Çmenden grekët: Ja si Hasi i dha leksion Olimpiakosit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nuk ndodh shpesh që mediat greke të bëjnë elozhe për futbollistët apo trajnerët shqiptarë. Megjithatë, ka mjaftuar eliminimi i Olimpiakosit në Ligën e Europës nga Anderlehti i Besnik Hasit, që gazetat helene të "shpërthejnë".
Trajneri kosovar, dikur kapiten i Kombëtares shqiptare, ka fituar gjatë së premtes një hapë- sirë të madhe në gazetat dhe portalet greke. Dhe e dini pse? Sepse i ka një leksion homologut të tij në pankinën e Olimpiakosit, portugezit Marko Silva.
Në ndeshjen e së enjtes, që shkoi në shtesë, Anderlehti fitoi 2-1, duke u kualifikuar. Sipas grekëve, gjithçka ishte për meritë të lëvizjeve të shqiptarit. Madje, një nga portalet prestigjioze në Greqi, "zougla.gr", në shkrimin për Hasin, nuk ka ngurruar të vendosë një titull ofendues për kreun e pankinës së Olimpiakosit. "Shqiptari i hoqi mbathjet Silvës", shkruhej në kryeartikullin e portalit të njohur grek.
Analiza - Duke u futur në brendësi të analizës së ndeshjes, portali grek fokusohet te lëvizjet e Hasit gjatë ndeshjes, që i cilëson gjigante, ndërsa argumenton pse Anderlehti i tij mundi Olimpiakosin. "Futbolli është loja e detajeve dhe trajneri i Olimpiakosit, Marko Silva, u soll gjatë ndeshjes me Anderlehtin, sikur mos të ishte në stol.
Ashtu siç po merrte rrjedhë loja, dukej sikur Silva nuk kishte lidhje me ndeshjen. Ai nuk shikonte që gjërat po i shkonin keq e mos më keq. Dhe duke qenë se në këtë dreq futbolli nuk mund të jesh i sigurt për asgjë, dukej qartë se ndeshja po shkonte drejt kohës shtesë, ku përsëri edhe atje nuk ka siguri nëse do të kualifikohesh ose jo.
Këtu del në skenë trajneri shqiptar i Anderlehtit, Besnik Hasi. Ai nxori nga loja lojtarin e tij kryesor, Duriçiç. Lëvizje gjigante! Ky ishte zëvendësimi i parë i Hasit në minutën e 82-të. Ndërsa Silva i kishte kryer dy zëvendësime dhe të tretin e bëri në të njëjtën kohë me zëvendësimin e parë të kolegut shqiptar.
Ishte e dukshme që trajneri i Olimpiakosit e dëshironte kualifikimin brenda 90 minutave, por kishte harruar që në futboll ka edhe... kohë shtesë. Olimpiakosi dukej që në pjesën e dytë nuk ishte i aftë që ta vriste ndeshjen dhe psikologjikisht ishte në rënie e sipër.
Shqiptari i Anderlehtit e mbushi karikatorin në shtesë, ndërsa portugezi i Olimpiakosit e luajti shtesën me karikator bosh, pa plumba", citohej ndër të tjera në shkrimin kushtuar trajnerit Besnik Hasi, dje në mediat helene. Skuadra që prej dy vitesh drejton 44- vjeçari nga Gjakova mposhti grekët me dy gola në kohën shtesë. Nga tre zëvendësime, dy prej tyre Hasi i përdori në shtesë, duke bërë diferencën kundër kampionëve grekë, ku luan edhe Pajtim Kasami.