e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Brukseli, Tiranes: Heshtni per Statusin deri me 10 tetor

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Brukseli, Tiranes: Heshtni per Statusin deri me 10 tetor
Brukseli urdhëron Tiranën të hesht mbi statusin e kandidatit derisa të dalin konkluzionet zyrtare. Publikimi i draft-projektit të raportit të Komisionit të Brendshëm në Bashkimin Europian për Shqipërinë ka bërë që Brukseli zyrtar t’i diktojë të gjitha organizmave qeveritare që përgjigjen drejtpërdrejt për çështjet e integrimit dhe të Statusit kandidat, të mos bëjnë asnjë koment, intervistë, analizë dhe konferencë për shtyp paraprake në lidhje me këto çështje.

Marrja e statusit dhe plotësimi i rekomandimeve të Komisionit. Progres Raporti apo draft Progres-Raporti, si dhe hapat pozitivë apo negativë që ka bërë Shqipëria kundrejt rekomandimeve dhe reformave të kërkuara nga Komisioni Europian. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Shekulli” nga burime pranë Ministrisë së Integrimit menjëherë pas publikimeve të ditës së mërkurë në media mbi një draft-projekt raportim të Komisionit të Brendshëm në BE. Sipas zyrtarëve të këtij dikasteri, është marrë një urdhërese “memo” e drejtpërdrejt nga Brukseli ku të gjitha Institucionet shqiptare qeveritare dhe parlamentare udhëzohen të mos bëjnë komente,intervista, analiza dhe dalje publike si në rastin e Raportit të Komisionit të Brendshëm të BE-së mbi çështjen e marrjes së Statusit kandidat dhe plotësimin e 12 rekomandimeve, por edhe komentet apo analizat mbi Progres Raportin e Komisionit Europian.

Sipas tyre, kjo tërheqje vëmendjeje nga ana e Brukselit është bërë me qëllim evitimin e keqinterpretimeve dhe keqkomentimeve, apo dhe keqpërkthimeve nga të dyja polet politike në Shqipëri, duke parë se në të kaluarën këto fenomene kanë qenë të shpeshta dhe nuk i kanë shërbyer frymës së bashkëpunimit dypalësh për çështjet e integrimit. Sa i përket opozitës, po të njëjtat burime bëjnë të ditur se Brukseli i ka kërkuar që të jenë të vetpërmbajtur të gjithë aktorët politikë, institucionet dhe organizmat qeveritar, rekomandim ky që ka kaluar edhe nëpërmjet Komisionit të Integrimit pranë Kuvendit të Shqipërisë. Komentet, analizat dhe interpretimet do të bëhen menjëherë pasi të publikohet dhe dorëzohet zyrtarisht nga ana e Komisionit Europian dhe BE-së e dy Raporteve, mbi plotësimin e 12 kushteve të vendosura nga Brukseli dhe Progres Raportin e 2012-ës, thanë burimet nga Ministria e integrimit.

Ndërkaq, Brukseli ka ulur entuziazmin e Tiranës zyrtare duke thënë se Projekt-dokumenti i Komisionit të Brendshëm nuk përmban ende asnjë formulim mbi rekomandimin përfundimtar të Komisionit për dhënien apo jo të Statusit kandidat për Shqipërinë. Ai është objekt ndryshimi deri në momentin e publikimit zyrtar. ‘Strategjia e Zgjerimit’ do të publikohet më 10 tetor, e shoqëruar nga raport-progreset individuale për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.