Besëlidhja, përjashtohet Zefi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Plas te Besëlidhja. Mesfushori Mateo Zefi përjashtohet për një kohë të pacaktuar nga klubi lezhjan. Shkak është bërë thyerja e disiplinës.
Më saktë, lojtari ka pasur një përplasje me trajnerin Kreshnik Krepi në ndeshjen e së dielës ndaj Adës në Shkodër.
Ngjarja Zefi, i cili është bërë pjesë e Besëlidhjes në fillim të sezonit aktual, ka qenë në stol në takimin e kaluar me Adën. Burimet pranë skuadrës bëjnë të ditur se mesfushori ka pritur aktivizimin në këtë sfidë dhe rreth minutës së 70-të ai i ka kërkuar llogari trajnerit se pse nuk e fuste në fushë.
Kujtojmë që rezultati në ato momente ishte 2-0 për lezhjanët. Trajneri Samuel Nikaj është mundur që atë moment ta kalojë sa më shpejt, pasi ka qenë i përqendruar te ndeshja. Sigurisht, ai nuk e ka futur mesfushorin Zefi në fushë në atë ndeshje.
Përjashtimi
Kjo çështje është shqyrtuar menjëherë në analizën e përjavshme që zhvillon skuadra dhe është vendosur që Mateo Zefi të përjashtohet nga Besëlidhja për një afat të pacaktuar. Në ditët në vijim do të ketë një vendim përfundimtar në lidhje me lojtarin. Pas disa sezonesh radhazi, është futbollisti i parë që procedohet me masa të ashpra nga radhët e Besëlidhjes.
Ndërkaq, në fitoren e së dielës kontribuoi me golin e tij edhe sulmuesi Bledar Marashi që gjatë këtij sezoni është aktivizuar rrallë si titullar, pasi janë afruar shumë sulmues.
"Besëlidhja i ka të gjitha mundësitë jo vetëm për t'u ngjitur në Superiore, por edhe për të qëndruar gjatë atje, pasi ka një eksperiencë të madhe. Në radhë kemi ndeshjen ndaj Ilirisë që do të luhet në Lezhë, një sfidë që po e vlerësojmë maksimalisht, pasi nuk na lejohen hapa falsë. Unë jam i gatshëm në çdo moment për ekipin që të jap më të mirën. Këtë kam bërë gjatë të gjitha takimeve të deritanishme dhe do të vazhdoj kështu", përfundon prononcimin e tij Bledar Marashi.
Përgatiti: PRENG GJIKOLA