Derbet nëpër Europë, bardheblutë të parafundit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një ndeshje derbi është gjithmonë ndryshe nga të tjerat, aty duhet të fitosh për lavdinë, krenarinë, mbi të gjitha për tifozët. Në një sfidë ku përballen dy ekipet e një qyteti, dy filozofi të ndryshme, dy vija paralele që nuk takohen asnjëherë me njëratjetrën.
Vendi i takimit është gjithmonë në fushën e lojës, e cila në shumicën e rasteve nuk nxjerr dy fitimtarë. Një barazim në derbi është gjithmonë humbje për dy tifozëritë, ndoshta më pak për trajnerët, të cilët bëjnë llogaritë e tyre. "Panorama Sport" ka analizuar dhjetë ndeshjet e fundit derbi nëpër Europë duke i krahasuar me derbin e kryeqytetit të Shqipërisë dhe rezulton se Tirana është e parafundit vetëm me 1 fitore.
Partizani një makth - Në dhjetë ndeshjet e fundit, bardheblutë kanë arritur që të triumfojnë vetëm një herë përballë Partizanit. Diçka e tillë ka ndodhur në sezonin 2013- 2014 dhe në ndeshjen e fazës së dytë, skuadra e drejtuar atëherë nga Gugash Magani arriti të hakmerrej për humbjen në fazën e parë.
Golin e fitores e shënoi Gilberto Fortunato dhe Tirana mori një fitore shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Sulmuesi brazilian i çoi në delir tifozët bardheblu, por Tirana është duke vuajtur pikërisht për një sulmues të tillë, që të zhbllokojë sfidat. Nga ajo ndeshje dhe deri tani, Partizani është shndërruar një makth për Tiranën.
Vetëm barazime dhe humbje. Derbi i fundit konfirmoi edhe një herë se të kuqtë janë një ekip shumë i fortë kur përballen me Tiranën. Në total, në dhjetë ndeshjet e fundit Partizani ka arritur të fitojë 5 ndeshje, katër kanë përfunduar barazim dhe vetëm një fitore për Tiranën. Në një renditje të përgjithshme, bardheblutë janë skuadra e parafundit. Më mirë se ata ka shumë ekipe të tjera në Europë, ndërsa më keq është vetëm Evertoni.
Evertoni si ngushëllim - Tirana ka vetëm 1 fitore në dhjetë ndeshjet e fundit, por ka edhe më keq. Në derbin e Liverpulit, i quajtur "Merseyside derby", ku përballen Liverpuli dhe Evertoni, këta të fundit nuk kanë arritur asnjë fitore në dhjetë ndeshjet e fundit. Liverpuli ka dominuar gjithmonë, por më shumë ndeshje kanë përfunduar në barazim.
Të kuqtë numërojnë 4 fitore, ndërsa në "paqe" të dy ekipet janë ndarë plot gjashtë herë. Ka edhe një tjetër skuadër që është barazim me Tiranën. Bëhet fjalë për Torinon, që në dhjetë sfidat e fundit ka arritur ta thyejë vetëm 1 herë Juventusin. Këtu, diferencat janë të dukshme dhe "Zonja e Vjetër" është shumë herë më lart rivalëve të përjetshëm.
Në derbet e tjerë ka më shumë ekuilibër dhe skuadrat i ndajnë fitoret më shumë herë me njëra-tjetrën. Në Milano, Interi ka arritur të triumfojë në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa Milani 2 herë. Derbi i Madridit ka qenë ndër më të luftuarit në dhjetë vitet e fundit, ku skuadrat kanë fituar përkatësisht nga katër herë. Ekuilibër ka gjithashtu edhe në Romë dhe Stamboll, ndërsa në Tiranë fitoret e Partizanit janë në modë.
