e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bundesliga fut teknologjine e golit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bundesliga fut teknologjine e golit

Pas Anglisë, edhe Gjermania do të lejojë përdorimin e teknologjisë për të verifikuar golat e dyshimtë. Pas fushatës së nisur nga krerët e Bajernit të Myniht për të lejuar këtë teknologji, Federata Gjermane ka zyrtarizuar vendimin që pritet të zbatohet që nga sezoni i ardhshëm.

Duke nisur që nga sezoni i ardhshëm, falë marrëveshjes së arritur mes 18 klubeve gjermane, do të aplikohet teknologjia e linjës së portës që parashikon instalimin e 14 telekamerave, të cilët do të tregojnë me saktësi 100% nëse topi e kalon ose jo vijën fatale në raste të veçanta. Nëse goli është i rregullt, arbitrit do t’i shkojë automatikisht një sinjal në orë.

Por ndërsa në Gjermani propozimi ka marrë dritën jeshile nga klubet, në Itali plani është ende në fazë ideje

Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani e rihapi këtë çështje pas ndeshjes së fundit kundër Udineses, duke i dërguar një letër të hapur kreut të Federatës, Karlo Tavekio.

Për herë të parë kjo teknologji u përdor në Premier Ligë gjatë këtij sezoni.

Ideja për futjen e këtij sistemi lindi menjëherë pas Kupës së Botës “Afrikë 2010”, pas rasteve të dyshimta gjatë ndeshjes Gjermani – Angli dhe në shumë ndeshje të tjera.