Dhuna ne Serbi, Blater: E denoj ashper ngjarjen. Ministri i Jashtem Dacic: Provokim politik!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Presidenti i FIFA-s Sep Blater, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” ka dënuar incidentin e mbrëmshëm në stadiumin “Partizan” të Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, kur ndeshja u ndërpre nga gjyqtari anglez Atkinson për shkak të dhunës së tifozëve serbë ndaj lojtarëve të kombëtares. Numri një i FIFA-s ka dënuar sjelljen e huliganëve sllavë dhe ka bërë apel që futbolli të mos përdoret për mesazhe politike.
“Dënoj ashpër dhe me forcë atë që ndodhi mbrëmë në Beograd, – ka shkruar Blater. – Futbolli nuk duhet përdorur asnjëherë për mesazhe politike”. Ndërsa delegati i UEFA-s, Herri Bin, e ka cilësuar ngjarjen në Beograd si një “situatë të për keqardhje”. Përfaqësuesi i organizmit të futbollit evropian, ka theksuar se ndeshja nuk mund të vazhdonte me atë situatë.
“Për të gjithë këtë situatë që është për keqardhje, ne do të raportojmë, – u shpreh Bin. – Unë, gjyqtari dhe këshilltari i sigurisë kemi parë gjithçka. Të gjithë e kanë parë se çfarë ndodhi dhe nuk mund të komentoj për atë se kush duhet të fajësohet. Rrethanat shkuan deri aty sa ndeshja nuk mund të vazhdohej. Ne do të raportojmë gjithçka dhe është UEFA ajo që do të vendosë për masat që duhen marrë”, – u shpreh Herri Bin pak pas ndërprerjes së ndeshjes në Beograd mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç: Provokim politik. Serbia nuk mban përgjegjësi
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, i ka dalë në mbrojtje tifozëve të vendit të tij, duke e cilësuar ngjarjen një “provokim politik”.
“Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në një ndeshje futbolli dhe gjithçka ka qenë e parapërgatitur, – u shpreh ish-kryeministri serb për një televizion vendas. – Për mua është një çështje kryesore, se si do të reagojë Bashkimi Evropian dhe UEFA, pasi nëse Serbia do të shpaloste flamurin e Serbisë së Madhe në Tiranë apo Prishtinë, kjo do të ishte një çështje e rendit të ditës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në këtë incident këtu, po thuhet se e ka bërë vëllai i kryeministrit Edi Rama, – aludon Daçiç, – i cili duhej të ishte tek ne si mik. E gjithë kjo ngjarje ka dimensione politike dhe se ky është një provokim politik. Serbia nuk mban asnjë përgjegjësi për ndërprerjen e ndeshjes, – përfundoi Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.