e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi shpall listen e miqesoreve 'Keshtu pergatitemi per eliminatoret'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi shpall listen e miqesoreve 'Keshtu pergatitemi per eliminatoret'

Xhani De Biazi ka shfrytëzuar mungesat e shumta për shkak dëmtimesh të futbollistëve të ndryshëm kuqezi për të eksperimentuar në kombëtaren që do të drejtojë në miqësoret kundër Rumanisë, Hungarisë dhe San Marinos në javët e ardhshme. Trajneri italian ka zhvilluar dje një konferencë për shtyp në FSHF për të dhënë emrat e lojtarëve të ftuar në këto sfida, ku ndryshimet e rëndësishme ishin përfshirja për herë të parë në këtë listë të sulmuesit të Kukësit, Sokol Çikalleshi, si dhe mbrojtësit të Luzernës, Fidan Aliti.

Mungesat dhe lista

“Këto tri ndeshje miqësore për ne janë shumë të rëndësishme në optikën e kualifikuesve të ardhshme në Europian. Fatkeqësisht, siç ndodh në fund të çdo sezoni, kemi shumë djem që kanë pasur probleme. Janë të dëmtuar Hyka, Roshi, Basha, Meha, Xhaka, por sidomos ata që kishin dëmtimet më të rënda, Memushaj dhe Sadiku. Kemi grumbulluar 18 lojtarë, por priten edhe Mavraj që do të bashkohet për sfidën me Hungarinë dhe ndoshta Hysaj, që lufton me ekipin e tij për t’u ngjitur në Serinë A”, u shpreh trajneri i përfaqësueses, i cili tregoi arsyen se pse këto ndeshje kishin kaq shumë rëndësi në një situatë kur ekipit i mungojnë shumë lojtarë për dëmtime. “Duhet të mësohemi të jetojmë edhe me emergjencat. Nëse gjatë verës, apo para se të fillojë kampionati dhe kualifikueset, gjendemi në emergjencë, duhet të jemi të gatshëm. Duhet të gjejmë alternativat e atyre që mungojnë, mendoj se është një gjë e rëndësishme dhe thelbësore për ecurinë tonë”.

Takimi me Bunjakun

De Biazi duket se ka gjetur gjuhën e përbashkët me trajnerin e Kosovës, Albert Bunajaku, për sa i përket shkëmbimit të ndërsjellë të lojtarëve mes dy përfaqësueseve. Dy teknikët kanë rënë dakord edhe që të shkëmbejnë informacione për lojtarët e shumtë kosovarë që aktivizohen në Europë. “Kam zhvilluar një takim me Albert Bunjakun, trajnerin e Kosovës, një takim shumë pozitiv, i përqendruar te bashkëpunimi i ndërsjellë mes dy federatave. Për mua ishte shumë i rëndësishëm për të kuptuar pak nga ato që ishin edhe synimet e kolegut tim te Kosova. Ai u tregua i gatshëm që të ndihmonte, që të kishim shkëmbim informacioni rreth lojtarëve kosovarë që janë tek ai dhe rreth e rrotull në Europë, u tregua i gatshëm që të bashkëpunonte me ne. I thashë Albertit se kur krijohen skuadrat, duhet të kenë qëndrueshmëri. Por njëkohësisht, do të ishte prej budallai të mos merrja në konsideratë një lojtar që te Kosova po bën gjëra të mrekullueshme nga i cili ne mund të nxjerrim një avantazh nëse e marrim dhe kemi rritje si ekip”, shpjegoi De Biazi.

Berisha jo, Azemi ndoshta

Besart Berisha nuk do të luajë me kombëtaren shqiptare, për sa kohë që vazhdon të aktivizohet në Australi. “Pas një periudhe të gjatë dhe të kujdesshme vlerësimi e mendimi, Besart Berisha ka vendosur që të mos luajë për ne, pasi është shumë larg, shumë problematike për atë të udhëtojë nga Australia në Shqipëri apo ku të luajmë. Ndaj ka bërë këtë zgjedhje, edhe pse nuk ka hedhur poshtë plotësisht mundësinë e këtij dyvjeçari, pasi ka thënë se nëse do t’i jepet mundësia në verën e ardhshme të kthehet në Europë, mund të merret në konsideratë në pjesën e dytë të kualifikuesve. Ilir Azemi? Po, ekziston mundësia që Azemi në të ardhmen të vendosë të luajë për ne dhe nga ana e Bunjakut nuk do të ketë asnjë pengesë për ta bërë një gjë të tillë”, tregoi trajneri, i cili mbetet në kërkim të sulmuesve cilësorë. “Po vlerësojmë lojtarët që kemi në dispozicion në këtë repart, pasi të tjerë në horizont nuk po shohim”, pranoi italiani.

 

Lista e Shqipërisë për miqësoret me Rumaninë, Hungarinë dhe San Marinon

Etrit Berisha   Lacio

Orges Shehi     Skënderbeu

Ansi Agolli     Karabak

Fidan Aliti     Luzernë

Lorik Cana Lacio

Mërgim Mavraj   Këln

Debatik Curri   Sevastopol

Ermir Lenjani   St. Galen

Andi Lila  PAS Janina

Elseid Hysaj    Empoli

Amir Abrashi    Grasshoper

Sabien Lilaj    Skënderbeu

Ergys Kaçe PAOK

Emiljano Vila   PAS Janina

Sokol Çikalleshi     Kukësi

Shkëlzen Gashi  Grasshoper

Edmond Kapllani FSV Frankfurt

Valdet Rama     R. Vajadolid

Hamdi Salihi    Hapoel Akre

Armando Vajushi Liteks Loveç

Transferimi
Mërgim Mavraj firmos për Këlnin


Mërgim Mavraj ka zyrtarizuar dje kalimin në radhët e Këlnit, skuadër që në edicionin e ardhshëm do të luajë në Bundesligë. Lojtari 27-vjeçar ka nënshkruar për 3 vite me këtë ekip, deri në 30 qershorin e vitit 2017. “Me Mavrajn kemi siguruar një lojtar luftarak si në lojën në ajër, ashtu edhe në tokë, në prapavijë. Ai do të na ndihmojë shumë, pasi është i vëmendshëm dhe i fortë, cilësi që i ka treguar si në Bundesligë, ashtu edhe Bundesligën 2”, ishte vlerësimi i drejtorit të përgjithshëm të Këlnit, Jorg Shmadtke.