e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Curri e Dallku: Duam nje ‘big’ nga vazo 1

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Curri e Dallku: Duam nje ‘big’ nga vazo 1
Futbollistët e Kombëtares shqiptare së bashku me trajnerin Josip Kuzhe janë të përqendruar te verdikti i goglave në Rio de Zhaneiro, ku do të hidhet shorti për eliminatoret e Kupës së Botës, Brazil 2014. Dy mbrojtësit kuqezinj, Debatik Curri dhe Armend Dallku kanë preferenca të ndryshme për sa i takon kundërshtarëve të mundshëm, ndërsa janë dakord në pikën ku kërkojnë të paktën një rival ‘big’ nga vazo 1. Curri, ashtu si kapiteni Altin Lala, dëshiron të luajë kundër 4 herë kampionëve të botës, Italisë. “Do të më pëlqente që në grup të kishim përballë Italinë, Gjermaninë ose Anglinë, - tha lojtari i Gençlerbirligisë për gazetën kosovare ‘Express’. - Nuk kam luajtur asnjëherë kundër këtyre kundërshtarëve dhe do të më pëlqente që kjo të ndodhte gjatë kualifikueseve të Botërorit 2014. Shqipëria është paraqitur gjithmonë mjaft mirë përballë kundërshtarëve të fortë”. Ai shpreson të evitohen duelet me ekipet skandinave: “Shpresoj që të mos kemi në grup skuadra si Danimarka apo Suedia, pasi ata janë kundërshtarë mjaft të vështirë, kundër të cilëve Shqipëria nuk ka luajtur mirë”.

Edhe Dallku shpreson se kuqezinjtë do të luajnë me një prej skuadrave më të mëdha në kontinent, ndërsa si preferencë të parë ai ka kampionët e Europës dhe botës në fuqi, Spanjën. “Shpresoj që shorti të na vendosë përballë një kundërshtari të madh siç është Anglia, Spanja ose Gjermania. Në këtë mënyrë, në Tiranë do të vinte një skuadër me yje dhe ne do të motivoheshim të zhvillonim një ndeshje sa më të mirë”, - tha ai. Sipas lojtarit të Vorskla Poltavës, ideale do të ishte të evitoheshin skuadrat ballkanase: “Shpresoj t’i shmangemi ekipeve nga Ballkani si Bosnja apo Kroacia, të cilat kanë mentalitet të ngjashëm. Gjithashtu, nuk më pëlqejnë as skuadrat si Irlanda, të cilat praktikojnë futbollin fizik dhe me topa të lartë”.