e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Blank ndjen aromen e fitores: I kemi armet per t�i mposhtur

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Blank ndjen aromen e fitores: I kemi armet per t�i mposhtur
Është me siguri një nga çerekfinalet më interesante, ajo që do të zhvillohet sot në mbrëmje në Donjetsk, në Ukrainë. Përballë kampionëve në fuqi të Europës dhe të botës do të jenë kampionët e vjetër të Europës. Por kjo ndeshje është edhe një sfidë shumë interesante mes dy shkollave të rëndësishme europiane.

Spanja – Nga njëra anë Spanja, që ka një projekt fitues të lançuar prej disa vitesh dhe që ngjan shumë me një skuadër amerikanojugore. Aplikon lojën e Barcelonës së Guardiolës: qarkullim i dendur i topit, shumë pasime në hapësira të ngushta dhe driblime. Pra një futboll shumë teknik. Dhe që ka interpretuesit më të mirë, të zakonshmit Ksavi e Iniesta. Megjithatë, në krahasim me kompeticionet e kaluara, iberikët janë një skuadër më pak e frikshme. Del Boskes i është dashur të lërë në shtëpi bomberin David Vija, për shkak të një dëmtimi dhe nuk i mbetet tjetër veçse t’i besojë sulmin një Fernando Torresi, i cili nuk e ka gjetur më shkëlqimin e Europianit 2008.

Franca – Ndërsa nga ana tjetër është një Francë, e cila pasi ka fituar gjithçka në kohët e Zidan, ka nisur tashmë një projekt të ri, pas një zhgënjimi të madh të pësuar në Afrikën e Jugut 2010. Dhe luan një futboll më europian: teknik, por edhe solid. Më pak pasime në horizontale dhe më shumë vertikalizime. Megjithatë, ekipi i Blank është ende një skuadër e re, e cila do të përmirësohet me kalimin e kohës, por që ka talente të shkëlqyer: mbi të gjithë Benzema dhe Nasri. Mes veteranëve vërehen Riberi e Nasri, por më këtë të fundit që do të mungojë sot, sepse është i skualifikuar.

Ekuilibri – Është e kotë të themi se spanjollët janë superfavoritë, pasi kjo është një gjë e ditur tashmë. Megjithatë bilanci mes dy skuadrave është thuajse i ekuilibruar. Në 30 takimet e mëparshme mes dy kombëtareve, Spanja ka 13 fitore kundrejt 11 të Francës, ndërsa 7 janë barazime. Dy përballjet fundit kanë qenë ndeshje miqësore dhe kanë përfunduar me fitoren e “La Roja”-s, që gjithsesi nuk i ka mundur kurrë “Le Bleus”-at në kompeticione zyrtare (dy ndeshjet e fundit kanë përfunduar me dy fitore për “Gjelat”, 2-1 në Euro 2000 dhe 3-1 në Kupën e Botës 2006). Ndër të tjera “La Roja” nuk ka humbur asnjë ndeshje që nga debutimi në Botërorin 2010 kundër Zvicrës.

Blank – Të mundësh Spanjën, duhet, është më se e vështirë, por Franca dhe trajneri i saj Loran Blank besojnë se mund t’ia dalin. “Nuk mund të luajmë keq, do të ndëshkohemi, thotë Blank. Ata teknikisht janë të një tjetër niveli, na kanë studiuar dhe ne i kemi studiuar: dimë që kanë një mënyrë loje, do të duhet të kapitalizojmë rastet që do të kemi. Të gjithë duan të gjejnë kundërmasat për Spanjën, disa skuadra kanë qenë në gjendje të vënë në vështirësi, për shembull Italia, ndërsa Kroacia pati edhe shanset për të fituar. Mendoj se Italia i krijoi, nga pikëpamja taktike, më shumë probleme Spanjës, në krahasim me Kroacinë, që mund t’u kishte shënuar. Do të jetë fondamentale që të jemi në lojë minutë pas minute. E dimë që Spanja e mban topin, e pranojmë dhe duhet të shfrytëzojmë pikat tona të forca. Kemi armët tona, që mund t’u krijojnë probleme atyre”.

Statistikat

30 precedentë - Dy skuadrat janë përballur 30 herë. Takimi i parë daton në prill 1922, një miqësore e fituar 4-0 nga Spanja. Bilanci flet në favor të “La Roja”-s: 13 fitore, 6 barazime dhe 11 humbje

Humbja e fundit - Spanja ka fituar 3 nga 4 takimet e fundit, përveç 1/8-ave të Botërorit 2006, të fituar 1-3 nga Franca, që është edhe ndeshja e fundit zyrtare mes këtyre dy skuadrave

Lorent Blank - Franca e ka mundur 3-1 në shtëpi Spanjën dhe 2-1 në transfertë në eliminatoret e Euro 1992. Blank ka luajtur në të dyja takimet, ku në të parin edhe ka shënuar gol

Formacionet

Spanja (4-3-3): Kasijas; Arbeloa, Ramos, Pike, J.Alba; Buskets, Ksabi Alonso, Ksavi; Silva, Torres, Iniesta

Franca (4-3-2-1): Loris; Debushi, Rami, Koshielni, Klishi; Kabaje, A. Diarra, M’Vila; Nasri, Riberi; Benzema.