e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Cana e Mavraj: Sjemi inferiore, vetem duhet te luajme lojen tone

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cana e Mavraj: Sjemi inferiore, vetem duhet te luajme lojen tone
24 orë para fluturimit drejt Oslos (sot), dy nga shtyllat kryesore të kuqezinjve, Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj kanë nënvizuar rëndësinë e madhe që ka sfida me Norvegjinë, duke theksuar edhe vështirësinë e madhe që ajo paraqet. Cana ka kaluar frikën për dëmtimin në kavilje dhe do të jetë në fushë që nga minuta e parë. Një lajm i mirë për përfaqësuesen shqiptare dhe trajnerin De Biazi. “Shqipëria nuk është inferiore”, me këtë bindje kapiteni i kombëtares kuqezi, karikon skuadrën në prag të ndeshjes së të premtes. “Atmosfera është e mirë në skuadër, – rrëfen lojtari i Lacios.

Do të shkojmë dhe do të luajmë kundër Norvegjisë, duke e ditur se pritet shumë prej nesh. Nga ajo që kemi konstatuar në ndeshjet e kaluara në grupin tonë kualifikues mund të themi se jemi të organizuar në lojë, por jo të saktë dhe efikas në goditjet standarde të kundërshtarit. Dihet tashmë që kur luajmë në shtëpi, publiku kuqezi na karikon shumë, ndërsa në transferta e ndiejmë mungesën e tij dhe penalizohemi. Me këtë realitet duhet të përballemi edhe në Oslo, ku na pret një betejë shumë e vështirë, por nuk jemi aspak inferiorë ndaj kundërshtarit”. Më pas Cana analizon edhe situatën e kuqezinjve në grup. “Nga 4 ndeshje eliminatore të luajtura deri më tani kemi grumbulluar 6 pikë, por mund të kishim më shumë, deklaron ai. I vetmi peng është humbja me Islandën në Tiranë, ku të paktën meritonim 1 pikë”. Në Kombëtare janë afruar edhe elementë të rinj, që po shtojnë konkurrencën.

“Po hedhim bazat për fushatat e ardhshme kualifikuese, sqaron mesfushori, sikurse po mundohemi të jemi kompaktë në këtë edicion eliminatoresh për Botërorin 2014. Vijmë pas asaj humbjeje në miqësoren me Gjeorgjinë në Tiranë, por nuk kemi pse shqetësohemi nga ky fakt. Në ndeshje të tilla nuk pritet ndonjë nivel loje, për arsye të ndryshme”. Dy fjalë në fund i ka thënë edhe për dy prurjet e reja, Basha dhe Rama: “Kemi të bëjmë me dy elementë cilësorë, që do na ndihmojnë shumë në të ardhmen. Mjafton të kujtojmë se njëri luan në Serinë A dhe tjetri në La Liga, për të kuptuar potencialin e tyre. Tashmë është detyra jonë që t’i inkurajojmë dhe t’i ingranojmë sa më mirë në kombëtare. Si kapiten, por këtu flas edhe në emrin e shokëve të skuadrës, jam i kënaqur që i jepet mundësia Migjen Bashës të luajë për Shqipërinë që ndaj Norvegjisë.

Kjo sjell konkurrencë në kombëtare dhe për Shqipërinë ky faktor nuk është pak”, përfundon Loriku. Nga ana e tij, mbrojtësi i Kombëtares Mërgim Mavraj, ka nënvizuar klimën e mirë që ekziston në kampin kuqezi para ndeshjes me Norvegjinë: “Ambienti është i njëjtë në Kombëtare, klima është shumë e mirë. Ndeshja me Norvegjinë do të jetë e vështirë, sidomos për mbrojtjen tonë, por nuk është e fundit. Mua personalisht nuk më intereson kundërshtari, sepse së pari duhet të jemi stabël dhe të bëjmë lojën tonë. Sa u përket pikëve dhe vijueshmërisë së kësaj faze kualifikuese, natyrisht që ndeshja në Oslo është shumë e rëndësishme. Megjithatë, do të kemi raste të tjera përpara dhe nuk i dihet”, tha në fund kapiteni i Grojther Furthit në Bundesligë, Mavraj.