e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Dajti kerkon ballafaqim me oficerin e operacionit: Do flas per vrasjen e 2 policeve

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Dajti kerkon ballafaqim me oficerin e operacionit: Do flas per vrasjen e 2 policeve

Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër policëve në masakrën e Durrësit, vijoi në seancën e djeshme rrëfimin për atë që ai e quan “Kutia e Pandorës”. Gjatë seancës së djeshme, e cila u shty për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, Dajti rikonfirmoi edhe një herë se Saimir Duçkollari nuk është vrarë prej tij. Ai gjithashtu paralajmëroi se seancën e ardhshme do të rrëfejë vrasjen e dy policëve, që sipas tij janë kryer në Tropojë nga drejtuesi i operacionit për arrestimin e tij më 7 gusht të vitit 2009. “Dua t’u kujtoj se nuk kam harruar që do flas për vrasjen e dy policëve, kur ju keni qenë gjyqtar në Tropojë dhe Arjan Muça oficer. Unë po iki”, – tha Dajti në përfundim të seancës gjyqësore, duke iu drejtuar kryesuesit të trupit gjykues, Idriz Mulkurti. Më herët, gjatë seancës Dajti kërkoi të ballafaqohej me oficerin e policisë F.G., të cilin e akuzon për vrasjen e kolegut të tij, Saimir Duçkollari.

Ai tha se është i gatshëm të vazhdojë gjykimin pa avokat mbrojtës nëse oficeri ballafaqohet me të. “Saimir Duçkollari u qëllua pas shpine nga F.G., unë si i pandehur kërkoj që të pranohet kërkesa ime për t’u ballafaquar me F.G. Unë si i pandehur jam i gatshëm të vijoj pastaj gjykimi pa avokat nëse F.G vjen për ballafaqim, por kam edhe një kusht tjetër, që të kem regjistrimet t’i dëgjoj, edhe media të jetë këtu. E kërkoj këtë ballafaqim pasi gjyqtarja Nertina Kosova ma hoqi të drejtën ta pyesja kur ai ishte këtu”, – tha Dritan Dajti. Sipas tij, aktet e prokurorisë dhe ekspertimi mjeko-ligjor tregojnë qartë se Saimir Duçkollari është qëlluar nga një armë me kalibër më të madh se pistoleta që ai ka përdorur. “Është pretenduar se ka një ekspertizë që më bën mua fajtor, por unë pretendoj dhe sfidoj këdo dhe kurdo se nuk ka patur dhe nuk ka asnjë ose ndonjë ekspertizë, ekspert apo çfarëdolloj që të ketë arritur në konkluzionin se Dajti ka vrarë Saimir Duçkollarin.

Kam për këtë të gjitha provat, balistike dhe kimike, ai është vrarë pas shpine nga kolegu i tij. Dua të them se e vërteta e vrasjes së tij është krejt ndryshe, të gjitha provat shkencore vërtetojnë këtë gjë”, – tha Dajti. Më herët në këtë seancë nuk kanë munguar replikat mes Dritan Dajtit dhe prokurorit të çështjes. Shkak është bërë kërkesa e të pandehurit për t’i vënë në dispozicion një pajisje me anën e së cilës të dëgjojë regjistrimet audio që u bëhen seancave gjyqësore në ngarkim të tij. Por në këtë moment ka ndërhyrë prokurori, i cili tha se Dritan Dajti është i pandehuri më i privilegjuar i drejtësisë shqiptare. Pas kësaj deklarate ka reaguar Dajti, i cili kërkoi nga gjykata të regjistrohej fjala e prokurorit. “Kërkoj të shënohet në seancën e sotme ajo që prokurori tha për privilegjimin tim nga drejtësia, ai e tha, por sekretarja nuk e shkroi.

Është njësoj sikur më jepni samarin, por jo gomarin”, – tha Dajti. Menjëherë ka ndërhyrë gjykata, e cila i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit, por Dajti është përgjigjur menjëherë me shprehjen: “Nga fshati jemi, s’marrim vesh gjë”. Pas debatit i pandehuri tha se jo vetëm nuk është privilegjuar sikundër pretendon prokurori, por ndaj tij janë ushtruar veprime të paligjshme. Në kushtet kur dy avokatët e caktuar nga gjykata nuk morën përsipër mbrojtjen e tij, trupi gjykues vendosi të caktojë dy mbrojtës të tjerë nga lista e avokatëve kryesisht, duke shtyrë kështu seancën e radhës ndaj Dritan Dajtit.