De Biazi i prere: Koha qe kosovaret te bejne zgjedhjen!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duket se Xhani De Biazi ka vendosur që të lërë pas diplomacinë dhe të kërkojë drejtpërdrejt nga futbollistët kosovarë që të vendosin që tani nëse do të mbeten pjesë e Shqipërisë apo do të përfaqësojnë Kosovën. Trajneri italian e ka bërë një gjë të tillë të ditur në konferencën e djeshme për shtyp, ku teorikisht duhej të flitej për miqësoren me Maltën, por më shumë është diskutuar për emrat që kanë braktisur Shqipërinë dhe ata që janë lënë jashtë nga vetë De Biazi.
“Ndiejmë nevojën të bëjmë një bashkëbisedim të hapur. Do ta bëjmë në këto ditë, që sot pasdite (dje), do të qartësojmë atë që pres unë dhe atë që presin ata nga ne. Nëse hipin te kjo makinë që duhet të na dërgojë drejt Parisit, duhet të qëndrojnë në të deri në Paris, nuk mund të ulen në gjysmë të rrugës. Duhet bërë një zgjedhje përfundimtare për këtë dyvjeçar. Kujt ia ndien ta bëjë, në rregull, në të kundërt do të ndryshojmë lojtarë”, ishte mesazhi i qartë i trajnerit ndaj futbollistëve kosovarë. Tekniku ka komentuar më pas me radhë edhe zgjedhjet e Ujkanit dhe Sadikut për të luajtur me Kosovën, ashtu si edhe atë të Mustafit për të zgjedhur Gjermaninë. “Nuk kam folur me Ujkanin, pasi nuk kam arritur të komunikoj në telefon me të. Kam shkëmbyer mesazhe me WhatsApp dhe vetëm kaq. A do të ketë kthim mbrapa apo është mbyllur dera për Ujkanin e Sadikun? Nuk e di, mendoj për aktualitetin. Ajo që më intereson janë lojtarët që do të kem me vete nesër për ndeshjen kundër Maltës. Por kush bën zgjedhje, duhet të paguajë edhe pasojat e tyre. Mustafi ka bërë një zgjedhje përfundimtare, atë që të luajë me Gjermaninë. Unë u mundova më shumë se një vit e gjysmë më parë, e riprovova edhe pak ditë më parë, për të kuptuar nëse dëshironte apo nëse kishte ndërruar mendje për të ardhur me ne. Ai tha se dëshironte të vazhdonte me Gjermaninë dhe mendoj se zgjedhja duhet respektuar”, shpjegoi trajneri italian.
Januzaj
De Biazi ka bërë të qartë se tashmë mendon që Adnan Januzaj nuk dëshiron ta veshë fanellën e kombëtares shqiptare, pasi ka zgjedhur të presë mundësinë e tij për të luajtur me Anglinë. “A mund të presim zhvillime të reja mbi çështjen Januzaj? Jo, mendoj se jo. Në fakt mendoj se Januzaj ka zgjedhur për kë të luajë, mendoj se e dini të gjithë. Nëse dikush pas një viti e gjysmë nuk i përgjigjet një telefonate apo mesazheve, mendoj se ka vetëm një përgjigje dhe një shpjegim logjik. A i mbyll atij derën për të ardhmen? Jo, është ai që as nuk e bën provë të hapë derën. A është Anglia zgjedhja e tij? Unë mendoj se po, por është vetëm mendimi im. Nuk ma ka thënë askush, por mendoj se ka bërë zgjedhjen e tij”, tha trajneri italian rreth talentit të Mançester Junajtid.
Mungesat
Trajneri i kombëtares ka bërë të ditur se lista e kuqezinjve për miqësoren ndaj Maltës është fillimi i ndërtimit të grupit që do të përballojë Euro 2016. “Do të përdorim ndeshjen ndaj Maltës si një takim të veçantë, të rëndësishëm për ne për të verifikuar disa aspekte të lidhura me përbërjen e grupit dhe të gjitha ato çështje që janë të lidhura me pikëpamjen taktike. Mungojnë Vajushi e Xhaka që janë dëmtuar, ashtu si edhe Loret Sadiku që zgjodhi të shkonte te Kosova. Në këtë moment, kampionati që po bën Çani thotë që ai është jashtë projektit. Ai është një nga zgjedhjet e mia fillestare, që për arsye të ndryshme ka humbur disi rrugën. Për sa i përket Bulkut, ndeshja me Maltën është një takim që duhet të më bëjë të jap vlerësime për lojtarë të tjerë, ndaj zgjedhja nuk ra mbi Ervinin për këtë arsye. Dallku mendoj që vështirë se do të jetë më pjesë e projektit. Nëse Vangjeli tek Arisi do të paraqitet mirë, çdo të diel do të jetë lojtari më i mirë në fushë, sigurisht që do ta thërras përsëri. Por dera jonë është gjithmonë e hapur për lojtarët. Salihi, sa për të përmendur një nga të shumtët, është një nga ata me të cilët kam folur dhe i kam thënë se në këtë moment nuk do ta grumbulloja, pasi sapo ka rifilluar të luajë. Ka bërë një gol që nëse do ta kishte shënuar Kristiano Ronaldo do të bënte xhiron e botës, pasi ishte fantastik, një nga të tijtë në roveshatë. Mendoj se për të është një bisedë që shtyhet për muajt maj-qershor, kur të organizojmë dy ndeshje miqësore në përgatitjet për shtatorin”, ishte shpjegimi i trajnerit të kombëtares për disa nga emrat që janë lënë jashtë për këtë miqësore.
Lista e kombëtares për ndeshjen me Maltën
Etrit Berisha Lacio
Orges Shehi Skënderbeu
Ansi Agolli Karabak
Lorik Cana Lacio
Ermir Lenjani St. Galen
Andi Lila PAS Janina
Renato Arapi Skënderbeu
Mërgim Mavraj Grojter Fyrth
Jahmir Hyka Luzern
Amir Abrashi Grasshopers
Migjen Basha Torino
Ergys Kaçe PAOK
Ledian Memushaj Karpi
Odise Roshi FSV Frankfurt
Emilian Vila PAS Janina
Alban Meha Paderborn
Valdet Rama Real Vajadolid
Edmond Kapllani FSV Frankfurt
Armando Sadiku Zyrih
Stafi
Në fund të konferencës së djeshme për shtyp, De Biazi ka prezantuar stafin me të cilin do të punojë këto dy vite. Përkrah tij do të jenë si asistentë Paolo Tramexani dhe Altin Lala, përgatitësi atletik Alberto Bele dhe përgatitësi i portierëve Ilir Bozhiqi
Altin Lala nis karrierën e re: Dua të mësoj nga De Biazi!
Altin Lala, që dje i është kthyer kombëtares shqiptare të futbollit, jo më si një futbollist, por si pjesë e stafit teknik të saj. Ish-kapiteni i kuqezinjve është prezantuar dje zyrtarisht në detyrën e re nga trajneri Xhani De Biazi, i cili e ka përshkruar atë si “një gjerman me karakteristikat e një shqiptari që ka dëshirë të shpërthejë dhe të çajë para në jetë”. Duket se pikërisht kjo dëshirë për të përfituar sa më shumë në këtë eksperiencë të re është ajo që ka shtyrë Lalën të pranojë ftesën që i ka bërë pak muaj më parë tekniku italian.
“Ishte një eksperiencë e re për mua. Kështu që m’u bë qejfi shumë që trajneri ma bëri këtë ofertë. Ishte një krenari për mua që më bëri këtë ofertë, duke më ofruar detyrën e zëvendëstrajnerit në kombëtare. Jam shumë i lumtur. Natyrisht që është një eksperiencë krejt ndryshe nga ajo që kam përjetuar si lojtar. Do të mundohem të mësoj shumë gjëra nga De Biazi. Unë kam luajtur vetë për shumë vite në Gjermani. Mentaliteti gjerman dhe ai italian, është i dy vendeve që dominojnë futbollin botëror. Shpresoj që të mësoj nga De Biazi dhe të jem i suksesshëm”, deklaroi Lala. Ish-mesfushori pritet të jetë një pikë e rëndësishme referimi në staf, pasi si lojtar ka qenë gjithmonë një prej elementëve më të komunikueshëm në grupin kuqezi, si dhe një “kujdestar” për të rinjtë që integroheshin në kombëtare. “Çfarë u këshilloj të rinjve? Nuk ka gjë të re që duhet ta shpik unë tani. Është vetëm punë dhe seriozitet në punë”, theksoi Lala para gazetarëve.
Zëvendëstrajneri i ri i kombëtares ka dhënë edhe mendimet e tij për shortin e Euro 2016, që na ka vënë përballë skuadrave si Portugalia dhe Danimarka, ndaj të cilave ai ka luajtur vetë pak kohë më parë. “Është një grup shumë i vështirë. Kemi katër skuadra të tjera kundërshtare, tre prej të cilave janë shumë të forta. Por nuk i dihet, pasi kam eksperiencë si lojtar që mund të bëjmë surpriza. Gjithsesi, është një grup shumë i vështirë. E vetmja gjë pozitive është se skuadra që renditet e treta del në “play-off”. Ndaj sido që të jetë, nuk jemi pa shpresë, ndonëse është grup i vështirë”, ishte mendimi i 38-vjeçarit.
Kombëtarja
Altin Lala mban rekordin e ndeshjeve të luajtura me kombëtaren shqiptare, me 79 të tilla në 13 vitet që ka luajtur me kuqezinjtë