Dhuroi këpucë, Mesi tërbon egjiptianët
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shumë persona do të ishin të lumtur dhe do të realizonin një ëndërr në rast se Lionel Mesi do t'u dhuronte atletet e tij.
Diçka e tillë nuk ka ndodhur në Egjipt, sepse dhurimi i këpucëve ka një tjetër domethënie.
Të dhurosh këpucë në Egjipt është ofendim, por argjentinasi e bëri diçka të tillë duke mos pasur njohuritë e duhura për kulturën egjiptiane.
Ngjarja
Gjatë një interviste për një televizion egjiptian "MBC Masr", Leo Mesi i dhuroi prezantueses atletet e tij për qëllime bamirësie. Ai shpjegoi në intervistë se mund të përdoreshin në ankand dhe të ardhurat që do të përfitoheshin nga shitja e tyre të shkonin për njerëzit në nevojë.
Gjithçka shkoi shumë mirë në momentin e fillimit sepse prezantuesja e pranoi diçka të tillë, por më vonë të gjithë shpërthyen dhe u rebeluan kundër këtij gjesti që bëri ylli argjentinas.
Reagimi
I menjëhershëm ka qenë reagimi i një prezantuesi, i cili menjëherë në "Twitter" ka shkruar kundër futbollistit të Barcelonës.
"Këpucët e tua vlejnë më pak se një thua i një fëmije egjiptian. Mund t'i dhurosh në Izrael, sepse ne jemi një popull shumë krenar dhe 90 milionë personat që jetojnë këtu janë shumë të lumtur me këpucët që kanë veshur. Për ne është një ofendim shumë i madh", shkruan Said Hasasin.
Në rrjetet sociale reaguan të gjithë për këtë çështje, ndërsa një tjetër prezantues nxori këpucët e tij në TV për t'ia dhuruar Mesit.
"Nëse doje të na ofendoje, më mirë të na godisje me shkelma. Mund t'ia dhurosh ndonjë argjentinasi këpucët e tua, sepse aty janë shumë të varfër", tha zëdhënësi i federatës egjiptiane, Azmi Megahed.
Megjithatë, ka edhe nga ata që i dalin në mbrojtje Mesit.
Ish-futbollisti Mido thotë: "Për një lojtar këpucët janë një objekt shumë i shtrenjtë, ashtu siç është pena për poetët".
Mesi nuk ka reaguar ende për këtë çështje, ndërsa i "lumtur" do të jetë Ronaldo që gjatë këtyre ditëve mund të ketë bërë disa tifozë më shumë në Egjipt...
Përgatiti: GENTJAN ALINANI