Del Boske: Italia, si Juvja e Kontes
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Visente Del Boske nuk mendon që Italia është në krizë dhe thotë që skuadra e Antonio Kontes ka forcë karakteri.
Në prag të miqësores, trajneri i Spanjës ka vlerësuar maksimalisht ekipin italian, por nuk ka dashur të bëjë parashikime për Europianin.
Ai thotë se Franca është skuadër shumë e fortë dhe do të jetë e motivuar sepse luan në shtëpi.
Çfarë i mungon Moratës për të bërë hapin e madh drejt suksesit?
I ka të gjitha mundësitë për të qenë sulmuesi ynë, ka forcë fizike, ka kapacitet për të luajtur në hapësira të ngushta dhe të gjera, është i fortë në goditjet me kokë, godet mirë nga çdo pozicion. Për disa motive, të cilat ende nuk i di, nuk ka gjetur vazhdimësinë dhe ky nuk është faji i trajnerit.
Lojtari ka përgjegjësitë e tij. Duhet të rritet akoma më shumë në vetvete?
Nuk e di. Ai është një djalë shumë i mirë dhe shumë i qetë. Një njeri normal dhe kjo është më e rëndësishmja. I mungon rendimenti i vazhdueshëm dhe shpresoj ta gjejë këtë si me Juventusin, ashtu edhe me ne. Ai nuk mund të bëjë futboll të izoluar, por duhet të shpërthejë më shumë.
Do të përballeni për herë të parë me Italinë e Kontes...
Po. Më kujton Juventusin e tij, nga fakti që përshtatet shumë mirë dhe ndryshon lëkurë shumë shpesh. Një skuadër që mund të godasë në mënyrë të frikshme me kundërsulme. Struktura mbrojtëse është thuajse e njëjtë me Juventusin dhe baza nuk ndryshon. Në fakt nuk shoh ndonjë ndryshim të madh me Italinë e Prandelit. Megjithatë Italia duket se ka probleme në sulm.
E shihni si një rival të fortë në Europian?
Italia ka pësuar rënie në renditje, por ka mbajtur gjithmonë thelbin dhe ekstraktin e futbollit italian. Javën e kaluar kam parë Juventusin kundër Bajernit dhe kam imagjinuar që ai është modeli i Italisë, presion, sforco fizike. Italia ka një skuadër pa komplekse që ia lë topin kundërshtarit dhe bën keq kur ia merr atë. Është e vërtetë që ka probleme në sulm dhe nuk ka gjetur një sulmues të nivelit botëror, por është gjithmonë një ekip i vështirë për t'u përballur.
Mos harroni që Italia nuk ka asnjë skuadër në çerekfinalet e kompeticioneve europiane...
Nuk shoh ndonjë rënie, vazhdoj të mendoj se futbolli italian është modern dhe shumë i vështirë për çdo rival tjetër. Shumë skuadra të mëdha në Europë kërkojnë trajnerë nga Italia, por një vit më parë Juventusi shkoi në finalen e Champions-it. Flasim pak për Spanjën tani. Vini nga dy fitore të mëdha, në Botëror dhe Europian arritët të triumfonit, por dështuat në Brazil. Problemi ynë i vetëm dhe më i madh është fakti që shumë lojtarë luajnë në klube të mëdha dhe lodhen shumë me skuadrat e tyre duke luajtur shumë finale të ndryshme. Në vend që të kenë disa pushime, duhet të vijnë të luajnë me Spanjën dhe kjo më shqetëson shumë.
Kjo është pozitive për faktin se lojtarët kanë eksperiencë të madhe me klubet e tyre, apo negative sepse vijnë të lodhur?
Pozitive. Janë pak më të lodhur kur vijnë, por ama dinë të përshtaten shumë mirë me njëri-tjetrin.
Cilët janë rivalët në Europian?
Ka shumë dhe nuk mund të them një favorit. Të gjitha skuadrat që janë në krye të grupit mund ta fitojnë Kampionatin Europian. Kur them këtë, mendoj Italinë, Belgjikën, Anglinë, Gjermaninë, Spanjën, Francën, Portugalinë, por sigurisht që do të ketë edhe ndonjë ekip surprizë. Është një turne me 24 skuadra, që nuk mund ta fitojnë të gjitha, por ka shumë ekipe që duan të bëjnë mirë. Nëse duhet të them një emër, po them Franca, sepse luan në shtëpi.
Keni një koment për disa njerëz që i kanë dalë kundër Kasijasit?
Për mua nuk ekziston një problem i tillë. Ai luan në një klub të madh europian si Porto, është titullar dhe e bën punën e tij shumë mirë. Duhet të kesh respekt për një lojtar të tillë që ka dhënë maksimumin për Kombëtaren e Spanjës. Jam i detyruar ta mbroj një futbollist të tillë. Ai ka respektin e të gjithëve. Nga viti 2000, mes Champions-it, Europa Ligës, Superkupës Europiane, janë zhvilluar 48 finale.
Spanjollët kanë fituar 23...
Ah, thuajse 50%. Ashtu si dy Europianët e fituar nga ju me kombëtaren. Dominimi i futbollit spanjoll në vitet e fundit ka qenë i dukshëm. Më pëlqen fakti që të gjithë kanë fituar me stilin e tyre. Kemi fituar sepse kemi luajtur mjaft mirë dhe jemi të bashkuar. Më parë, Spanja e veriut luante ndryshe dhe ajo e jugut luante ndryshe. Tani nuk është më kështu dhe kemi pasur fatin që na kanë ardhur lojtarë të huaj në kampionat dhe e kanë përmirësuar ndjeshëm futbollin spanjoll.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI