Cungu, me llogari në Korçë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vllaznia është nisur dje drejt Korçës me llogari, duke lënë të kuptohet se ndaj Skënderbeut e shikon gati të pamundur arritjen e një rezultati pozitiv.
Në kampin shkodran mendojnë se ndeshja pasardhëse ndaj Teutës në shtëpi është më domethënëse.
Këtë e ka pranuar edhe vetë trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, në daljen e djeshme para mediave. Duke qenë se tetë lojtarë kanë nga dy kartonë të verdhë dhe rrezikojnë të mungojnë në ndeshjen tjetër, në rast se sot ndëshkohen, por shto edhe faktin se dy të tjerë janë të dëmtuar, kanë bërë që te Vllaznia t'i llogarisin mirë gjërat.
Për Cungun asgjë nuk ka përfunduar sa i përket mbijetesës, edhe pse është 8 pikë larg zonës së ftohtë. Trajneri shkodran shpreson se skuadra nuk do të rrezikojë.
Armando, cila është situata në skuadër në prag të ndeshjes ndaj Skënderbeut?
Situata është e qetë dhe kjo ka ardhur pas fitores së arritur në Ballsh. Normalisht, gjatë kësaj periudhe kemi punuar me qetësinë e duhur. Gjendja nuk është e keqe, por kemi probleme me dy lojtarë si Vrapi apo Kalaja, të cilët janë dëmtuar. Ndërsa një gjë negative është fakti se 8 lojtarë i kemi me nga 2 kartonë të verdhë.
Kjo do të thotë se mendoni më shumë për ndeshjen pasardhëse?
Në ndeshjen ndaj Skënderbeut do të shikojmë që të kemi në përbërje lojtarët që kanë më pak kartonë, në mënyrë që të mendojmë edhe për takimin me Teutën, që është shumë domethënëse për ne. Distanca prej 8 pikëve nuk është e madhe, por gjithsesi në Korçë shikojmë për më të mirën.
Gjithsesi, duket sikur Vllaznia do të shkojë e dorëzuar në Korçë...
Ne po llogarisim dhe po bëjmë më të mirën për Vllazninë. Nuk mund të them që lojtarët që do të aktivizohen ndaj Skënderbeut nuk do të bëjnë më të mirën dhe nuk do të kërkojnë pikë në Korçë. Atyre po u jepet një shans për të treguar vlerat më të mira, po ashtu edhe të kërkojnë maksimumin në fushë. Unë pres shumë nga këta djem dhe do të kërkojmë pse jo edhe një rezultat pozitiv. Futbolli është i tillë, që të lë të besosh dhe shpresosh te rezultati pozitiv deri në fund.
Nuk jeni i qetë as me 8 pikë larg zonës së ftohtë?
Derisa janë nëntë javë dhe 27 pikë në lojë, unë vazhdoj që të këmbëngul se asgjë nuk ka përfunduar. Ne do të jemi të vëmendshëm deri në minutën e fundit, kur matematika do të na lejonte të themi se kemi siguruar qëndrimin në Kategorinë Superiore. Vërtet jemi 8 pikë larg, por kjo nuk duhet që të na vërë në gjumë që të rrezikojmë rënien.
Përgatiti: ADMIR URUÇI