit të shtetasit, i cili është veprim i njëanshëm e për të cilin është kërkuar paligjshmëria e tij. Këqyrja e vendit të ngjarjes nuk tregon asgjë që ta lidhë autorësinë e krimit me të ndaluarin Ilia Basho.

Dëshmitë

Me deklarimet e shtetases Mirela Zharkalli, motra e viktimës Eleni, provohet se marrëdhëniet bashkëshortore midis personit nën hetim Ilia Basho dhe të ndjerës Eleni Basho kanë qenë të mira, por së fundmi ishin tronditur. Me deklarimet e shtetasit Vasil Dodi, babai i viktimës, provohet se marrëdhëniet bashkëshortore midis personit nën hetim Ilia Basho dhe të ndjerës Eleni Basho ishin si të çdo çifti tjetër dhe se ai ka rënë në dijeni se kishin filluar pakënaqësi lindur nga xhelozia. Me deklarimet e shtetases Yllka Shehaj rezulton se mes saj dhe të arrestuarit ka pasur një lidhje imtime. Kjo lidhje madje është deklaruar si e mbyllur nga ana e deklarueses, pasi ajo kish disa muaj në një lidhje tjetër me tjetër person. Ajo ka deklaruar se marrëdhëniet bashkëshortore të çiftit Basho ishin tronditur thellësisht dhe personi nën hetim i kishte premtuar asaj zgjidhjen e martesës me Elenin, për t’u lidhur më pas me të. Kjo shtetase është pyetur pa u shpjeguar se përse, tri herë, dhe të tri herët ka deklaruar fakte kontradiktore. Thëniet mbi të cilat është mbështetur kërkesa e prokurorit për caktim mase për këtë shtetas, janë dhënë prej saj në herën e tretë, që është pyetur në dt.21.02.2012. Nisur nga fakti i ripyetjes së saj pa shkak, lidhur nga pyetja e saj në ambientet e Komisariatit të policisë dhe po ashtu në një orë jo normale, pasi ai procesverbal është mbajtur në orën 03:30 të pasmesnatës, përmbajtja e tij më së paku vihet në dyshim. Deklarimin e kësaj shtetaseje se “e kishte porositur Ilia që takimet me Elenin (takimet për shkak të punës) t’i bënte pasdite” (edhe pse nuk dihet nëse është e vërtetë), prokurori e interpreton me fantazinë se ishte dhënë kjo porosi, në mënyrë që Eleni të kthehej vonë në shtëpi për të realizuar vrasjen. Ky interpretim është naiv, por mbi të gjitha është vetëm një interpretim. Në këtë rast, interpretimi ynë për atë që ka ndodhur është më i thjeshtë: Edhe po të ishte e vërtetë sa më sipër, Ilia Basho, i cili ka rënë në dashuri me shtetasen Yllka, porosit të dashurën që takimet e punës me gruan t’i bëjë pasdite, se paradite qe ishte vetë në punë, të ish i lirë dhe të mos e kish gruan nëpër këmbë.

MESAZHET

Pavarësisht se në vendim nuk është përmendur, ka ekzistuar në kërkesën për gjykim edhe një mesazh telefonik i servirur gjithashtu si provë, që bën dyshimin e arsyeshëm të mbështetur në prova. Çfarë është vërtetuar nga mesazhi telefonik? Nuk e dimë se çfarë interpretimesh nxjerr prokurori te përmbajtja e mesazhit të nënvizuar prej tij. Ku e sheh ai në atë mesazh nxitjen dhe organizimin për vrasje, në një kohë kur ai në mesazh i thotë të dashurës se unë “o të marr o do vdes, prandaj kujdesu për fëmijët e mi, po s’u bë kjo që dua unë”. Dhe kjo përmbajtje ka një shpjegim të thjeshtë: personi nën hetim, Ilia Basho, në gjendjen e tronditjes së fortë të martesës së tij dhe në një moment depresiv edhe për shkak të konsumimit të alkoolit, i thotë të dashurës së “nëse nuk realizon martesën e tij me të, ai do të vdesë, i kërkon të ndihmojë fëmijët e tij për të cilët ai është një baba i shqetësuar dhe i tregon për disa lekë të fshehura në ambientet e shtëpisë së tij”. Çfarë ka këtu për të fantazuar se ai po përgatitej që të vriste gruan e tij???? Vetë deklaruesja Yllka Shehaj ka treguar se këtë fakt i arrestuari ia ka thënë asaj një ditë edhe me gojë këtë gjë, duke shpjeguar se viktima e ka kanosur të arrestuarin Ilia, se do ta helmojë nëse i merr vesh ndonjë lidhje jashtë martese. A nuk është ky një shkak, që vërteton se mesazhet janë thjesht ngacmime të dashuruarish, pa lidhje me atë që do të ndodhte muaj më vonë?

“POROSIA”

Një tjetër deklarim i trajtuar si provë e fortë për akuzën është ai i bërë nga shtetasi Jonuz M., që ka qenë mik dhe financier i jashtëm i firmës së viktimës. Çfarë është vërtetuar nga deklarimet e financierit? Në deklarimet e shtetasit Jonuz M. rezulton se ai, si punonjës i firmës, ka pasur dijeni se marrëdhëniet bashkëshortore të Ilias ishin tronditur dhe se Ilia pas ndodhjes së vrasjes i kishte kërkuar atij që të takonte shtetasen Yllka dhe t’i thoshte që për dy-tre muaj të mos e takonte dhe të mos e merrte në telefon. Çfarë ka parë prokurori në këtë sjellje? Ku është anormaliteti, që mbi bazën e kësaj sjelljeje të dyshosh se i arrestuari ka organizuar vrasjen!!!

Përkundrazi, ky është një veprim normal, shtetasit Ilia i kishin vrarë gruan. Ai tani duhet të merrej me hallin që e kishte zënë, pasi në rrethet familjare të tij dhe të gruas së tij do të përgojohej edhe lidhja që kishte pasur dhe, që për vetë traditën dhe fisnikërinë e të dyja familjeve, lidhja jashtëmartesore ishte diçka shumë e rëndë dhe ishte normale që i arrestuari Ilia të porosiste të dashurën që për njëfarë kohe të mos e takonte apo komunikonte me të. Vetëm përfaqësuesi i akuzës e ka deshifruar kështu këtë thënie, pasi vetë shtetasja Yllka, së cilës i ishte drejtuar porosia, e ka kuptuar ndryshe këtë kërkesë. Ajo i ka thënë deklaruesit se, po qe se ai s’do më t’i flasë, as ajo s’e ka problem.
Cili ishte konkluzioni i nxjerrë nga përfaqësuesi i akuzës për sa më sipër dhe pasojat që ai sjell? Në përfundim të këtyre “provave” të parashtruara, përfaqësuesi i prokurorisë, pa dhënë asnjë lidhje logjike apo juridike se përse ka konkluduar kështu, ka dalë në konkluzionin se: “Pikërisht për shkak të kontradiktave ndërmjet tyre si bashkëshortë, si dhe për shkak të krijimit të lidhjes së re intime ndërmjet shtetasit Ilia Basho dhe shtetases Yllka Shehaj, shtetasi Ilia Basho ka luajtur rolin e nxitësit dhe organizuesit të vrasjes se shtetases Eleni Basho”.

Konkluzion i lehtë. Me këtë praktikë që na ka parashtruar përfaqësuesi i Prokurorisë, tashmë janë të zgjidhura të gjitha rastet e vrasjeve, kur rezulton se martesa e viktimës ka qenë në krizë. Kjo është paradoksale. Sikur t’u ndodhte të gjitha grave (larg qoftë) që u tronditej martesa meqë burrat e tyre kanë krijuar lidhje intime, autorët pa diskutim duhej të ishin burrat e tyre, d.m.th burrat do të kishin “luajtur rolin e nxitësit dhe organizuesit të vrasjeve”, siç ka konkluduar prokurori në këtë rast!!! – Konkluzione te tilla janë në mënyre paradoksale jashtë çdo rregullimi ligjor në sistemin tonë penal, janë të diktuara nga fantazitë mediatike dhe në shkelje të rëndë të të drejtave themelore të shtetasve e, në këtë rast, të shtetasit Ilia Basho dhe familjes së tij.

E PROVUAR

Çfarë është vërtetuar realisht me provat e paraqitura? Në rastin konkret, është shumë e qarte se për gjithçka dhe në të gjitha rrethanat e parashtruara nga përfaqësuesi i Prokurorisë në kërkesën për vleftësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit, përmbahet vetëm “dyshimi i bazuar në prova”; Se shtetasi Ilia Basho ka kryer tradhti bashkëshortore; se ka qenë i martuar me dy fëmijë; se nuk e dashuronte më gruan e tij;

se kishte krijuar një lidhje intime; se dashuronte marrëzisht, deri në dobësi njerëzore, shtetasen Yllka Shehaj; se i kishte dhënë fjalën të dashurës që do të divorcohej me gruan për t’u martuar me të; se për këto rrethana kishin dijeni bashkëpunëtorët kryesore në punën e tij dhe të gruas së tij, si dhe motra e vëllai i së ndjerës. Të gjitha këto veprime nuk përbëjnë ndonjë vepër penale dhe mbi bazën e këtyre rrethanave nuk mund të ngresh akuzën e “vrasjes me paramendim”. Nuk mund t’i ngarkosh bashkëshortit, që i kanë vrarë gruan, rolin e nxitësit e të organizatorit dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ndalosh e arrestosh njeri apo të kërkosh në Gjykate caktimin e një mase sigurimi.

PROKURORI

“Për sa u përket kritereve për ndalimin e personit, nga ana e Prokurorisë janë zbatuar kriteret ligjore të urdhrit të ndalimit.

Për sa u përket kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personal, në vlerësojmë se i plotësojmë të gjitha kushtet dhe kriteret. Kemi një dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova, që është pikërisht personi i dyshuar autor, organizator i vrasjes së shtetases Eleni Basho. Nga vetë rrethanat e ngjarjes, krijohet dyshimi se kemi të bëjmë me një vrasje të kryer me gjakftohtësi, pra nuk mund të dyshojmë se kemi të bëjmë me një vrasje në nxehje e sipër. Janë deklarimet e para të vetë të dyshuarit, të personit nën hetim të dhëna në fillim të hetimit, që u kanë krijuar dyshimin oficerëve, që kanë vazhduar hetimin e mëtejshëm. Janë të gjitha deklarimet e mëpasshme të shtetasve Yllka Shehaj, Jonuz Muço dhe të familjarëve të viktimës, që të krijojnë këtë dyshim të arsyeshëm që ka qenë dëshirë pikërisht e personit të dyshuar eliminimi fizik i shtetases Eleni Basho.

Nga  vetë përmbajtja e deklarimeve të shtetases Yllka Shehaj dhe vetë përmbajtja e komunikimeve telefonike nëpërmjet SMS-ve nëpërmjet personit të dyshuar me të ku thotë “nesër, ose në datë 2 do të zgjidhet kjo punë”. Unë nuk e di se cili është ai divorc në gjykatë, që mund të zgjidhet brenda ditës?! Janë të gjithë këto prova të lidhura në harmoni, që krijojnë dyshimin e arsyeshëm, të bazuar në prova, që personi është i implikuar në vrasjen me paramendim të shtetases Eleni Basho. Për sa u përket kushteve dhe kritereve për masën e sigurimit, kemi të bëjmë me një vepër me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Kemi gjithmonë rrezikun e dëmtimit të provave. Kemi një hetim kompleks dhe nuk mund të themi që ka qenë vetë i dyshuari, që i ka dalë viktimës me armë përpara dhe e ka vrarë në rrugë. Mund të ketë ikje përgjithmonë, pasi kemi të bëjmë me një dënim tepër të lartë. Sipas nesh, masa e caktuar nga Shkalla e Parë është tërësisht konform kushteve”, u shpreh prokurori para trupit gjykues.

SMS-te ne celular
SMS i Ilia Bashos për Yllka Shehajn, para vrasjes:

1. “Nesër, ose më datë 2 do të zgjidhet kjo punë”
2. “O të marr o do vdes, prandaj kujdesu për fëmijët e mi, po s’u bë kjo që dua unë”.

Pistat e avokatit per vrasjen

Duke këmbëngulur në deklarimet e Yllka Shehut, se ajo prej tre muajsh kishte lidhje me një mashkull tjetër, avokati i Bashos parashtroi dje tri pista të reja të ngjarjes. Sipas mbrojtësit, nëse deklarimi i Yllkës do të rezultonte i vërtetë, atëherë nuk qëndron edhe baza e dyshimit, lidhja dashurore e të arrestuarit me Yllkën ka çuar në vrasjen e Eleni Bashos. Avokati u shpreh se prokuroria duhet të kërkonte në disa pista të reja. E para, sipas avokatit, ishte ajo e një ngjarjeje në banesën e Ilia Bashos në muajin dhjetor. Një person ishte futur në mesnatë në banesën e Bashos, por ishte larguar pa marrë gjë, pasi ishte pikasur nga familjarët. Pista tjetër ishte ajo e 25 mijë eurove. Këto para, Ilia Basho pretendon se ia ka dhënë viktimës t’i derdhë në bankë, por që ende nuk dihet ku kanë përfunduar. Po sipas avokatit, gjatë vakisë është folur se kur viktima ka punuar në një firmë turistike, ka pasur një problem me një person, i cili është arrestuar pasi transportoi lëndë narkotike në autobusin e shoqërisë dhe që ka dalë nga burgu.

Gjykata, debat me avokatin
Trupi gjykues ballafaqon dëshmitë e ndryshme të dhëna nga Yllka Shehaj
Apeli e lë në burg, Ilia Basho: Dua të më kuptoni
   
Dëshmitë rreth marrëdhënies intime jashtëmartesore mes të dyshuarit Ilia Basho dhe Yllka Shehaj krijuan debat dje mes gjykatës dhe avokatit mbrojtës të të akuzuarit Ilia Basho, që u la në arrest me burg nga Apeli. Avokati po argumentonte deklaratën e Yllka Shehut, se Ilia Basho e kishte porositur që bashkëshorten e tij ta takonte pasditeve për çështje pune. Në këtë kohë, trupi gjykues, i përbërë me kryesues gjyqtarin Edmond Gogo dhe anëtarë gjyqtarët Artan Broci dhe Gjin Gjoni, kërkoi saktësimin e kohës kur deklaruesja kishte pranuar lidhjen intime.

Gjykata: E ka pranuar se e ka pasur të dashur?

Avokati: E ka pranuar.

Gjykata: Kur?

Avokati: Kur është pyetur në polici.

Gjykata: Yllka, më 6.02.2012 e ka pranuar.

Avokati: Normalisht, nuk e ka pranuar.

Gjykata: Në 21.02.12 e ka pranuar?

Avokati: Pikërisht, në orën 3:30. Akuza ka provuar se Ilia Basho kishte tradhtuar gruan dhe kishte lidhje jashtë martese. Këtë ai e ka deklaruar vetë në polici, e ka pranuar.
   
ILIA BASHO
   
“Do të doja shumë të më kuptonit. Ato çfarë tha avokati janë normalisht edhe fjalët e mia”. Me këto fjalë, Ilia Basho iu përgjigj pyetjes së trupës gjykuese nëse kishte gjë për të shtuar veç argumenteve të mbrojtësit të tij ligjor. Me të njëjtat rroba me të cilat u shfaq paraditen e 24 shkurtit në Gjykatën e Tiranës, Ilia Basho qëndroi dje i heshtur në kafazin e sallës së gjyqit në Apel. Ai nuk reagoi as pas shpalljes së vendimit që e la atë për të dytën herë radhazi në masën e sigurisë “arrest me burg”.