e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Cikalleshi premton gol: Dua të shënoj sa më shumë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cikalleshi premton gol: Dua të shënoj sa më shumë

Pak muaj më parë i duhej të hiqte qafe shtyllat. Sokol Cikalleshi sakrifikohej me Kombëtaren, krijonte shumë volum dhe mbante skuadrën para, por çuditërisht ishin shtyllat që e pengonin për të arritur te goli.Sokol-Cikalleshi Tabuja e shtyllave tashmë është thyer dhe finalizimet e tij kanë qenë spektakolare në Turqi me Istanbul Basaksehir. Cikalleshi shpreson që të shënojë sa më shumë për Kombëtaren, duke filluar nga miqësoret.

"Në këtë periudhë golat e bukur po më ndjekin, por nëse do shënoj edhe golat e thjeshtë i bie të shënoj më tepër. Do të ishte një kënaqësi e veçantë për të ndihmuar Kombëtaren për të arritur fitoren dhe shpresoj të shënoj edhe në Francë", deklaroi fillimisht Cikalleshi gjatë një bisede për "Supersport". Sulmuesi që është preferuar më tepër si titullar nga De Biazi nuk e konsideron veten në krye të hierarkisë.

"Për këto gjëra nuk më ngelet mua të jap përgjigje, pasi trajneri e di më së miri. Këtë e kam treguar edhe në Turqi, ku kam shënuar edhe kur më mungonte aktivizimi. Këtë do të vazhdoj ta bëj edhe në Kombëtare. Në momentin që trajneri do të preferojë që të luaj, do të bëj më të mirën time dhe dua të shënoj për të ndihmuar ekipin në arritjen e rezultateve pozitive", përfundoi bomberi kavajas që luan në Turqi.