Bogdani tregon frikën nga prurjet e reja në Kombëtare
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Erjon Bogdani, e ka vlerësuar Elseid Hysajn si një nga mbrojtësit më të fortë të Serisë A. Në një prononcim për "Radio Goal", ish-bomberi komentoi edhe kualifikimin e Shqipërisë në Europian.
"Kemi bërë diçka të jashtëzakonshme. Jemi të kënaqur që kemi arritur këtë rezultat dhe tani duhet të shkojmë në Francë për të treguar atë që kemi arritur deri tani",-ka thënë Bogdani.
Ndërsa për mbrojtësin që aktivizohet te skuadra e Napolit, ai u shpreh se: "Po rritet shumë profesionalisht, nuk kisha dyshime. E kam parë në Kombëtare dhe është njëri prej mbrojtësve më të fortë të në Itali. Është i ri dhe ka të dhëna premtuese, mund të luajë shumë mirë edhe në krahun e majtë".
Të rinjtë në Kombëtare
"Pas shumë vitesh duhej një ndryshim, një përtëritje. Kemi qenë të frikësuar në fillim, por djemtë janë stërvitur mirë dhe kur luajnë për Kombëtaren japin gjithçka. Jemi një skuadër edhe pse nuk kemi cilësi të njëjta me skuadrat e tjera. Jemi rritur shumë dhe kemi marrë një rezultat të mirë",-ka thënë Bogdani për mediat italiane.

