e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Boterori, nje vitrine per yjet qe kane bere gati valixhen

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Boterori, nje vitrine per yjet qe kane bere gati valixhen

Botërori 2014 do të jetë mundësia më e mirë e shumë lojtarëve të rëndësishëm që të bindin skuadrat që i ndjekin prej kohësh që të investojnë tek ata. Një numër i konsiderueshëm futbollistësh janë gati të ndryshojnë fanellë pas përfundimit të aktivitetit, me emra mjaft të njohur që spikatin sidomos në repartin e sulmit.

Nëse Diego Kosta duket shumë pranë transferimit te Çelsi, siç e ka pranuar vetë ai dy ditë më parë, dy sulmues do t’i japin lamtumirën klubit londinez. Torres është në kërkim të një skuadre, ashtu si edhe Lukaku, të dy futbollistë që janë vënë në shënjestrën e Atletiko Madrid, por edhe klubeve italiane, të cilët pritet të bëjnë përforcime të rëndësishme gjatë merkatos verore. Edin Xheko, sulmuesi i Bosnjë-Hercegovinës, ka mbetur i pakënaqur nga nënvlerësimi që po i bëjnë te Mançester Siti dhe një paraqitje e mirë në Botëror mund ta shtyjë të ndërrojë skuadër. Një situatë të ngjashme po përjetojnë edhe meksikani Hernandez dhe kiliani Sançez. I pari është kthyer në një rezervë në radhët e Mançester Junajtid dhe kërkon me ngulm të gjejë një skuadër ku do të jetë titullar, me shumë mundësi në një nga ekipet spanjolle që përshtatet më shumë me lojën e tij. Ndërsa i dyti, duket se nuk bën pjesë në planet e Luis Enrikes dhe do të jetë sakrifica e madhe e katalanasve për të siguruar të ardhura që do të investohen për të përforcuar prapavijën e pse jo, për të ndjekur blerjen e mundshme të gjermanit Rojs. Çmimi prej 25 milionë eurosh i kilianit nuk është i papërballueshëm, ndaj shumë klube janë gati të bëjnë ofertat zyrtare sapo të përfundojë Botërori.

Edhe Mario Baloteli shihet si një futbollist që me shumë mundësi do të ndryshojë ambient pas përfundimit të Botërorit, me Milanin që është mërzitur me tekat dhe luhatjet e formës së sulmuesit italian. Kuqezinjtë kërkojnë një tjetër Mario për ta zëvendësuar, Manxhukiç, i cili ka konfirmuar largimin nga Bajern Mynih për “mospërputhje” me skemat e Guardiolës. Në treg janë edhe dy qendërsulmues të mirëfilltë, afrikanët Eto’o dhe Drogba, të cilët kanë mbyllur marrëveshjet me Çelsin e Gallatasarajin, duke kërkuar një kontratë të fundit në futbollin e rëndësishëm europian.

Një lojtar që do të ndiqet me shumë interes gjatë aktivitetit është Luis Suarez. Uruguaiani monitorohet nga Real Madrid, që kërkon ta rreshtojë edhe atë në sulmin yjor në dispozicion të Ançelotit, ndërsa përflitet që tani për një ofertë të parë prej 85 milionë eurosh që do të përfundojë në zyrat e Liverpulit. Nëse “të kuqtë” dorëzohen përballë kësaj kërkese, do të kenë likuiditet të mjaftueshëm për të synuar zëvendësimin e Suarez me partnerin e sulmit në kombëtare, Edinson Kavanin, i cili nuk është edhe aq i lumtur te PSG. Ndaj me përfundimin e Botërorit, mjafton transferimi i një prej emrave të mësipërm, për të vënë në lëvizje tregun e sulmuesve në Europë, me pasoja që do të ndikojnë ecurinë e disa prej klubeve më të njohura në sezonin 2014-2015.