Bunjaki dhe De Biazi, 'sherr' per talentet para miqesores Shqiperi-Kosove
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Miqësorja festive e 17 nëntorit (nuk është zyrtarizuar ende kjo datë, gjithsesi) në Prishtinë duket se po jep efektin e kundërt, paraprakisht. Madje, po shënon përplasjen e parë mes dy federatave respektive.
Shkak janë bërë 4 talentet e rinj, që De Biazi ka thënë se do t’i ftojë për këtë ndeshje, për t’iu dhënë mundësinë të tregojnë veten në kombëtaren e madhe.
Dy prej tyre janë pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë, konkretisht Milot Rashica dhe Liridon Latifi, ndërsa dy të tjerët luajnë në Zvicër, me Kombëtaren U-21 të këtij vendi. Ata janë Shani Tarashaj dhe Albian Ajeti.
Nëse mesfushori me tipare sulmuese i Viteses, Rashica, ka shprehur lumturinë e madhe për këtë lajm, se mund të jetë pjesë e kombëtares së De Biazit, të tjerët nuk kanë konfirmuar akoma pjesëmarrjen, për shkaqe të ndryshme.
Kësisoji, “zënka” mes Bunajkit me De Biazin në distancë mund të konsiderohet si ajo shprehja “peshku në det dhe tigani në zjarr”. Pra, janë vetë lojtarët e përfolur, ata që nuk janë prononcuar akoma, nëse do të vijnë apo jo me Shqipërinë në miqësoren e nëntorit.
Duke folur në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, 59-vjeçari nga Sarmede e Italisë ka thënë se ka në vëzhgim edhe talente të tjera, që mund t’i ofrojë në kombëtaren shqiptare. Madje, për emrat e sipërcituar ka shtuar se mund t’i ftojë në miqësoret e nëntorit, bashkë me Rey Manajn e Interit. Kaq ka mjaftuar që nga shteti i dytë shqiptar në Ballkan, Kosova, që ende nuk është njohur nga UEFA dhe FIFA, të vijë reagimi i menjëhershëm. Eshtë pikërisht Albert Bunjaki, trajneri i përfaqësueses kosovare në futboll, ai që i ka kujtuar De Biazit se lojtarët në fjalë janë pjesë e planeve të tij.
Madje, Bunjaki shton se aktivizimi i tyre me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë është bërë me lejen e tij dhe të FFK-së. “Milot Rashica ka qenë me ne, ashtu siç ishte edhe Etrit Berisha, Mërgim Mavraj, Valdet Rama, Herolind Shala, etj. Të gjithë do ta kenë mundësinë të vendosin vetë dhe kjo ditë po afron shumë shpejt. Kam biseduar me Rashicën dhe me lejen time ai po luan me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë. Për këtë arsye nuk e kam ftuar atë dhe Liridon Latifin, por kjo nuk do të thotë që nuk do t’i ftojmë. Këtë moment ata janë të përqendruar në kualifikime për grupmoshën U-21, pastaj, kur të vijë koha dhe kualiteti i tyre të jetë i nivelit që ne mendojmë, do t’i ftojmë. Më pas vendos vullneti i tyre se me kë do të luajnë”, – ka thënë trajneri Bunjaki për “Kohën Ditore” në Kosovë.