e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi: Jam gati per projektin e ri!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi: Jam gati per projektin e ri!

Xhani de Biazi ka vendosur të flasë hapur rreth rinovimit të kontratës së tij, duke bërë të qartë se është gati të nisë projektin e ri dyvjeçar në kualifikueset e Euro 2016. Trajneri italian ka zbuluar në konferencën për shtyp para ndeshjeve me Zvicrën dhe Islandën se pavarësisht ofertave që i kanë ardhur nga Olimpiakos apo APOEL, ai ishte gati të rinovonte kontratën e tij me Shqipërinë për të drejtuar atë që e cilëson “një ekip më të ardhme”.

Rinovimi i kontratës

Tekniku i kuqezinjve ka sqaruar se ekziston dëshira që të vazhdohet në të njëjtin drejtim edhe për dy vite të tjera, ndonëse palët nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për sa i përket akordit financiar. “Jam i gatshëm të rimarr në dorë situatën për të projektuar një dyvjeçar të ri me Federatën. Po diskutojmë disa aspekte që kanë lidhje me marrëveshjen, por ekziston vullneti nga ana ime dhe nga ana e presidentit Duka për të vazhduar bashkërisht. Presidenti Duka, në një letër tonën private, në një moment shumë të keq futbollistik, pas dy humbjeve, na ka shprehur dëshirën e tij për të vazhduar me ne dhe dëshirën për të na treguar vlerësimin e tij për punën e kryer këtu pavarësisht dy humbjeve të fundit. Mendoj se kjo është një shprehje vlerësimi e rëndësishme të cilën unë bashkë me bashkëpunëtoret e mi e kemi vlerësuar shumë. E përsëris që vullneti im është të vazhdoj këtë projekt me Federatën, të mundohem ta bëj në mënyrën më të mirë të mundshme. Por kjo nuk do të thotë se do të dorëzohem dhe do të kënaqem vetëm me atë që më jep Duka”, tha De Biazi, duke shtuar me humor se kjo frazë e fundit ishte titulli që priste të shihte në të gjitha gazetat.

Dënimi i Vajushit

Trajneri ka bërë të qartë se nëse qëndron në drejtimin e kombëtares shqiptare, pjesë e saj nuk do të ishin më “të pakënaqurit”, ata që kërkojnë me çdo kusht të luajnë. Shembulli i parë i kësaj politike të re është bërë Armando Vajushi, i cili nuk është grumbulluar, pasi me sa duket ka shprehur pakënaqësi ndaj qëndrimit në stol. “Unë besoj se kur një lojtar grumbullohet me kombëtaren, buzëqeshja e tij duhet të shkojë deri në majë të kokës. Besoj se kohët e fundit, ndonjë lojtar ka humbur disi këtë entuziazëm, pasi nëse luan është diçka, nëse jo është një tjetër. Mendoj se të jesh pjesë e 23 lojtarëve që grumbullohen, duhet të të japë një kënaqësi të jashtëzakonshme, aq sa duhet të marrësh avionin e parë dhe të vish me shpejtësi në grumbullim. Kohët e fundit, kam parë ndonjë lojtar që po i humb rrugës këto ndjesi, përmend Vajushin, por e kam fjalën edhe për të tjerë. Kjo do të jetë tema e fjalimit që do të bëj para skuadrës. Do të doja që të qartësohesha mirë: për mua ky është angazhimi i parë i vërtetë që duhet të kenë djemtë e mi. Mua për klubet e tyre nuk më intereson absolutisht asgjë, kur vijnë këtu, duhet të vijnë me gëzim, me dëshirën për të shpërthyer. Unë kur shoh njerëz që kanë pak dëshirë dhe shtrembërojnë fytyrën kur nuk luajnë, mendoj se me mua do të bëjnë pak rrugë”, paralajmëroi trajneri i kombëtares shqiptare.

Sadiku dhe Çani

Grumbullimi i parë i Loret Sadikut dhe mungesa e Edgar Çanit kanë qenë dy tema mjaft të rëndësishme të trajtuara në konferencën për shtyp të trajnerit italian, me këtë të fundit që ka hedhur poshtë konceptin e futbollistit “të paprekshëm”. “Këtu i paprekshëm nuk është asnjë. Siç e shihni, grumbullimet nuk janë fikse, nuk i bëjmë fotokopje për çdo ndeshje. Loret Sadikun nuk e dimë ende nëse do të jetë në dispozicionin tonë, pasi po bëjmë si gjithmonë procedurat (në FIFA). Mungesa e Çanit? Nuk është në gjendjen fizike optimale në këto momente. Nuk po kalon disa nga momentet më të mira, ka nevojë të rigjejë veten dhe largimi nga kombëtarja për momentin, mund ta ndihmojë ta bëjë një gjë të tillë, të gjejë rrugën e vet”.

Çështja “Kaçe”

Trajneri ka cilësuar si të papranueshme trajtimin që i është bërë në Greqi futbollistit shqiptar, duke zbuluar se ka kontaktuar edhe personalisht me përfaqësuesit e klubit grek. “Gjej rastin edhe një herë të them se më duket një sjellje absurde ndaj një djaloshi 20-vjeçar, një sjellje e papërfytyrueshme. Kam folur edhe me Zizis Vrizas, që është zëvendëspresidenti i klubit të tij, ka qenë futbollisti im te Torino. Ai më ka thënë se fatkeqësisht, situata në aspektin e mjedisit që i rrethon është shumë e vështirë të menaxhohet. Unë besoj se ata kanë gabuar menaxhimin e situatës që nga fillimi, por çdokush është i lirë të bëjë çfarë të dojë në shtëpinë e vet. Sipas meje, me Kaçen është kaluar çdo kufi”.

Afrimi i Januzajt

Nuk mund të kalonte pa u përmendur shpërthimi i talentit të Mançester Junajtid, Adnan Januzaj, për të cilin trajneri italian ka folur përsëri me superlativa, duke theksuar gjithashtu se hyrja e Anglisë në garë komplikonte disi situatën. “Po përsëris atë që kam thënë në të kaluarën, është një lojtar të cilit duhet të dimë si t’i afrohemi. Unë mendoj se duhet të jemi në gjendje t’i ofrojmë një rol të rëndësishëm, ta bëjmë të ndihet i vlerësuar. Më pas, kur të kemi në dorë këto letra, mund të shkojmë të flasim me të. Problemi i vetëm është se ia ka hedhur sytë edhe Anglia dhe nuk di se sa shanse do të kemi ne përballë saj. Shtoj se do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që ta afrojmë. Unë besoj se për një lojtar të ri, që ndodhet në një udhëkryq me tri rrugë përpara, Shqipëri, Belgjikë apo Angli, nuk është shumë e lehtë. Një lojtar që luan te Mançester Junajtid, që bën dy gola si ato të së shtunës, sidomos ai i dyti, diçka fantastiko-shkencore… sipas meje nuk është e lehtë. Pastaj nuk është vetëm familja, është edhe menaxheri që i jep një drejtim apo një tjetër”, vijoi trajneri italian.

Ndryshimi i mentalitetit

De Biazi është i bindur se Shqipëria nuk do të shfaqë në dy ndeshjet e radhës dështimet e zakonshme, të cilat përsëriten në fund të çdo edicioni, ndërsa mendon se ndaj Zvicrës e Qipros duhet provuar edhe ndryshimi i mentalitetit. “Unë jam i bindur se duhet të luajmë këto dy ndeshje me vendosmëri dhe egërsi, një egërsi që fatkeqësisht mungoi në ndeshjen në Islandë dhe kjo është një prej karakteristikave që ky grup lojtarësh nuk mund të humbasë kurrsesi. E rëndësishme është që skuadra të mos pësojë shumë emrin e kundërshtarit dhe rëndësinë e ndeshjes. Ne, dy ndeshjet e fundit i kemi humbur, sepse e dinim se hipotekohej shumë nga suksesi final në këto rezultate. Me shumë mundësi, nuk ekziston zakoni për të luajtur nën një trysni të tillë, pasi janë pak ata lojtarë tanët që janë mësuar të luajnë për objektiva të rëndësishëm. Ndërsa kundërshtarët me të cilët do të ndeshemi pas pak ditësh, kanë 9 futbollistë që luajnë në Ligën e Kampioneve. Por do të zhgënjehesha shumë nëse këto dy ndeshje do t’i zhvillonim poshtë atyre që janë mundësitë tona”, përfundoi trajneri i përfaqësueses shqiptare.

 

Botërori 2014

Grupi E

11.10.2013

Slloveni-Norvegji

Islandë-Qipro

Shqipëri-Zvicër

15.10.2013

Norvegji-Islandë

Qipro-Shqipëri

Zvicër-Slloveni

Skuadra    Nd.  P.

Zvicër     8    18

Islandë    8    13

Slloveni   8    12

Norvegji   8    11

Shqipëri   8    10

Qipro 8    4