De Biazi, në listën e Tavekios për stolin e kombëtares italiane
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Prej ditësh është duke u përfolur shumë dhe pasditen e djeshme mediat italiane e kanë përfshirë atë në listën e presidentit të federatës.
Sipas një lajmi të "superscommesse.it", Xhani De Biazi është një nga alternativat e Tavekios për trajnerin që do të pasojë Antonio Konten në stolin e Italisë pas Europianit.
Ish-trajneri i Juventusit ka arritur një akord me Çelsin për të drejtuar londinezët pas "Francë 2016", ndërkohë që trajneri i Shqipërisë dhe Xhanpiero Gasperini janë dy emrat e shtuar së fundmi në listën e emrave të mundshëm që mund të pasojnë Konte në stolin e "axurrëve".
"Ka shumë kandidatë për stolin e Italisë dhe nuk mendoj se jam njëri prej tyre. Kam një kontratë deri në fund të 2017-s me Kombëtaren shqiptare, por më gjeni një trajner italian që nuk do të donte të drejtonte Italinë", është përgjigjur trajneri i kuqezinjve për mediat italiane. Manaj Në një intervistë për portalin e njohur "Tuttomercatoweb", trajneri i Kombëtares shqiptare foli për lëvizjet e fundit në Serinë A dhe për kontratën e tij me kuqezinjtë.
Ai komentoi edhe performancën e Rei Manajt te skuadra e Interit. Për sa i përket sulmuesit të zikaltërve, tekniku u shpreh se Manaj nuk po gjen hapësirat e duhura tek Interi dhe kjo nuk është në favorin e tij. "Për fat të keq, ka pak mundësi, veçse kur luan me të rinjtë gjatë së cilës shfaq aftësitë e tij reale.
Te skuadra e parë, për fat të keq, është pasiv dhe kjo nuk i bën mirë. Një djalë si ai, duke u huazuar në një ekip tjetër, do të kishte më shumë mundësi për të luajtur. Stërvitja me lojtarët e Interit e ndihmon, por kjo nuk është e gjitha që mund t'i shërbejë një lojtari si Manaj", tha De Biazi.
Duke folur për Milanin, trajneri tha se "ekipi ka ekuilibrin e tij dhe Mihajloviç u tregua i zoti të merrte më të mirën ndaj lojtarëve të tij. De Biazi u ndal edhe te Juventusi dhe Interi. Tek Alegri ka vlerësuar anën menaxheriale, ndërsa tek Interi theksoi vështirësitë që has skuadra në gjetjen e golit.
Lidhur me kalimin e mundshëm të Kontes te skuadra e Çelsit, trajneri deklaroi se e sheh shumë mirë në drejtimin e kësaj skuadre.
