Berluskoni nuk heq dorë nga Ibra, i fut shkes Helenën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Helena... Dhe nuk po flasim për Helenën e Trojës. Ndonëse, duke u nisur nga emri dhe intriga që mund të fshihet pas, skenari duket pak a shumë i ngjashëm.
Në rastin tonë, Helena mban mbiemrin Seger, bashkëshorte e Zlatan Ibrahimoviçit, një ish-modele, e cila ka vendosur të ndërpresë karrierën e saj për t'iu përkushtuar fëmijëve të futbollistit, ndonëse 45-vjeçarja nuk humb rast për të udhëtuar në Milano, qyteti i saj i preferuar pas Stokholmit.
Dhe pikërisht nga ky fakt kërkon të përfitojë edhe presidenti Silvio Berluskoni. Ky i fundit, duke përfituar edhe nga miqësia që lidh vajzën e tij, Barbara, me gruan e Ibrahimoviçit, po mendon që të fusë si shkes pikërisht Helenën për të bindur bashkëshortin e saj që të rikthehet në Milano, tashmë që ai ka zyrtarizuar faktin se në fund të këtij sezoni do t'i japë lamtumirën PSG-së.
Zlatani është shndërruar në një fiksim të ish-kryeministrit italian, i cili nuk humbet rast që të tentojë rikthimin e suedezit në "Milanelo", pasi e detyroi të largohet në verën e vitit 2012. Natyrisht që hipoteza e një ribashkimi nuk është absolutisht e pamundur, duke qenë se vetë bomberi i parisienëve konfirmon se ka mbetur shumë i lidhur me Milanin dhe nuk ka qenë kurrë ai që ka dashur të largohet prej aty.
Madje, ai ishte i gatshëm që të bënte edhe një sakrificë financiare, si ulja e pagës, vetëm për të qëndruar. Dhe pas kësaj këmbënguljeje që tregon lojtari fshihej pikërisht dëshira e Helenës për të jetuar në Milano.
Qyteti verior u shndërrua për shumë vite në shtëpinë ideale të familjes Ibrahimoviç, si rrjedhojë e karrierës së gjatë që Zlatani pati në Milano mes Interit dhe Milanit, por mbi të gjitha edhe Helena dhe dy djemtë e tyre, Vinsent dhe Maksimilian ishin shumë të lumtur.
Por, ndoshta, pas 4 vitesh ndarjeje, plani për ribashkim ka nisur me urdhër të Silvio Berluskonit, i cili më shumë sesa të bindë Zlatanin dhe menaxherin e tij Mino Raiola, do të përdorë kartën "Helena" për të rikthyer suedezin që të veshë "parzmoren" kuqezi dhe së bashku të rinisin një cikël të ri.
Pa dyshim që ideja e presidentit është jo vetëm ajo e kontraktimit të futbollistit, por edhe të bashkëshortes së tij, duke i ofruar një kontratë të bardhë, për një vend në kompaninë e tij "Mediaset". Prandaj, nëse Helena do të pranojë që përveç dashurisë që ka për Zlatanin t'i joshet edhe dashurisë që ka për Milanon si qytet, pa dyshim që rikthimi i Ibrahimoviçit në radhët e "Djallit" mund të realizohet.