Bosi i Kamorrës del hapur: Pantanin e nxorëm jashtë loje
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Më në fund e vërteta për vdekjen e çiklistit italian, Marko Pantani, po del në dritë, edhe pse pas 17 vitesh.
Ashtu sikurse ishte përfolur edhe më parë, ka qenë organizata kriminale italiane "Kamorra" ajo që ka njollosur karrierën e çiklistit italian, pozitiv më 5 qershor të vitit 1999, në analizën e dopingut. Hetimet e kryera së fundmi nga Prokuroria e Forlis kanë konfirmuar fjalët e një të penduari në burg, që ka thënë se "Çiklisti nuk do ta fitonte Xhiron e Italisë".
Gjithçka u bë për shkak se në mes ishin miliarda lireta të vëna në lojë, të cilat Mafia i humbiste nga bastet ilegale.
Rrëfimi
Në ditën e djeshme është zbuluar deklarata e Augusto Dela Torres, bosi famëkeq i "Kamorrës" së Napolit. Lidhur me vdekjen e çiklistit, ky i fundit zbuloi: "Në vitin 1999, më kujtohet se u mblodhëm me tre krerët e familjeve më të rëndësishme të Napolit, për të vendosur për Pantanin.
Me mbështetjen e bosit të familjes Sekondiljano, vendosëm për të nxjerrë "jashtë loje" Pantanin nga Xhiroja e Italisë. Nëse fitonte Marko, "Kamorra" do të humbiste një shumë të madhe parash nga bastet klandestine.
Ishin në lojë miliarda lireta", tha ai. Deklarata e Augusto Dela Torres konfirmon versionin e kriminelit italian, Renato Valenxaska, i cili ishte i pari që hodhi dritë për "misterin Pantani", duke theksuar se vdekja e "piratit" nuk ishte e rastësishme.
Sipas tij, "Kamorra" ka korruptuar një nga mjekët e kontrollit antidoping, duke e detyruar atë të manipulojë rezultatet, dhe duke e nxjerrë çiklistin Pantani pozitiv me doping në vitin 199. Sipas analizave të asaj kohe, në gjakun e çiklistit vlera e "ematokritit" ishte 51.9%, ndërkohë që nuk lejohej që ajo të kalonte shifrën e 50%.
Nga këtu nisi skandali doping, që solli jo vetëm pezullimin e çiklistit nga garat, por deri në vdekjen e tij me overdozë në një hotel disa vite më vonë.