e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi 'Dua t'ju coj ne Europianin e Frances!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi 'Dua t'ju coj ne Europianin e Frances!

I qetë, filo-italian, sepse ndryshe të ndodhë nuk ka se si, me batutën që nuk i mungon kurrë, trajneri që tentoi të çonte Shqipërinë në Botëror, sërish mendon për gjatë. Ndjekës shumë i rregullt i të gjithë asaj që vërtitet rreth tij, deri në detajin më të vogël, De Biazi kuqezi vazhdon të mos heqë dorë nga dëshira për një vazhdimësi. Sepse, tashmë ka nisur të “dashurojë” këtë skuadër që mund të konsiderohet edhe si një “foshnje” që gjeti diku në një vend në “Qemal Stafa”, dhe dalëngadalë nisi ta “ushqente” me import

Përvojë e jashtëzakonshme para mediave, edhe pse në momente të ndryshme arrin në një lloj nervozizmi me stil, duke lexuar gjithçka që flitet për të. Gëlltit çdo gjë, por kurrsesi një diçka që nuk mund të jetë pjesë e së vërtetës. Italia dhe Spanja e kanë regjur mediatikisht, dhe së fundmi Shqipëria. Tashmë ka një “betejë” në tavolinë për të mbyllur, por deri tani çdo gjë mbetet me asist në heshtje. Sidoqoftë, Xhiani e pranon: “Tani, vendos unë!”
 
Një kalvar i gjatë bisedimesh, dhe ende nuk po vjen firma…


E kam përsëritur shpesh dhe vazhdoj që ta përsëris. Xhani de Biazi ka vullnetin e tij që të vazhdojë edhe një edicion me këtë skuadër. Përtej modestisë, por mbi një bazë logjike realiteti, mendoj që në një pistë garimi De Biazi është një hap më përpara, kushdo trajneri tjetër që do të vinte në krye, sa i përket njohjes, apo edhe hapësirave për eliminatoret e ardhshme. Kemi bërë një punë të mirë, në një kohë që unë dua të vazhdoj. Nëse do të desha largimin, kjo mund të ndodhte shumë më përpara, por unë dua që të jem pranë kësaj skuadre, ta trajnoj atë dhe për të arritur maksimalen…
 
…maksimale? Çfarë doni të thoni me këtë?


Që, të shkojmë ne fazën finale të Francës, si një skuadër e kualifikuar. Dua dhe besoj që me këtë grup që po kolaudohet çdo ditë e më shumë, të shkojmë në finalet e vendit të presidentit Platini. A është e arritshme? Përse jo? Natyrisht që varet edhe nga rrethanat e asaj që do të servirë shorti, por kësaj radhe do të nisim ndryshe. Sepse skuadra është, mentaliteti po kështu, atëherë, le të finalizojmë.
 
Në lidhje me kontratën, “topi’ është në fushën e presidentit?


Unë do të mendoja ndryshe. Duka ka bërë ofertën e tij, dhe mendoj se ai që duhet të thotë fjalën e fundit është trajneri. Raporti dhe komunikimi ka qenë korrekt. Topi është në fushën time. Për momentin, jam ende në fazë reflektuese, por më duhet të vendos, edhe pse në një farë mënyre po e kristalizoj si veprim.
 
Impakti që dha shifra 1 milionë euro…?


Shiko, ruaj deri në fund atë që mund të quhet raport korrekt dhe të sinqertë me median, por kjo e fundit ishte një fabrikim i vogël që nuk meriton një koment. Më duket shumë e ulët. Nuk është aspak e vërtetë. Nuk ka lidhje aspak me shifrën 1 milionë euro. Thjesht ajo që është shpërndarë në opinion nuk ekziston. Dhe shpreh keqardhje, më shumë nuk kam se çfarë mund të them. Presidenti Duka, në një letër tonën private, në një moment shumë të keq futbollistik, pas dy humbjeve, na ka shprehur dëshirën e tij për të vazhduar me ne dhe dëshirën për të na treguar vlerësimin e tij për punën e kryer këtu, pavarësisht dy humbjeve të fundit. Mendoj se kjo është një shprehje vlerësimi e rëndësishme të cilën unë bashkë me bashkëpunëtoret e mi e kemi vlerësuar shumë. E përsëris që vullneti im është të vazhdoj këtë projekt me Federatën, të mundohem ta bëj në mënyrën më të mirë të mundshme
 
Një fund eleminatoresh me një skuadër të formuar, por një edicion që gjithsesi dha sinjale shumë të mira…


Ekipi i Shqipërisë ka një grup shumë të mirë lojtarësh të cilët kanë treguar vlerat e tyre në çdo ndeshje me përjashtim të atyre të fundit. Një grup futbollistësh të cilët janë harmonizuar mes tyre dhe kanë arritur të japin një tjetër mesazh, duke qenë në fushë një skuadër kompakte. Natyrisht, kemi zhvilluar ndeshje të mira, kemi qenë shpesh edhe në situata ku nuk kemi pasur fatin pas nesh, por që gjithsesi u rikthyem në këmbë në tokë sepse duhet shumë punë për të arritur një objektiv të madh. Mangësia më e madhe është mungesa e eksperiencës dhe fakti që nuk bëjnë rezultat pozitiv sepse kanë frikë…
 
Sa shanse ka realisht kombëtarja shqiptare për të prekur “play-offin”?


U kam thënë lojtarëve të mi, për aq sa ka jetë…ka edhe shpresë. Unë kam kaluar shumë gjëra në jetë dhe jam mësuar edhe me faktin e të mos arriturit të objektivit, por kam punuar sërish më fort për t’ia dalë. Duhet të bëjmë maksimumin në këto ndeshje dhe deri në fund të eliminatoreve, për të treguar gjithashtu edhe vlerat e ekipit tonë. Ne nuk kemi asgjë për të humbur, prandaj do të provojmë të arrijmë më të mirën, duke luajtur me zemër dhe me inteligjencë.


Vazhdon të mbetet pezull çështja e kontratës…


Jemi në bisedime me presidentin e Federatës dhe situata është shumë pozitive. Po ju them që kemi firmosur, por nuk ja u tregojmë (qesh). Sigurisht që dëshira ime është e madhe për të vazhduar me ekipin kuqezi dhe do ta merrni vesh në ditët e ardhshme vendimin përfundimtar.
 
Prej një jave, Adnan Januzaj ka pushtuar Evropën. Sa shanse ka që të zgjedhë Shqipërinë?


Ai është një lojtar fantastik për të cilin janë futur në “luftë” shumë ekipe të cilat duan shërbimet e tij. Të gjithë do të donin që të zgjidhte Shqipërinë, por ende nuk dihet fati i tij. E kam thënë edhe më parë që duhet të dimë t’i afrohemi atij lojtari në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne mund t’i bëjmë një ftesë atëherë kur kemi çfarë t’i ofrojmë lojtarit. Tani që është futur në garë edhe Anglia mundësitë janë shumë të vogla, por ne po e monitorojmë me vëmendje. Megjithatë për këtë temë do të flasim duke filluar nga e mërkura…
 
Mister, a duhet të përputhet shiriti i kapitenit me liderin e kombëtares?


Nuk flas për këtë çështje. Kapiteni Cana është një lojtar fantastik, që të gjithë do të donin ta kishin në ekip. Kujtoni që vetëm në 15 ndeshjet e fundit ka luajtur gjashtë ndeshje dhe ka bërë paraqitje të shkëlqyera. Megjithatë, e konsideroj kohë të humbur për të folur për shiritin e kapitenit.
 
Çfarë note do t’i vendosni kësaj kombëtareje që keni krijuar?


Unë jam gjithmonë kritik i vetes. Edhe kur fitojmë një ndeshje mundohem të gjej aty momente negative të cilat duhet t’i rikuperojmë për të ardhmen. Kjo është puna ime dhe e të gjithë atyre që janë pas kuintave siç thuhet. Jo gjithçka duket në fushën e lojës. Ne punojmë shumë për të bërë gjithmonë më të mirën, por janë të tjerët ata që duhet ta vlerësojnë punën time dhe jo unë.