e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Besart Berisha, nje gol larg rekordit historik ne Australi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Besart Berisha, nje gol larg rekordit historik ne Australi
Besart Berishës i nevojitet vetëm një gol për të thyer rekordin e shënimeve brenda një sezoni në A-League, të cilin aktualisht e mban Shane Smeltz. Sulmuesi shqiptar nga Prishtina po vazhdon të shkëlqejë në Australi. Ai sërish ishte protagonist i skuadrës Brisbejn Roar. Sulmuesi kosovar të shtunën shënoi gola për skuadrën e tij, e cila fitoi si mysafire ndaj Njukasëll Xhets me rezultat minimal 1-2.

26-vjeçari ka realizuar golin e parë për Brisbejn në minutën e 13, i cili ishte goli i tij i nëntëmbëdhjetë personal i realizuar gjatë këtij sezoni në elitën e futbollit australian (A-League). Me golin e realizuar kundër Njukasëll Xhets, ku aktivizohet kosovari tjetër Labinot Haliti, 26-vjeçari ka barazuar rekordin e vendosur nga ish-sulmuesi i skuadrës Gold Koast Junajtid, Shane Smeltz, në edicionin 2009-2010.

“Berisha tani ka nevojë për të shënuar vetëm një gol që të thyejë rekordin e më shumë golave të realizuar brenda një sezoni të vetëm, të cilin aktualisht e mban Shane Smeltz, të fiksuar që nga sezoni 2009-‘10”, trumbetonin dje mediat australiane. Në javën e ardhshme të kampionatit australian, do të luhen ndeshjet e fundit të sezonit në A-League. Përveç se do të kërkojë golin e 20 për të hyrë në histori të futbollit australian, Berisha do të synojë edhe të fitojë titullin kampion. Kampionatit australian i prin Kast Mariners me 48 pikë të grumbulluara, dy më shumë sesa Brisbane Roar. Humbja eventuale e Coast Marinersit dhe fitorja e Brisbanes do t’i japë mundësinë kësaj të fundit ta mbrojë titullin e kampionit.

Pa dyshim se meritat më të mëdha për të ndjekur kreun e tabelës hap pas hapi i ka sulmuesi prishtinas, i cili pa dyshim po kalon formën më të mirë të karrierës. Pas paraqitjeve të mira, skuadra e Brisbane Roarit javë më parë i ka vazhduar kontratën edhe për dy vjet Berishës, i cili tashmë është shndërruar në lojtar kryesor te kampioni aktual i Australisë. Megjithatë Brisbane tashmë mund të mbetet pa reprezentuesin shqiptar, për të cilin interesim kanë shprehur disa ekipe, e posaçërisht gjiganti kroat Dinamo Zagreb.