De Biazi: Nuk kemi fituar ende asgje!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Urimi - “Uroj që të përjetojmë një 2015 me suksese në çdo fushë, secili në punën e vet. Për ne, më e rëndësishmja është që në fund të kualifikueseve të jemi në një pozicion që të gjithë e dëshirojmë, por që për besëtytni nuk e themi”
Xhani De Biazi shpreson që viti 2015 të realizojë një ëndërr të vjetër të Shqipërisë futbollistike, kualifikimin në një turne madhor, por është i ndërgjegjshëm se ka ende shumë punë për ta bërë atë realitet. Tekniku i kuqezinjve, gjatë një prononcimi për “Procesin Sportiv”, ka bërë të qartë se rruga që kanë përpara kuqezinjtë, pavarësisht fillimit pozitiv të edicionit, është shumë e vështirë dhe çdo kundërshtar që do të kenë përpara gjatë vitit 2015, nuk do të jetë i lehtë, duke filluar nga Armenia që është rivali i radhës në eliminatorët e Euro 2016.
“Le te themi se nuk është ende e lehtë të kualifikohemi. E kemi filluar mirë, por pastaj është ajo ndeshja në Beograd që nuk na dha atë që sipas meje e meritonim në fushë. Presim gjykimin përfundimtar të Lozanës dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk kemi ende një kualifikim të sigurt e të mundshëm. Mungojnë shumë ndeshje. Kemi bërë vetëm 3 dhe kemi edhe 5 të tjera të rëndësishme. E para, shumë e rëndësishme, është më 29 mars, ku të gjithë harrojnë se Armenia është një skuadër që ka lojtarë të rëndësishëm. Kryesori është Mkhitarian, një prej lojtarëve më të fortë në futbollin europian”, tha trajneri italian.
Kualitetet që kanë në dispozicion kundërshtarët e Shqipërisë në grupin e eliminatoreve të Europianit janë vetëm një nga rreziqet që përballojnë kuqezinjtë. Një tjetër, po aq i rëndësishëm, është lehtësia me të cilën entuziazmohet ambienti pranë kombëtares. “Unë më shumë se ju, do të doja që të kualifikoheshim dhe të thosha se do shkojmë lehtësisht në Francë. Fatkeqësisht, nuk është kështu. Sigurisht, uroj që në fund të udhëtimit të shkojmë të gjithë bashkë në Francë, do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Fitorja në Portugali, barazimi këtu ndërsa ishim në avantazh ndaj Danimarkës, barazimi deri para ndërprerjes me Serbinë apo ndeshjet me nivel të lartë kundër Francës dhe Italisë, mendoj se do të thonë shumë pak. Kjo pasi ne entuziazmohemi lehtësisht dhe dëshpërohemi po me të njëjtën lehtësi. Mendoj se duhet të gjejmë një linjë sjelljeje sa më normale që të jetë e mundshme në këtë aspekt. Në të njëjtën kohë, besojmë se kualifikimi është i mundshëm, por duhet të përpiqemi të përmirësohemi ditë pas dite”, tha tekniku 58-vjeçar, i cili prej tre vitesh është ulur në stolin e përfaqësueses kuqezi.
De Biazi ka mbyllur edhe polemikën e krijuar në distancë me trajnerin e Vllaznisë, Baldo Raineri, i cili kishte shprehur zhgënjimin pse italiani nuk kishte vizituar ekipin e tij pas ndeshjes me Skënderbeun, siç kishte bërë me korçarët. “Isha në Shkodër për të parë stadiumin natën. E kisha parë vetëm ditën pa njerëz dhe desha ta shihja në darkë me spektatorë, pasi mund të jetë një impiant i mundshëm ku të luajmë kualifikueset tona. Ishte një eksperiencë e bukur, më pëlqeu shumë publiku, kishte shumë njerëz entuziastë. Ishte edhe një ndeshje e bukur, por vizita nuk kishte asnjë qëllim tjetër përveç kësaj”, deklaroi de Biazi.