Berluskoni: Miha, kusht ti fitojë të gjitha ndeshjet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Festa e 30-vjetorit të presidencës, e ardh mja e Milanit dhe ajo e Sinisha Mihajloviçit, tratativa me Mister Bi-në dhe një seri anekdotash.
Silvio Berluskoni është prezantuar dje në "Milanelo", duke folur për gjithçka dhe si gjithmonë ka karikuar ekipin në vigjilje të ndeshjes kundër Napolit.
Fillimet
Me buzëqeshje të stampuar në fytyrë, Berluskoni e ka nisur konferencën e shtypit duke iu drejtuar bashkëpunëtorit të tij legjendar, Galianit, me këto fjalë:
"Kanë kaluar 30 vite, Adriano jemi plakur më duket (qesh). Kishim guxim të çmendur kur morëm klubin në vitin 1986, besoj se ia arritëm qëllimit për ta çuar në majën e futbollit botëror, siç kishim premtuar".
Më tej 79-vjeçari kujton: "Kur hyra në botën e futbollit, në Itali filozofia e këtij sporti bazohej te mbrojtja dhe kundërsulmi. Unë kisha plane të tjera, doja që ekipi të dominonte në fushë dhe të prodhonte një futboll të bukur. Këtë gjë e kemi praktikuar për shumë vite, por nuk mund të fitosh çdo sezon".
Objektivat
"Janë cikle. Tani po shikojmë përpara duke menduar se një cikël i ri do të hapet me talentet që kemi në skuadër. Gjashtë prej tyre janë në ekipin e parë. Do më pëlqente që në fushë të kisha një skuadër tërësisht italiane, mirëpo futbollit tonë i mungojnë yjet në sulm.
Futbollistët që më pëlqejnë më shumë luajnë te Barcelona dhe Reali, por kanë një çmim shumë të lartë për arkat e klubit".
Mihajloviç dhe Balo
Presidenti u ndal edhe tek e ardhmja e trajnerit:
"Mihajloviç duhet vetëm të fitojë nga tani deri në fund të sezonit. Nëse i fiton të gjitha ndeshjet, do të më shikojë të lumtur dhe të bindur në aftësitë e tij. Organika e Milanit është e pasur me talente".
Ndërsa për sa i përket Balotelit, "Kavalieri" shprehet:
"Ishte Mihajloviç që e donte Marion në skuadër, duke thënë se nëse nuk do sillej mirë, do ta mbyllte në një dhomë dhe do ta mbyste me grushte. Nëse i qeth flokët (qesh), ka cilësi atletike dhe teknike të jashtëzakonshme.
Në stërvitje bën spektakël dhe ka një përdorim të shkëlqyer topi. Mirëpo, ai nuk di të pozicionohet mirë në fushë, i kam thënë disa herë 'përse dreqin duhet të kthehesh deri në mesfushë për të kërkuar topin?'".
Van Basten
79-vjeçari më pas iu largua aktualitetit duke kujtuar një sulmues që ka bërë histori me fanellën e "Djallit": "Në gjysmëfinalen e fituar 5-0 kundër Realit, Marko, ndryshe nga pjesa tjetër e ekipit, po qëndronte i mërzitur.
Kur ju afrova, e pyeta: 'Pse nuk po gëzon?'. Më tha se nuk ishte i lumtur nga rezultati, pasi sipas tij mund të kishim marrë një fitore më të thellë kundër Realit".
Mister Bi
Në fund të fjalës së tij, ish-kryeministri italian ka folur edhe për tratativën me Bi Taeçabulin për shitjen e 48% të paketës së klubit:
"Akordi ka tri data skadence: në korrik, shtator dhe në fillim të vitit. Mister Bi na pëlqen shumë, pasi na prezantoi planin e tij për vlerësimin e Milanit në tregun aziatik, i cili sjell një faturim prej 100 milionë eurosh në sezon.
Mirëpo, tratativa po has vështirësi për shkak të kolapsit në bursën kineze, e cila ka larguar disa sponsorë që mbështesnin Mister Bi-në.
Ne kemi nevojë të shtojmë kapitalin për ta rikthyer sërish Milanin kompetitiv. Për blerjen e aksioneve të klubit kemi një radhë të gjatë, janë shumë oferta që po shqyrtojmë dhe kjo do të thotë sa i rëndësishëm është Milani në tregun e huaj".
Përgatiti: LEAR MAÇI