Çakiçi: Kombëtarja, si shtëpi pa zot
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas tri humbjeve dhe në shifra "Guin ness", kombëtarja shqiptare në basketboll për femra luan sot eliminatoren e radhës në Tiranë ndaj Italisë e vlefshme për kampionatin europian 2017.
Kjo është ndeshja e parë e fazës së kthimit për të dyja skuadrat. Në prag të përballjes, kur edhe këtë herë nuk pritet ndonjë mrekulli në "Asllan Rusi", ish-basketbollistja e kombëtares, Brikena Çakiçi, shpreh keqardhjen për situatën kritike që po kalon ky sport, veçanërisht përfaqësuesja. Në një prononcim për "Panorama Sport", Çakiçi deklaron se kombëtarja është kthyer si një shtëpi pa zot. Mes të tjerash, ish-titullarja kuqezi vë theksin edhe te mungesa e konkurrencës në kampionatin kombëtar.
"Unë kam gati dy sezone larg topit, por në distancë i kam ndjekur rezultatet e kampionatit shqiptar, jo shumë profesionist nga ana stërvitore. Konstatoj se stërvitja bëhet një herë në ditë, jo si dikur, kur zhvillohej dy herë në ditë, plus zhvillonim faza të ndryshme grumbullimi përgjatë vitit me apo pa pjesëmarrjen nëpër kompeticione ndërkombëtare.
Ngarkesat stërvitore kanë luhatjet e veta, pasi edhe kampionati ynë është i tillë ku motivimi është i shpërndarë gjatë sezonit, pasi në garën për titull janë 1-2 ekipe të cilat kanë kundërshtare të lehta përballë deri në finale. Pra, konkurrencë nuk ka", analizon Çakiçi.
Në vazhdim, ish-basketbollistja shtoi se diferencën në përgatitje e bëjnë edhe grumbullimet e pakta që kryhen.
"Diferencën me kundërshtarin e bën edhe faza e grumbullimit që është shumë pak në dispozicion. Vetëm psikologjikisht sa duhet të bindesh veten se përballë në sfidë ke një kulturë europiane, e cila përgatitet 11 muaj e gjysmë për një paraqitje dinjitoze në fushë.
Ndërsa te ne ndodh që të bëhen vetëm disa ditë stërvitje dhe direkt zbresin në fushë, a thua se vijnë nga një ekip NBA dhe koha është e mjaftueshme. Pastaj ngelen aktorët në fushë. Nuk mjafton të luash për të udhë- tuar, por të luftosh për atë që ke ëndërruar. Dhe, në fund të fundit, ekipi pa regjisor (trajner) është si shtëpia pa zot. Gjithsesi, vajzave u uroj një paraqitje dinjitoze pavarësisht rezultatit", e mbylli deklaratën e tij Brikena Çakiçi.
Përgatiti: OLGERT SERANI