e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Tirana i kerkon zyrtarisht Athines zgjidhje per ceshtjen came, MPJ greke zhduk deklaraten

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Tirana i kerkon zyrtarisht Athines zgjidhje per ceshtjen came, MPJ greke zhduk deklaraten
Çështja e marrëveshjes detare mes Shqipërisë dhe Greqisë duket se do të jetë sërish një objekt polemikash mes dy vendeve. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panarit, gjatë vizitës në Athinë ka kërkuar që të negociohet një marrëveshje e re, ndërsa homologu i tij grek ka kërkuar që çështja të zgjidhet në nivel politik duke kërkuar që të miratohet marrëveshja që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Veç kësaj teme, Panariti ka ngritur për herë të parë zyrtarisht edhe çështjen çame duke u kujtuar grekëve se problemi që ka lindur me këtë popullsi duhet të marrë një zgjidhje dhe jo të anashkalohet.

Vizita e Panaritit

Ministri Edmond Panariti gjatë takimit me homologun grek Avramopulos në Athinë mes disa temave, preku dhe çështjen çame, ka bërë të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Po ashtu ministri Panariti ka kërkuar edhe zgjidhjen e shpejtë të problemeve të vërejtura në lidhje me lëvizjen e lirë të shqiptarëve që udhëtojnë drejt Greqisë dhe dokumentet e tyre. “Çështja çame dhe e pronave të shqiptarëve në Greqi kërkon zgjidhje”, citon zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. “Në axhendën e marrëdhënieve dypalëshe ka edhe çështje, të trashëguara apo të reja, që duhet të futen në rrugën e trajtimit për të gjetur zgjidhje.

Këto çështje u ngritën gjatë këtij takimi dhe mund të them se gjetëm mirëkuptim për negocimin e tyre në nivel ekspertësh, në takime të veçanta apo komisione të përbashkëta, sipas vetë çështjeve”,- deklaroi më pas për shtypin, Panariti. Gjatë bisedimeve të dy ministrat shprehën shqetësimin për rritjen e frymës nacionaliste dhe siguruan për vullnetin dhe angazhimin e tyre për një politikë që dekurajon çdo retorikë manipuluese e me ngarkesë nacionaliste që dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Marrëveshja e detit

Ndërkaq siç bën të ditur Ministria e Jashtme e vendit tonë, në bisedën mes dy homologëve ka zënë vend edhe çështja e shumëdebatuar e kufirit detar mes Shqipërisë e Greqisë. Ministri Panariti ka deklaruar se kufiri detar do të zgjidhet në mbështetje me Kushtetutën e vendit dhe legjislacionin ndërkombëtar. Nuk dihet se cili ka qenë qëndrimi i Ministrit grek mbi këtë çështje, pasi në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme mungon një deklaratë e tij mbi këtë çështje.

Kreu i diplomacisë helene, Avramopulos rikonfirmoi edhe një herë se Greqia mbështet integrimin europian të Shqipërisë, duke hedhur poshtë një skenar të publikuar pak kohë më parë që fliste për vështirësim të menjëhershëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, me pasoja në procesin integrues të Shqipërisë, në rast se dy palët nuk binin dakord paktin detar. Gjatë bisedës, dy ministrat kanë vlerësuar marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin me dy vendeve. Për Ministrin Panaritti, nënshkrimi si nga Greqia dhe Shqipëria i projektit për gazsjellësin TAP është një shembull i mirë i këtij bashkëpunimi.

Ministria e Jashtme Greke zhduk deklaratën për Çamërinë

Për herë të parë një zyrtar i lartë shqiptar i kërkon Greqisë zgjidhje të çështjes çame. Që në vizitën e parë në detyrën e Ministrit të jashtëm në shtetin helen, kryedoplomati Edmond Panariti ia ka shtruar këtë çështje homologut grek Dhimitri Avramopulos, duke kërkuar zgjidhje të çështjes çame dhe te pronave të shqiptareve ne Greqi. Por çudia ka ardhur në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme greke, ku deklarata e Ministrit Panariti për çështjen çame është zhdukur, duke censuruar bisedën me homologun grek. E ndërsa në faqen e Ministrisë së Jashtme të shtetit helen jepet biseda mes dy homologëve si për paktin detar dhe për firmosjen e gazsjellësit TAP, deklarata për zgjidhjen e çështjes çame nuk është në faqen e internetit të kësaj Ministrie.

PDIU përshëndet kërkesën e Panaritit për çështjen çame

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe shoqata Çamëria vlerësojnë angazhimin e treguar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe personalisht nga Edmond Panariti për të kanalizuar në rrugë zyrtare dhe në axhendën diplomatike të Shqipërisë, çështjen çame. “Për herë të parë, pas një heshtje disavjeçare, kërkesa legjitime e shqiptarëve të Çamërisë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame u prezantua në rrugë zyrtare në një takim të nivelit të lartë, ndërmjet ministrave të Jashtëm të dy vendeve.

Kanalizimi i saj në analet diplomatike është sot, domosdoshmëria më e madhe e kësaj kauze të gjithë shqiptarëve. Për këtë arsye, parashtrimi i kërkesës së shqiptarëve të Çamërisë, në emër të shtetit shqiptar, nga z. Panariti përbën një hap konstruktiv përpara për futjen qartësisht në një axhendë përqasjeje europianiste për avancimin e zgjidhjes së çështjes çame. Ballafaqimi dhe hapja e çështjeve të mbetura pezull është rruga më e mire për zgjidhjen me dialog drejt përmirësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve”thuhet në një deklaratë për mediat të PDIU-së.