e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Demtimet, Shqiperia pa mbrojtje ne ndeshjet me Francen e Rumanine

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Demtimet, Shqiperia pa mbrojtje ne ndeshjet me Francen e Rumanine
Pas paraqitjes zhgënjyese me dy humbjet në ndeshjet e shtatorit kundër Francës dhe Luksemburgut, lajmet e këqija për trajnerin e Kombëtares, Josip Kuzhe, nuk kanë të sosur. Sikurse duken gjasat, tekniku kroat do të duhet të përballet me mungesa të rëndësishme në repartin e mbrojtjes për dy ndeshjet e radhës, kundër Francës në transfertë më 7 tetor dhe kundër Rumanisë në Tiranë, më 11 tetor. Mungesës së sigurt të Debatik Currit, i cili po vuan ende nga dëmtimi i pësuar javën e kaluar në ndeshjen që Shqipëria humbi ndaj Francës 1:2 në stadiumin “Qemal Stafa” dhe nuk pritet t’i rikthehet fushës të paktën edhe tri javë, tashmë i shtohen edhe emrat e Lorik Canës dhe ai i Andi Lilës. Cana nuk ishte i pranishëm në “San Siro”, në ndeshjen ku Lacio barazoi 2-2 ndaj Milanit në javën e parë të kampionatit.

Mesfushori shqiptar mbeti jashtë skuadrës për një tërheqje muskulore në kofshë, që do ta detyrojë të qëndrojë disa javë jashtë fushave të lojës. Dëmtimi ka bërë që 28-vjeçari të mendojë për rikthimin sa më shpejt në fushat e lojës, për t’u treguar të gjithëve se e meriton një vend në formacionin titullar të trajnerit Edi Reja.

Dje në mbrëmje, kosovari ka zhvilluar një vizitë të fundit mjekësore, e cila do të përcaktojë edhe kohën e nevojshme për rikuperimin e tij. Gjithsesi për momentin nuk mund të përjashtohet mungesa e tij në Kombëtare. Ndërkohë që të dielën pasdite, grupit i është shtuar edhe Andi Lila. Ish-mbrojtësi i Tiranës u dëmtua në brinjë në minutën e 21-të të ndeshjes së kësaj fundjave në ndeshjen që Pas Janina luajti ndaj Panathinajkosit. Tani pritet që t’iu nënshtrohet vizitave të specializuara mjekësore, ndërkohë që koha e rikuperimit pritet të jetë katër javë, gjë që do ta linte jashtë dy ndeshjeve eliminatore të Euro 2012. Për sa i përket mungesë së sigurt të Currit, ka qenë vetë kosovari ai që e ka konfirmuar.

“Pas dëmtimit, kam bërë një grafi në Tiranë dhe që nga ajo kohë jam duke bërë terapi. Mirëpo, mjekët në Turqi më kanë thënë se dëmtimi nuk është edhe aq i lehtë sa është menduar, ka thënë Curri dje për gazetën kosovare ‘Express’. Mjekët më kanë thënë se duhet të pushoj katër javë dhe nuk besoj se do të luaj kundër Francës dhe Rumanisë. Mjeku i ekipit më ka thënë që pas ndeshjeve të përfaqësueseve që luhen më 7 dhe 11 tetor, unë mund të luaj për Gençlerbirligin”, ka theksuar futbollisti i klubit turk, i cili ka pësuar një tërheqje muskulore. Edhe një vit më parë, Curri pësoi një dëmtim të rëndë gjatë stërvitjes me skuadrën e tij Gençlerbirligi, që e la jashtë fushave për më shumë se gjashtë muaj. Ish-futbollisti i Prishtinës kishte këputur ligamentet e gjurit të djathtë, që e detyruan t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjike.