Bylisi luan shansin e fundit në Pukë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Këtë fundjavë Bylisi luan shansin e fundit për sa i përket mbijetesës, pasi një tjetër hap fals do ta ndërlikonte shumë qëndrimin në Superiore. Por, nga ana tjetër, luan edhe për vetë trajnerin Zildzoviç, i cili fill pas humbjes ndaj Kukësit ka pohuar se do të rishohë pozicionin e tij.
Me sa duket, edhe pse ka qenë shumë pranë largimit, tekniku do t'i japë një tjetër shans vetes dhe ekipit për të bërë kthesën ndaj Tërbunit.
Nëse Bylisi nuk ia del që të marrë tri pikët në Pukë, atëherë duket e pashmangshme dorëheqja e boshnjakut. Nga ana tjetër, edhe vetë qëndrimi i kësaj skuadre në Superiore do të ishte pothuajse i pamundur.
Megjithatë, ndaj Tërbunit Zildzoviç ka një histori pozitive, pasi ishin pikët e para në kampionatin shqiptar dhe për më tepër e arriti me një fitore bindëse 4-0. Në Ballsh nuk shpresojnë që të përsërisin të njëjtin rezultat, por do të mjaftonte edhe një gol me vlerë tri pikë për të rifutur sërish në "shina" këtë skuadër.
E rëndësishme është që në Ballsh s'e kanë humbur ende besimin se mbijetesa mund të arrihet, pasi Flamurtari qëndron vetëm tri pikë larg dhe në tetë javë ato janë plotësisht të rikuperueshme. Përpos ecurisë negative, ballshiotët shpresojnë që në fund të festojnë qëndrimin në Superiore.