De Biazi rrefen prapaskenat e Beogradit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Kombëres, Xhani De Biazi ka rrëfyer për mediet italiane tmerrin e Beogradit. Ndërkohë që mbeten fare pak ditë kur Arbitrazhi Sportiv të japë vendimin për ndeshjen Serbi-Shqipëri, trajneri i kuqezinjve ka intensifikuar fushatën medietike në favor të Shqipërisë.
“Nuk kishim asnjë tifoz në stadium. Ishte një situatë ekstreme, që nuk plotësonte asnjë kusht për një ndeshje të sigurt. Policia nuk ndërhyri, ndërsa disa lojtarë serbë na ndihmuan që të hynim në dhomat e zhveshjes”, ka thënë De Biazi për “Sky Sport”.
Më tej ai rrëfen edhe takimin me delegatin e UEFA-s, i cili shkoi në dhomat e zhveshjes për të parë gjendjen e lojtarëve. “Pas kësaj erdhi delegati i UEFA-s, për të verifikuar situatën. Ai pa lojtarët e goditur, ndonjë me hundën e fashuar dhe të gjakosur.
Në këtë pikë, ne i komunikuam se ishte e vështirë të luanim. Por delegati tha se UEFA kërkonte që loja të vazhdonte”, shprehet De Biazi. “Pres drejtësi ndaj një federate të vogël siç është ajo e Shqipërisë.
Megjithatë më duhet të them se imazhet në fushë folën shumë qartë. Besoj se nëse dikush vlerëson faktet, nuk ka asnjë dyshim mbi atë që një gjyqtar duhet të vendosë”, shton ai më tej.