e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Biletat per Danimarken, vetem 10 minuta ne treg

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Biletat per Danimarken, vetem 10 minuta ne treg

Vijojnë përgatitjet anti-Danimarkë, De Biazi i rezervuar në stërvitje. Ajo që ra në sy gjatë seancës stërvitore është vëmendja që tekniku italian iu kushtoi sulmuesve që ka në dispozicion.

Interesimi i lartë për takimin mes Shqipërisë dhe Danimarkës ka bërë që biletat e sapodala në treg të përfundojnë brenda 10 minutave, duke sjellë dhe nervozizëm mes sportdashësve të pranishëm në radhë. Gjatë një vëzhgimi në sportelin pranë stadiumit “Qemal Stafa” është vënë re prania e sportdashësve, të cilët edhe pse kanë ndenjur në pritje aty për më shumë se 10 orë, në rastin më të mirë kanë blerë një biletë për tribunat anësore (pas portave), pasi pjesa tjetër nuk ishte në treg, ndërsa në rastin më të keq i janë drejtuar shtëpisë me duarbosh. Nga kontaktet me Federatën Shqiptare të Futbollit mësohet se numri i reduktuar i biletave ka ardhur si pasojë e kërkesave të shumta nga tifogrupet anembanë vendit, ujqërit e dëborës, Tirona fantacs, Guerrilas etj.

Përgatitjet

Nën drejtimin e teknikut Xhani De Biazi, përfaqësuesja shqiptare e futbollit ka vijuar edhe dje përgatitjet në kuadër të takimit me Danimarkën, që do të luhet të shtunën në mbrëmje në “Elbasan Arena”. Burime pranë kuqezinjve bëjnë të ditur se stërvitja ishte e ndarë në dy pjesë. Fillimisht përgatitja fizike, ndërsa në fund sërish taktikë për t’u përgatitur më së miri për t’u përballur me danezët. Kapiteni Lorik Cana kësaj radhe ka vijuar përgatitjet me grupin, ndryshe nga një ditë më parë, kur për shkak të mbingarkesës u detyrua të stërvitej i diferencuar. Ajo që ra në sy gjatë seancës stërvitore është vëmendja që tekniku italian iu kushtoi sulmuesve që ka në dispozicion, pasi nëse nuk shënon, atëherë nuk mund të shpresosh për një fitore dhe ndoshta ky është momenti që Kombëtarja të guxojë më shumë. Danimarka vuan në mbrojtje dhe kuqezinjtë do të tentojnë të kafshojnë. Gjatë ditës së sotme, ushtria e De Biazit do të zhvillojë një seancë stërvitore, ndërsa do ketë dhe konferencën e zakonshme për shtyp. Mësohet se ditën e shtunë në mëngjes skuadra do të niset për në Elbasan për të prekur nga afër terrenin e lojës, ndërsa në mbrëmje do të jetë përballja me Danimarkën.

Policia publikon masat

Drejtoria e Policisë së Qarkut te Elbasanit ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e ndeshjes së kombëtares shqiptare me Danimarkën, që do të luhet në stadiumin e ri “Elbasan Arena” të shtunën në orën 20:45. Gjatë një konference për shtyp, drejtori i Policisë, Neritan Nallbati e vuri theksin tek siguria e të dy ekipeve dhe sportdashësve shqiptarë e danezë, të cilët do të jenë të pranishëm në stadium. “Për të patur një rend dhe qetësi të sigurt, kemi ndërtuar një urë komunikimi me drejtuesit e stadiumit dhe FSHF-së, ndërsa masa kemi marrë përsa i përket edhe qarkullimit në rrugët e qytetit”, – tha Nallbati. Sipas tij, dita e shtunë do të konsiderohet si një ditë pa makina dhe për këtë qëllim u ka kërkuar qytetarëve elbasanas që në këtë ditë të minimizojnë lëvizjen e mjeteve, përjashto ndonjë rast emergjent. “Nga ora 07:00 e së shtunës nga rrethrrotullimi i “1 Majit” deri tek stadiumi nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve, si dhe tek sheshi para kalasë së qytetit. Do të shfrytëzohet për parkim mjetesh sheshi përpara Pallatit të Sportit, kryqëzimi i Unazës së qytetit deri tek Shkolla Pedagogjike, rruga “ Thoma Kalefi”, si dhe nuk do të lejohet parkim mjetesh përpara stadiumit”, – tha ai. Drejtori Nallbati theksoi se një sërë masash janë marrë edhe për sportdashësit, duke vendosur shenja udhëzuese për hyrjen e tyre në stadium. “Risia e stadiumit të ri ‘Elbasan Arena’ është sepse është hartuar një sistem sigurie e kontrolli të dixhitalizuar të biletave, që do të përcaktojë edhe biletën e rregullt për të hyrë në stadium. Të gjithë sportdashësve do t’u kryhet kontroll fizik, që do të kalojë në tre ‘filtra”, – vuri në dukje ai. Është bërë e ditur se të shtunën do të vijnë në Elbasan 250 tifozë danezë për të ndjekur ndeshjen mes kombëtares shqiptare dhe ekipit të tyre.

Gjyqtari hungarez

Një nga gjyqtarët më të mirë europianë do të drejtojë ndeshjen Shqipëri-Danimarkë, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2016, që do të luhet të shtunën në orën 20:45 në stadiumin “Elbasan Arena”. Ai është hungarezi 39-vjeçar Viktor Kasai, i cili që prej vitit 2003 është gjyqtar ndërkombëtar. Kulmi i karrierës së tij ka qenë gjykimi në Botërorin e vitit 2010 në Afrikën e Jugut, ndërsa në vitin 2011 ai ka gjykuar finalen e Ligës së Kampioneve mes Barcelonës e Mançester Junajtid (3-1).

Duhet theksuar se ky është një nga rastet e rralla që UEFA cakton një gjyqtar të një niveli të tillë si hungarezi Kasai për të drejtuar një ndeshje të përfaqësueses shqiptare. Edhe asistentë të tij do të jenë dy hungarezë, Gyorgy Ring e Vencel Toth.