Berluskoni, i magjepsur nga Di Françesko
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Eusebio Di Françesko dhe Sasuolo e tij është konfirmuar "macja e zezë" e Milanit, teksa kjo skuadër në "Mapei Stadium" ka fituar tri ndeshje në po kaq përballje me kuqezinjtë.
Në dy precedentët e mëparshëm, suksesi i ekipit emilian ishte fatal për Masimiliano Alegrin dhe Filipo Inzagin.
I pari u shkarkua në janar të vitit 2014, pas disfatës 4-3, ndërsa i dyti "vulosi" shkarkimin në maj të vitit 2015. Mirëpo golat e Dankanit dhe Sansones të dielën flitet se mund të bëjnë "kurban" edhe Sinisha Mihajloviçin.
Berluskoni dhe Skuinci - Në takimin e fazës së parë, i fituar 2- 1 nga Milani, presidenti i kuqezinjve, Silvio Berluskoni, menjëherë pas ndeshjes zbriti në dhomat e zhveshjes së Sasuolos duke i thurur elozhe trajnerit Di Françesko.
Sipas shtypit italian, "Kavalieri" është i magjepsur nga futbolli që luan Sasuolo dhe flitet se në sezonin e ardhshëm është gati t'i "japë duart" Mihajloviçit për t'i besuar drejtimin e ekipit pikërisht Di Françeskos. Të njëjtin mendim me Berluskonin ndan edhe presidenti i Sasuolos, Xhorxho Skuinci, i cili njihet si një tifoz i "thekur" i Milanit:
"Uroj që Di Françesko të qëndrojë edhe në sezonin e ardhshëm, mirëpo do ta shikoja mirë edhe në stolin e Milanit. Eusebio është gati për të drejtuar një skuadër të madhe dhe nëse vendos të largohet do të më pëlqente të shkonte te Milani. Ai më kujton Sakin".
Mihajloviç- Nëse janë të shumta gjasat për të parë në sezonin e ardhshëm trajnerin e Sasuolos në stolin e Milanit, ai aktual i kuqezinjve, Sinisha Mihajloviç, pritet të provojë një aventurë të re. Sipas asaj që raporton e përditshmja italiane "Il Corriere dello Sport", për serbin është në "pole" Lacio.
Tifozët s'e kanë fshehur kurrë simpatinë e tyre për 46-vjeçarin, mirë- po "ngërçi" i ribashkimit të Sinishës me kryeqytetasit është administratori i klubit roman, Igli Tare, i cili në të kaluarën është konfrontuar me tone të ashpra me Sinishën dhe marrëdhënia e tyre nuk është aspak miqësore.