Bylisi me laps në dorë, synohet surpriza
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bylisi ka shansin ditën e sotme t'u largohet disi rivalëve për mbijetesë, duke qenë se u ndal si Vllaznia, edhe Flamurtari. Për këtë arsye, në kampin mallakastriot do të kërkojnë maksimumin ndaj korçarëve kryesues, edhe pse kuptohet qartë se nuk do të jetë një sfidë e lehtë për t'u kaluar.
Gjithsesi, motivimi do të jetë në maksimum nga ana e mallakastriotëve, të cilët dikur kanë qenë një "mace e zezë" për korçarët, por këtë sezon janë mposhtur dy herë thellësisht nga kampionët në fuqi të Superligës. Siç dihet, në këtë ndeshje boshnjaku Zildzoviç do të vuajë mungesën e tre titullarëve:
Brahja, Mbella dhe Hoxhaj për arsye kartonësh, ndaj duhet të rregullojë disi "çatinë" në këtë sfidë. Pjesa tjetër e futbollistëve duken të gatshëm dhe pritet që trajneri t'u besojë atyre që morën tri pikët në Laç.
Sipas të gjitha gjasave, Bilali ka arritur të fitojë një vend titullari në skuadër, pas golit trepikësh me Laçin dhe do të zëvendësojë Brahjan në qendër të mbrojtjes. Nga ana tjetër, në vend të Mbellës pritet Pepa. Zidzoviç mund të "kënaqet" me një lojtar të huaj në sulm, teksa i hapet rruga Izuçukut, pas mungesës së Mbellas. Në këtë ndeshje pritet që ballshiotët të kenë një armë tjetër plus, tifozërinë, e cila ka premtuar mbështetje.