e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bordi vendos: Duhet te mblidhet Partizani

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bordi vendos: Duhet te mblidhet Partizani
Stafi teknik i skuadrës së Partizanit ditën e djeshme ka zhvilluar një takim me lojtarët që mbyllën sezonin e shkuar me këtë ekip, për t’u komunikuar atyre startimin e seancave përgatitore. Në këtë mbledhje nuk kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët, duke qenë se një pjesë e tyre vazhdojnë ende pushimet verore dhe nuk dihet nëse do të jenë pjesë e të kuqve edhe në vazhdim. Në mbledhjen e djeshme, e cila është zhvilluar në ambientet e Shkollës së Bashkuar dhe ka zgjatur rreth 20 minuta, kanë qenë të pranishëm administratori Gjergji Thaka, si dhe trajnerët Perlat Musta e Ylli Shehu.

Ndërkohë që për të dytën herë, kur skuadra e kuqe zhvillon një takim, ka munguar trajneri Marko Pelinxhi. Gjithsesi, gjatë fjalës së tij, administratori Thaka u ka bërë me dije lojtarëve edhe gjendjen e klubit dhe problemet që vazhdojnë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. “Momentalisht jemi të bllokuar në QKR dhe jemi në pritje të sqarimit të gjithë situatës. Gjithashtu po presim edhe vendimin që do të japë Gjykata e Apelit. Kemi marrë sigurinë për mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes, kështu që nuk kemi pse të mos e nisim punën”, – i ka deklaruar Thaka grupit të lojtarëve. Futbollistët nesër rreth orës 18:30 do të jenë te Kodrat e Liqenit Artificial, ku do të zhvillojnë një vrapim të lehtë.

Problemet Situata ligjore te skuadra e Partizanit nuk është aspak e mirë, kjo për faktin se shoqëria e ndërtuar nga Ministria e Mbrojtjes nuk është pranuar dhe dikasterit në fjalë i është kërkuar që të ndryshojë emrin e shoqërisë. Ndërkohë ministria duket se ka varur shpresat e saj përfundimtare te vendimi i Gjykatës së Apelit, e cila në rast se vendos në favor të saj i rikthen në pronësi stemën dhe emrin, të cilat aktualisht janë pronë e shoqërisë me aksioner Albert Xhanin dhe Paro Laçin. Seanca e radhës gjyqësore do të zhvillohet më datën 27 qershor.

TIFOZËT

Mjaft të shqetësuar për gjendjen e ekipit të tyre kanë qenë edhe tifozët e Partizanit. Këta të fundit, pak ditë më parë nëpërmjet një letre të hapur, u kanë kërkuar të gjithë faktorëve që kanë lidhje me çështjen e ekipit ta zgjidhin sa më parë atë, në të kundërt do të hyjnë në grevë urie.

MERKATO

Për momentin në kampin e kuq askush nuk mund të flasë për merkato. Në rast se te Partizani nuk zgjidhen problemet ligjore dhe nuk afrohet një donator, nuk pritet të ketë asnjë afrim të ri. Ndërsa aksioneri Paro Laçi ka deklaruar se do të fillojë nga puna për forcimin e ekipit.
ARMAND HALILI