De Biazi: UEFA nuk duhet te perballte Shqiperi-Serbi, s'ka lufte me Kosoven
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Intervistë e trajnerit të Kombëtares së Shqiptarëve, Xhani de Biazi dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara Trajneri i Shqipërisë, Xhani de Biazi tha se me trajnerin e Kosovës, Albert Bunjaki është gjetur mirëkuptim i plotë për të gjitha çështjet.
Trajneri De Biazi në intervistë gazetën tonë tha se Kosova do të lejojë të gjithë lojtarët që të luajnë për Shqipërinë në ndeshjet zyrtare dhe Shqipëria kur Kosova të përballet në miqësore.
De Biazi tha gjithashtu se trajneri Bunjaki i ofroi Shqipërisë të gjithë lojtarët, përfshi ata që ende nuk kanë vendosur për cilën skuadër të luajnë.
-Trajner, pas takimit me trajnerin e Kosovës, Albert Bunjaki, ju keni arritur dakordësi të plotë për të marrë çdo lojtar që Kosova tashmë mund ta ketë thirrur? A do të keni pengesa në grumbullimin e lojtarëve?
-Xhani de Biazi (Giovanni “Gianni” de Biasi): “Patëm një takim shumë pozitive, shujmë të rëndësishëm të përqendruar te bashkëpunimi.
Ai tha dhe u tregua shumë i gatshëm të na kërkonte për të na ndihmuar në zgjedhjen e lojtarëve të ndryshëm.
Ne do të dëgjohemi dhe ndërkaq unë do të ndjek ndeshjet miqësore të Kosovës kur ne, Shqipëria të mos ketë ndeshje për të patur më pas një vlerësim korrekt dhe të menjëhershëm të lojtarëve nga Kosova që do të na duhet të thërrasim. Mes ne të dyve nuk ka pasur kurrë konflikte!
Për fat të keq ndoshta dikush mund të ketë hedhur fjalët për të definuar pikërisht “luftë” apo gjëra të tilla dhe tani kemi bërë “paqe”.
Por, nuk ka patur asnjëherë luftë dhe nuk kemi bërë paqe, sepse përherë kemi pasur raporte shumë të mira dhe marrëdhënie të shkëlqyera.
Ne kemi një Kampionat Europian që na pret me eliminatore që nga shtatori.
Dhe, deri në fund kur Kosova nuk hyn dhe nuk bën pjesë në një turne zyrtar të menaxhuar nga FIFA ose UEFA, Federata e Futbollit të Kosovës do të kërkojë me të gjitha mënyrat të ndihmojë Federatën Shqiptare të Futbollit”.
-A është e mundshme, meqënëse rrethanat kanë ndryshuar, që një person nga Federata e Futbollit të Kosovës t’i bashkangjitet Ekipit Kombëtar (të Shqipërisë. v.j.)? Për shkak të ndryshimit të rrethanave, që ata e kanë një ekip.
-Xhani de Biazi: “Përse jo, përse jo? Tani është e qartë, që unë e kam ndërtuar stafin tim, por në të ardhmen përse jo e nuk është e thënë që të mos adaptohet një gjë e tillë”.
-Nëse i referohemi lojtarëve të veçantë, janë disa, Anel Rashkaj, Ilir Azemi që Kosova i ka thirrur, është edhe Dardan Rexhepi. I shihni të mundshëm ata që të afrohen me Kombëtaren?
-Xhani de Biazi: “Janë lojtarë, për të cilët kemi folur me Albert Bunjakin.
Majde, ka qenë pikërisht Alberti që më ka sugjeruar dhe ofruar që të kemi mundësinë që unë t’i shoh dhe t’i thërras dhe vlerësoj në të ardhmen, në momentin më të përshtatshëm”.
-Në mungesën prej 8 lojtarësh të dëmtuar, në tri ndeshjet me Rumaninë, Hungarinë dhe San Marinon, do të shërbejnë vetëm për t’i plotësuar si vende, apo edhe për parë mirëfilltas elementët që mund t’i zëvendësojnë në eliminatore?
-Xhani de Biazi: “Po, po, janë të gjitha ndeshje që do të më japin disa përgjigje, një përvojë, përsa i përket vlerësimeve përkatëse që do të kem për ata lojtarë.
Pikërisht në bashkëpunimin me Albert Bunjakin, me Kosovën do të luajë Debatik Curri në të dy ndeshjet miqësore, që më pas do të jetë me ne”.
-Për Shqipërinë, si Greqia edhe Serbia, janë kundërshtarë më shumë se sa futbollistikë. Besoj në historinë e shkuar të Italisë me Tirolin e Jugut (territor etnik austriak, në shtetin italian në veri. v.j.), ju e keni një ide të përgjithshme se çfarë ndodh mes fqinjëve. I trembeni përballjeve me Serbisë?
-Xhani de Biazi: “Jo, jo nuk kam frikë. Sigurisht që është vendim i UEFA-s.
Kur Armenia dhe Azerbajxhani janë shmangur për të mos qenë në të njejtin grup, popuj që deri në 10 vjet më parë janë përplasur mes njeri-tjetrit.
Por, nuk kuptoj që përse të mos ishte bërë e njejta gjë për Shqipërinë dhe për Serbinë”.
-Një trajner dëshiron gjithnjë të fitojë dhe këtë as që e vë në dyshim edhe për ju. Por, në rast se do të linit për të zgjedhur, fitoret me Serbinë, apo kualifikimin, cilin do të merrnit?
-Xhani de Biazi: “Natyrisht do të zgjidhja kualifikimin për në Francë, edhe duke marrë ndonjë humbje të mundshme.
Por, nuk është e thënë, sepse që të shkosh në Francë duhet të marrësh rezultate të mira edhe me Serbinë”.
-Faleminderit!
-Xhani de Biazi: “Faleminderit Ju”!