e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Dhuna ne Serbi, Il Messaggero: UEFA mund ta pezulloje Canen nga 6 deri ne 18 muaj

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dhuna ne Serbi, Il Messaggero: UEFA mund ta pezulloje Canen nga 6 deri ne 18 muaj

Pas grushteve në Serbi, “grushte” edhe nga UEFA. Pas ngjarjeve të dhunës të ndodhura të matën në mbrëmje në “Partizan Stadium” të Beogradit, UEFA mund të vendosë pezullime të rënda jo vetëm për kombëtaren e Serbisë dhe Shqipërisë, por edhe për futbollistët.

Ai që rrezikon më shumë është Lorik Cana. Sipas gazetës së përditshme italiane “Il Messaggero”, kapiteni kuqezi, për shkak “të sjelljes së tij të dhunshme ndaj disa tifozëve serbë që kishin sulmuar një shok të skuadrës (Balajn), mund të pezullohet për një periudhë që shkon nga 6 muaj, deri në 1 vit e gjysmë”.

Pezullim që do të penalizonte edhe Lacion, duke parë se normat e UEFA-s për pezullimet e lojtarëve aplikohen jo vetëm në nivel kombëtareje, por edhe për skuadra klubesh. Çështja do të shqyrtohet më 23 tetor, kur do të jepet edhe vendimi mbi dënimet ndaj dy kombëtareve, duke parë që më 14 nëntor do të luhen sfida të tjera eliminatoresh për “Francë 2016”.

Serbia rrezikon të luajë disa ndeshje me dyer të mbyllura, ndërsa Shqipërisë, sipas “Il Messaggero”-s, mund t’i vendoset një gjobë shumë e rëndë që ka refuzuar të kthehet në fushë. Ndeshja me siguri do të riluhet, por në fushë neutrale dhe pa tifozë, duke rifilluar në minutën e 41-të, kur u ndërpre edhe takimi.

Ndërkohë ndryshon puna për lojtarët e përfshirë. UEFA ka kërkuar filmimet e asaj që ka ndodhur të martën, përveç raportit të gjyqtarit dhe delegatit të ndeshjes. Por sipas prestigjiozes italiane, Cana me siguri duhet të bëjë një udhëtim pune në Nion të Zvicrës.

Gjykatësit e Komisionit Disiplinor, kanë ndër mend të dëgjojnë nga goja e tij çfarë ndodhi realisht në Beograd. Rreziku që kapiteni i Shqipërisë të pezullohet, është shumë i lartë, mbetet për t’u mësuar për sa kohë. Gjashtë muaj minimumi, një vit e gjysmë maksimumi.

Sipas gazetës romane, ka një rast të ngjashëm. Në vitin 1990, kroati Zvonimir Boban u pezullua për 9 muaj pasi goditi me shkelm një polic që po rrihte një tifoz kroat pas incidenteve të rënda të ndodhura në sfidën mes Dinamos së Zagrebit dhe Crvena Zvezdës.

Megjithatë, gjithçka deri tani është në aspektin e hipotezave dhe Cana, nëse do të thirret të dëshmojë në zyrat e Komisionit Disiplinor në Nion, ka shumë alibi për të dalë krenar dhe i panjollosur nga kjo histori.