De Biazi, i lumtur me levizjet e kuqezinjve gjate merkatos
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të ketë vetëm përfitime nga lëvizjet e futbollistëve të saj, të cilët kanë qenë protagonistë të merkatos në ditët e fundit të 2014 dhe në fillimin e 2015. Sipas trajnerit të kuqezinjve, Xhani De Biazi, eksperienca që do të fitojnë lojtarët Andi Lila, Ermir Lenjani dhe Bekim Balaj në ekipet e tyre të reja do të shërbejë fillimisht për këta lojtarë e më pas për përfaqësuesen kuqezi, e cila në vitin 2015 do të kërkojë të realizojë ëndrrën e kualifikimit në Euro 2016.
“Besoj se transferimi i Andit në Itali te Parma është i rëndësishëm, sepse luan në një nga 4 kampionatet më të forta të Europës. Kjo eksperiencë do të ndihmojë në rritjen e tij personale, që do të ndihmojë edhe Kombëtaren tonë. Për sa i përket Lenjanit, është një diskutim krejt tjetër, sepse ai ishte në një situatë të ndryshme, pasi ishte në fund të kontratës dhe nuk e aktivizonin për t’i bërë presion. Shkoi te Rene në një kampionat me nivel. Është e rëndësishme për atë të shtojë eksperiencën duke luajtur me vazhdimësi dhe më pas do t’i shërbejë kombëtares sonë. Për sa i përket lëvizjes së fundit, të Bekim Balajt, ai ishte një futbollist që pavarësisht golit në Portugali nuk luante shumë me Slavian e Pragës dhe tani ka mundësinë të luajë me vazhdimësi në një skuadër që luan për titullin në Kroaci. Rijeka është në vendin e dytë dhe shpresoj të bëjë mirë, sepse ka një kontratë të gjatë, të fitojë më shumë eksperiencë dhe të ketë vazhdimësi në lojë, që deri tani nuk e ka pasur”, ishte opinioni i trajnerit në një prononcim për “SuperSport”.
Sipas tij, një meritë shumë të madhe në këto lëvizje të merkatos ka padyshim përfaqësuesja shqiptare. Rezultatet e mira të arritura prej saj u kanë dhënë më shumë shikueshmëri futbollistëve shqiptarë. “Besoj se kombëtarja është një vitrinë e rëndësishme. Një futbollist si Bekimi, që ra në sy me atë gol të mrekullueshëm në Portugali, nëse nuk luante mirë me kombëtaren, nuk do ta njihte askush duke luajtur në një skuadër si Slavia e Pragës. Kombëtarja është një trampolinë për shumë lojtarë dhe kush luan mirë bën një hap cilësor. E njëjta situatë edhe për Lenjanin, i cili në periudhën e fundit ka luajtur mirë dhe goli ndaj Danimarkës e ndihmoi të binte në sy. Ajo që shpresoj është që futbollistët tanë ta marrin seriozisht kombëtaren, sepse mbi të gjitha mund të jetë edhe një mundësi e mirë reklame për ata vetë”, vijoi trajneri italian.
Tashmë De Biazi shpreson që të gjithë këta lojtarë, ata që mbeten në merkato, apo edhe ata që kanë një pozicion të konsoliduar në klubet e tyre, të aktivizohen sa më rregullisht dhe të jenë sa më në formë në fundin e marsit, kur do të luhet ndeshja me Armeninë. “Le të themi që unë kam shumë ndrojtje për ndeshjen me Armeninë. Mendojmë se kjo është një ndeshje e lehtë, por është një ndeshje shumë e vështirë. Shpresoj që djemtë të vijnë në këtë ndeshje në formën ideale, në 100% dhe me motivimin e duhur, sepse duhet të paraqitemi mirë në këtë takim. Është shumë e rëndësishme kjo sfidë nëse dëshirojmë të arrijmë aty ku të gjithë dëshirojmë. Nuk po e them se ku, por e dimë se cili është objektivi ynë dhe do kërkojmë me forcë ta arrijmë. Shpresojmë që në mars djemtë të vijnë të karikuar dhe të përgatitur”, u shpreh 58-vjeçari, i cili shpreson që një ndihmë në javët në vazhdim të na vijë edhe nga Lozana, ku FSHF ka apeluar në CAS vendimin e UEFA-s për humbjen në tavolinë të ndeshjes me Serbinë.
“Pritshmëria ime është që të triumfojë drejtësia. Do të ishte humbje e të gjithëve nëse të dhunuarit do të trajtohen njësoj me ata që nuk kishin si objektiv të luanin në fushë dhe nuk vlerësonin rezultatin. Për ne që po barazonim në fushë është një padrejtësi, por shpresoj që CAS të ndryshojë tërësisht vendimin, që duhet bazuar në fakte reale. Të gjithë ata që kanë parë pamjet, persona të tretë që nuk kanë lidhje me Serbinë dhe Shqipërinë, më kanë thënë se si mund të luanit ju aty. Pres vetëm të bëhet drejtësia, që do të thotë që Shqipëria të çlirohet nga çdo akuzë, sepse ne nuk kemi braktisur ndeshjen, pasi ne nuk ishim në gjendje ta vijonim më tej atë ndeshje”.
Lojtarë të transferuar
Andi Lila – Nga PAS Janina te Parma
Ermir Lenjani – Nga St. Galen te Stad Rene
Bekim Balaj – Nga Slavia Pragë te Rijeka
Në merkato
Sokol Çikalleshi – RNK Split
Herolind Shala – Pa ekip
Amir Abrashi – Grasshoper
Ledian Memushaj – Peskara
Armando Vajushi – Liteks
Amir Rrahmani – Partizani
Hamdi Salihi – Hapoel Akre
Migjen Basha – Torino
Alban Meha – Paderborn
Jahmir Hyka – FC Luzern