e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi le jashte lojtaret ne forme

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi le jashte lojtaret ne forme

Nëse “Shqipëria e re” e Xhani De Biazit ka si qëllim kualifikimin në Euro 2016, ndeshja e parë miqësore e këtij edicioni ka hedhur disa pikëpyetje të mëdha mbi metodikën e përzgjedhjeve të teknikut italian. Nga njëra anë, trajneri ka filluar të shkëpusë pak nga pak lidhjet me lojtarët “veteranë” të përfaqësueses, duke mos thirrur për miqësoren kundër Bjellorusisë emra si Dallku, Teli, Bulku apo edhe Hyka. Por nga ana tjetër, duket e çuditshme kokëfortësia për të mos grumbulluar lojtarë që po kalojnë një formë mjaft të mirë në kampionatet respektive dhe janë mes atyre që luajnë më shumë, si Edmond Kapllani e Armando Vajushi, të cilëve tani iu është shtuar edhe Jurgen Gjasula.

Në listën e publikuar ditën e djeshme për këtë miqësore, surpriza fillon nga porta, ku jashtë është lënë Samir Ujkani, që nuk luan ndeshje zyrtare me klubin e tij që prej fundit të vitit 2012. Vetëm Berisha dhe Shehi do të jenë të grumbulluar për këtë miqësore nga tekniku italian, që në këtë mënyrë i ka dhënë një sinjal Ujkanit që të vihet në kërkim të një skuadre nëse do të rifitojë përsëri hapësira në katërkëndorin kuqezi.

Mbrojtja është një repart ku në krahasim me ndeshjet e tetorit, ka disa spastrime të rëndësishme. Në listë nuk figurojnë Armend Dallku e Admir Teli, dy futbollistë që kanë luajtur thuajse rregullisht me trajnerin italian në këtë edicion, ndërsa çudi bën edhe mungesa në listë e Loret Sadikut, i cili nuk ka pasur ende mundësinë të veshë fanellën kuqezi edhe pse është trumbetuar me të madhe afrimi i tij. Debutimin në kombëtare pritet ta bëjë edhe Ermir Lenjani, i grumbulluar prej kohësh nga trajneri i kombëtares shqiptare, por pa regjistruar ende asnjë minutë në fushën e lojës. Ndërkohë, Elseid Hysaj pritet të jetë pjesë e projektit të ri të kuqezinjve, pasi De Biazi ka vendosur që të mos e lërë futbollistin të shkojë me kombëtaren U-21, ashtu siç ka bërë me Ergys Kaçen, por e ka grumbulluar për këtë miqësore.

Në mesfushë, “spastrimi” ka përfshirë Bulkun, Hykën, por edhe Gjasulën, ku bën çudi mosgrumbullimi i këtij të fundit pasi ai po kalon një formë shumë të mirë në Bullgari dhe pritej që më në fund të kishte mundësinë të shprehte talentin e tij edhe në radhët e përfaqësueses. Rolin e organizatorit, trajneri italian pritet t’ia ofrojë Ledian Memushajt, i cili ka bërë një fillim shumë të mirë të kampionatit në Serinë B me Karpin. Por mungesa më e papritur në këtë repart është ajo e Armando Vajushit, i cili aktualisht mban statusin e lojtarit më të mirë në kampionatin bullgar, ndërsa para tij preferohet Shkëlzen Gashi, edhe pse ky i fundit nuk ka dhënë ende asgjë me fanellën kuqezi. Vajushi shënoi dje 2 gola të tjerë në kampionat, ashtu si Gjasula, por të dy lojtarët e Liteks do ta ndjekin nga televizori sfidën e kuqezinjve.

Sulmi ka pësuar përmbysjen e radhës, me Salihin që është lënë jashtë për t’i evituar një udhëtim të gjatë nga Kina për një ndeshje miqësore, ndërsa kthehen Çani dhe Sadiku, dy lojtarë që në fillimin e edicionit ishin të paprekshëm në skemat e trajnerit. Nëse mungesën e Agon Mehmetit vështirë se do ta ndiejë kush për atë që lojtari ka dhënë në fushën e lojës, De Biazi vazhdon të insistojë se nuk ka nevojë për Edmond Kapllanin. Sulmuesi është ndër ata legjionarë që kanë luajtur më shumë në këtë sezon, por as kjo nuk e bind trajnerin italian për ta bërë pjesë të kuqezinjve në edicionin e ri, as të paktën për miqësoren ndaj Bjellorusisë.

Lista për miqësoren me Bjellorusinë

Lojtarë    Nd.

Etrit Berisha (Lacio) 13
Orges Shehi (Skënderbeu)   2
Ansi Agolli (Karabag) 45
Renato Arapi (Skënderbeu)  3
Lorik Cana (Lacio)   72
Elseid Hysaj (Empoli) 4
Ermir Lenjani (San Gallen) 0
Andi Lila (PAS Janina)     42
Mërgim Mavraj (Grojter Fyrth)   14
Tefik Osmani (Teuta) 12
Amir Abrashi (Grasshopers) 4
Migjen Basha (Torino) 6
Sabien Lilaj (Skënderbeu)  7
Alban Meha (Paderborn)     4
Ledian Memushaj (Karpi)    3
Valdet Rama (Vajadolid)    7
Odise Roshi (FSV Frankfurt)     17
Emiljano Vila (PAS Janina) 23
Shkëlzen Gashi (Grasshopers)    2
Bekim Balaj (Jagiellonia)  3
Edgar Çani (Karpi)   14
Armando Sadiku (Lugano)    9

 

Nuk janë grumbulluar

Samir Ujkani (Palermo)     20
Armend Dallku (Vorskla)    64
Debatik Curri (Hoverla)    41
Loret Sadiku (Helsingborgs)     0
Kristi Vangjeli (Çernomorets)   36
Admir Teli (Karabag) 20
Ervin Bulu (Sepahan) 53
Jahmir Hyka (Luzern) 37
Jurgen Gjasula (Liteks)    2
Armando Vajushi (Liteks)   4
Erjon Bogdani (pa ekip)    75
Hamdi Salihi (Jiangsu Sainti)   47
Edmond Kapllani (FSV Frankfurt) 36
Elis Bakaj (Çernomorets)   27
Ahmed Januzi (Vorskla)     7
Agon Mehmeti (Olhanense)   3