e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi: Ne dy ndeshjet me Norvegjine luajme kualifikimin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi: Ne dy ndeshjet me Norvegjine luajme kualifikimin
Shqipëria e rinis më në fund aventurën eliminatore të Botërorit 2014, ku më 22 mars do të përballet me Norvegjinë në Olso dhe më datë 26 në miqësore ndaj Lituanisë në Tiranë.

Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, e ka të qartë objektivin ndaj norvegjezëve, që është domosdoshmërisht një rezultat pozitiv, i cili do ta mbante Shqipërinë ende në lojë për kualifikim. Ai e pranon se dy përballjet me Norvegjinë do të vendosin shumë në këto eliminatore dhe pavarësisht se kundërshtarët janë të favorizuar, sfidat me ta mbeten të hapura. “Me Norvegjinë do të zhvillojmë dy ndeshjet kyçe dhe më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve brenda më pak se dy muajve. Ata kanë një skuadër të fortë, me lojtarë që luajnë në kampionatet më të rëndësishëm të Europës.

Në Norvegji luajmë një pjesë të madhe dhe të rëndësishme për kualifikimin. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, ndryshe do të rrezikojmë shumë. Gjithsesi, të dyja sfidat janë të hapura”, nënvizoi trajneri i kuqezinjve, i cili nuk firmos për barazimin, ndërsa kërkon përqendrim maksimal nga skuadra: “Nëse do të firmosja për barazimin. Nuk e di, të shohim në fund të ndeshjes. Mund të them se pas atyre që kemi arritur deri tani, mendoj se skuadra ka gjetur ekuilibrin e duhur. Sigurisht, kundër Norvegjisë duhet të jemi të përqendruar.

Po ashtu, skuadra duhet të shfrytëzojë ato 3-4 mundësi shënimi”, nënvizoi ai. Më pas, tekniku italian ka komentuar edhe deklaratën e kolegut të tij norvegjez, Egil Olsen, që i konsideron futbollistët kuqezi mushkonja të bezdisshme: “Trajneri i Norvegjisë ka më shumë përvojë se unë dhe duke pasur parasysh edhe moshën, thjesht jam dakord me të. Unë me të vërtetë shpresoj që të jemi të bezdisshëm si mushkonjat, edhe sepse jemi më të shkurtër se ata. Mushkonjat të japin bezdi, por ndonjëherë të prishin edhe gjumin. Unë shpresoj të ndodhë kështu, kundër norvegjezëve”.

Migjen Basha dhe Valdet Rama grumbullohen për herë të parë në Kombëtare, por trajneri i Shqipërisë nxitoi të sqaronte se me shumë mundësi asnjë nga futbollistët në fjalë nuk do të mund të zbresë në fushë ndaj norvegjezëve. “Në listë kemi 25 futbollistë, sepse janë përfshirë Migjen Basha dhe Valdet Rama. Sigurisht që Rama nuk do të mund të luajë me Norvegjinë, për arsye dokumentacioni, ndërsa për Bashën shpresojnë të vijë bekimi nga lart. Nëse vendimi i FIFA-s merret sot, ai mund të luajë menjëherë. Për momentin ata janë grumbulluar në skuadër që të jenë pjesë e grupit, pjesë e Kombëtares, që të familjarizohen me futbollistët e tjerë. Ndërsa, të dy këta lojtarë mund t’i aktivizojmë në miqësoren me Lituaninë”.

Nuk mund të mungonte komenti i De Biazit rreth vendimit të 19-vjeçarit Elvis Kabashi, për të mos pranuar në të ardhmen ftesën e Shqipërisë, sikurse veproi pak kohë më parë edhe Mërgim Brahimi: “Brahimi dhe Kabashi janë futbollistë të rinj, që akoma nuk kishin treguar cilësitë e nevojshme për të qenë pjesë e kombëtares A. Me përfaqësueset e moshave kanë bërë mirë dhe prisnim momentin e duhur për t’i grumbulluar, por nëse dikush kërkon t’i djegë etapat, atëherë do të mbetet vetë i djegur. Kabashin e kisha shumë në konsideratë, por ndoshta është këshilluar keq. Unë e kisha në konsideratë, por presioni ‘ose luaj në Kombëtare, ose nuk vij’, është shenja e parë që tregon se nuk mund të shkosh gjëkundi”.

Basha dhe Rama

Basha dhe Rama nuk do të luajnë kundër Norvegjisë. I pari pret përgjigjen e FIFA-s, i dyti nuk ka ende pasaportë shqiptare. Por do të aktivizohet kundër Lituanisë