De Biazi, vlerësim me Pankinën e Artë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kualifikimi i Kombëtares për herë të parë në Europian në Shqipëri u shndërrua në një debat për ndarje të meritave. Megjithatë, në mediat italiane dhe në institucionet që kanë të bëjnë me sportin apo vlerësime të ndryshme për ecurinë e punës nga italianët mbarë botën, De Biazi mori vëmendjen kryesore dhe gjithashtu edhe një sërë nominimesh për çmimin e trajnerit të vitit. Edhe pse jehona e kualifikimit të kuqezinjve është shuar disi, trajneri i Shqipërisë vijon të jetë i ftuar në mbrëmje të rëndësishme dhe në ceremoni ku ka çmime merite për punën e sportistëve. Sot, në Itali do të zhvillohet ceremonia për "Pankinën e Artë". Një çmim i akorduar nga Shoqata e Trajnerëve në Itali, me president Renco Ulivierin. Në ceremoninë e sotme pritet që De Biazi të marrë një çmim special të cilin e kanë fituar më parë vetëm Marçelo Lipi, Xhovani Trapatoni dhe Fabio Kapelo.
Çmimi
"Pankina e Artë" është një çmim që akordohet për trajnerët në Serinë A, për ata në Serinë B, në Lega Pro dhe një çmim shkon për trajnerin/en në futbollin e femrave. Gjithashtu, në këtë ceremoni ka edhe vlerësim për trajnerë italianë në veprimtarinë e tyre. Për çmimin e "Pankinës së Artë" në Serinë A ka edhe një vend të dytë, përveç fituesit. Sipas procedurave, për këto çmime do të votojnë trajnerët italianë që janë pjesë e shoqatës së trajnerëve. Mediat italiane kanë bërë me dije se pjesë e ceremonisë së sotme do të jetë edhe kreu i pankinës së Shqipërisë, që pritet të nderohet me një çmim special për atë që ka bërë me Shqipërinë.